Denoncimet e Partisë Demokratike, sipas së cilës Qeveria po shpenzon para për inceneratorët, ka detyruar Kryeministrin Rama që të reagojë.
Përmes një statusi në Tuiter, ai shkruan se e di që PD ka lidhje me kaosin urban dhe mbeturinat.
“Lulëzim, unë e di që Partia Demokratike ka një marrëdhënie fiziologjike me kaosin urban dhe mbeturinat, jo vetëm sepse një mbeturinë të komunizmit dhe një rrëmujaxhi patologjik e ka lider prej 30 vjetësh, po edhe sepse kurdo e kudo ka qeverisur plehrat i ka pasur male krenare”.
Sipas Ramës, “Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s’kthehet më”.
Dhe në këtë pikë, kërkon nga lideri demokrat që të heqë dorë nga ajo që e konsideron nostalgji për mbeturinat.
“Prandaj Lulëzim hiq dorë nga nostalgjia për mbeturinat që ke mbi krye e mbi supe dhe harroje se duke sharë, akuzuar, shpifur do ta kthesh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e Shqipërinë, në epokën e vargmaleve të turpshme me plehra në emër të popullit që mezi të pret në 25 prill”, përfundon Rama.
burimi:/noa.al/