3 fushata 1 premtim/ Tallja e Ramës me elektoratin e fshatit

0
54

Nga fillimi i vitit të ardhshëm, skema e naftës për fermërët do të jetë më e thjeshtë dhe përfitimet për këtë shtresë do të jenë më të mëdha. Në një konferencë për shtyp nga kryeministria, Edi Rama njoftoi se do të heqë akcizën, taksën e karbonit dhe taksën e qarkullimit nga nafta që përdorin fermerët duke ulur ndjeshëm çmimin e saj. Skema do të funksionojë shumë më thjesht se më parë, pasi fermerët do të paraqesin vetëm një kartë që e kanë të gjithë ata që kanë një NIPT për tokën bujqësore dhe do të përfitojnë naftën pa taksat sipërpërmendura.

Më poshtë është një pjesë nga fjala e zbardhur e Ramës në konferencën ku doli bashkë me Ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi  dhe Drejtoreshën e AZHBR-së, Frida Krifcën për të sqaruar premtimin për banorët e fshatrave.

“Nafta, karburanti për prodhimet bujqësore do të jepet falas pa akcizë, pa taksën e karbonit, pa taksën e qarkullimit dhe kur them do të jepet falas kini parasysh që sasia kompensuese e cmimit për sasinë e tokës së punuar do të jepet nga shteti. Që do të thotë nuk do të ketë nevojë fare as për merr rimburso ço fatura historia që kanë krijuar problematikën e rëndë të naftës pa aksice në të shkuarën dhe që e kanë bërë një skemë korrupsioni të furnizimit të benzave në rrugët mes fshatrave” tha Rama.

Kujdes! Naftë “falas” nuk do të ketë

Fjala “falas” mes rreshtave në deklaratën e kryeministrit është e qëllimshme dhe e pavërtetë. Nuk do të ketë naftë falas për asnjë fermer nga shteti. Rama e përdori fjalën “falas” për ta bërë sa më bombastik vendimin e qeverisë, për mijëra fermerë që e dëgjojnë nga televizori, por kjo nuk është e vërtetë. Kush i kujton premtimet e Ramës për “legalizime falas” në fushatën e vitit 2013, kujton edhe se si pas zgjedhjeve, ai tha se “legalizime falas” nuk do të thoshte tokë falas, por se procedurat e përgatitjes së dokumentacionit do të ishin “falas”. Njësoj edhe me naftën për fermerët nga 1 Janari.

Kush ka një tokë bujqësore në përdorim apo me qera do të përfitojnë naftë me çmim më të ulët se qytetarët e zakonshëm për shkak të heqjes së taksave, por kjo nuk do të jetë “falas”. Sipas shifrave aktualisht mendohet se do të përfitojnë direkt rreth 47 mijë fermerë, por skema pritet të zgjerohet dhe shifra mund të shkojë deri në 70 mijë.Lojtës Videos00:0000:51

Heqja e taksave për naftën është një premtim i fushatës së vitit 2013 (VIDEO ME LART) dhe në konferencën për shtyp, gazetarët i kujtuan kryeministrit se ishte 7 vjet me vonesë. Rama e pranoi se kjo ishte e vërtetë dhe se ai e kishte premtuar 7 vite më parë. Për t’u shpjeguar kryeministri rrotulloi në gojë justifikime të tipit “unë jam ai që e kam premtuar, unë jam ai që e mbaj” apo se “koha e realizimit të tyre nuk është gjithmonë në dorën e kryeministrit”.

Një tjetër “perlë” e Ramës për premtimet e parealizuara për dy mandate qeverisëse ishte ajo se shqiptarët e dinë që ai i mban premtimet, por gjithashtu se shqiptarët “e ndjejnë të gjithë” se ai i mban premtimet dhe se “kjo është arsyeja se pse më besojnë mua më shumë se të gjithë atyre të tjerëve marrë së bashku”.

Më poshtë lexoni përgjigjen e plotë të kryeministrit Rama në konferencën sot, kur gazetarët i kujtuan se premtimi për heqjen e taksave të naftës është dhënë jo pak, por 7 vite më parë.

“Patjetër është premtuar në vitin 2013 dhe mbahet sot. Unë jam ai që e kam premtuar, unë jam ai që e mbaj. Thjesht Nuk bëj unë premtime për të gënjyer, nuk bëj unë premtime për të hedhur lumin. Nuk bëj unë premtime për të marrë votat. Unë premtimet i bëj sepse jam i bindur që i realizoj dhe i realizoj. Koha e realizimit të tyre nuk është gjithmonë në dorën e kryeministrit apo të qeverisë, apo të parlamentit sepse jeta është dinamike, ngjarjet janë dinamike, situatat janë dinamike. Ama rëndësi ka që unë kam thënë e kam bërë, po e bëj apo do ta bëj. Kjo nuk diskutohet dhe shqiptarët në shumicë nëse nuk e dinë të gjithë e ndjejnë të gjithë dhe kjo është arsyeja se pse më besojnë mua më shumë se të gjithë atyre të tjerëve marrë së bashku”.

3 FUSHATA, 1 PREMTIM

6 muaj para zgjedhjeve, qeveria po tregohet shumë bujare. Në pak javë ka premtuar se do të rrisë rrogat me 40% për mjekët, do të rrisë rrogat me 15% për arsimtarët dhe se do të heqë tatimin mbi fitimin për bizneset deri në 140 milion dhe se do të heqë tatim mbi fitimin dhe TVSH për bizneset me xhiro deri në 100 milion.

është e qartë se këto vendime po merren në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit, megjithëse kryeministri Rama e mohoi një fakt të tillë.

“Heqja e akcizës e taksës së qarkullimit dhe taskës karbonit nuk është vetëm për sot dhe as vetëm për nesër. Dhe ne kur e bëjmë lloganinë nuk e bëjmë për zgjedhje, por është aty për sot dhe për një kohë të gjatë. Heqja e taksës për biznesin e vogël nuk është për zgjedhje. As heqja e tvsh për biznesin deri 100 milion, por është aty deri në vitin 2029. Tjetra njësoj. Nuk janë “jep tani” dhe “ma kthe për zgjedhje” u shpreh Rama.

Por heqja e taksave për naftën që përdorin fermerët ka një veçanti në krahasim me lehtësirat që po krijon qeveria për shtresat e tjera. Bashkëfshatarëve të tij, Rama iu ka punuar një rreng me këtë premtim. Sepse në 2013 ia mori votën, duke i premtuar heqjen e taksës për naftën. Në 2017 ia mori votën duke iu premtuar heqjen e taksës për naftën. Dhe tani edhe në 2021 kërkon t’ua marrë votën sërish me të njëjtin premtim. Mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë, por t’u premtosh banorëve të fshatit për tre palë zgjedhje rresht të njëjtin premtim dhe t’u kërkosh votën, do të thotë se e konsideron elektoratin në fshat, njësoj si veshgjati me të cilin dikur dilte fotografi kur i takonte vite më parë.

©Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here