Misioni i SPAK/ Kush hyjnë në burg të parët, prokurorë e gjyqtarë apo politikanët?

0
58

Që nga krijimi 10 muaj më parë, bilanci i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në luftën kundër korrupsionit është zero. E reklamuar me bujë si bërthama kryesore e reformës në drejtësi, një forcë goditëse e paparë në këto 30 vjet kundër zyrtarëve të lartë të korruptuar, SPAK ka qenë një strukturë impotente e organit të akuzës, që nuk ka shkuar dot përtej vijës së kuqe në arrestimin e të politikanëve të korruptuar. Të paktën këto muaj të fillimit të punës, hetimet e prokurorëve janë fokusuar më shumë kundër trafikantëve të drogës dhe bandave të të fortëve.

Por a ishte ky qëllimi për të cilën u krijua SPAK?

Një sistem drejtësie i pavarur nga politika ishte një nga qëllimet kryesore të reformës në drejtësi, që premtonte jo vetëm goditjen e krimit të organizuar, por edhe të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion. Këto të fundit janë ndarë në dy nivele. Shtresa e parë janë zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion që kanë përfituar nga fondet publike, menaxhuesit e parave të taksapaguesve dhe abuzimit me detyrën, ku përfshihen edhe politikanët. Shtresa e dytë janë gjyqtarët dhe prokurorët e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë dhe që nuk kanë justifikuar dot pasurinë e tyre gjatë procesit të vetingut. Dy target-grupe, që kanë ndarë gjithnjë misionin e SPAK dhe qëllimin për të cilin u krijua reforma në drejtësi.

Por pak ditë më parë, ndërsa komentonte raportin e Greco për luftën ndaj korrupsionit, kryeministri Edi Rama bëri një pohim të pazakontë, kur tha se koka e korrupsionit shqiptar nuk janë politikanët, por gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

“Beteja këtu është beteja për ta filluar tamam nga koka dhe koka e korrupsionit në Shqipëri, më lejoni ta them deri në fund, nuk janë politikanët, nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë, nuk diskutohet. Koka e korrupsionit në Shqipëri ka qenë korporata e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, që ka garantuar pandëshkueshmërinë në sistem që ndëshkimin e drejtësisë e ka përdorur për hesape që shumë shpesh nuk kanë pasur të bëjnë fare me hesapet e shtetit” tha Rama.

Deklarata është një një orientim i qartë për prokurorët e SPAK, sipas të cilës në fokus të punës së tyre, kur vjen fjala te korrupsioni, nuk duhet të jenë politikanët. RamaKryeministri ishte i qartë kur tha misioni i SPAK më së pari është ndëshkimi e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të ishte sipas tij edhe “kthesa e madhe, përfundimtare, që do ta bëjë Shqipërinë europiane”.

http://kryeministria.al/newsroom/raporti-i-greco-per-shqiperine-fakte-te-qarte-per-lehtesimit-nga-barra-e-trasheguar-e-korrupsionit/

Por pohimi sipas të cilit “koka e korrupsionit nuk janë politikanët” bie ndesh me frymën e reformës në drejtësi, e cila në ngjizje të saj nuk e pati këtë përjashtim. Përkundrazi ishin vetë socialistët të parët që Prokurorinë Speciale e vunë përballë politikanëve të opozitës, duke arsyetuar se ngurrimi për ta votuar ligjin për reformën në drejtësi në vitin 2016 vinte nga frika e ndëshkimit të politikanëve të opozitës. Ishte po Rama që gjatë protestave të vitit 2017 të opozitës, thoshte se çadra përballë kryeministrisë u ngrit nga “frika e drejtësisë i ka zënë, sa nuk ka mbetur peshk në liqenin e Tiranës që nuk e kupton se ata nuk duan zgjedhje sepse nuk duan drejtësi”.

Ishte po Rama, që në vitin 2019, kur opozita dogji mandatet, që shprehej se e gjitha bëhej nga frika e reformës në drejtësi.

Për goditjen e korrupsionit nga SPAK është investuar prej vitesh edhe ambasada amerikane. Madje në të njëjtën tryezë me Ramën, ambasadorja amerikane Juri Kim foli për një tjetër koncept tjetër të misionit të SPAK. Sipas saj, shënjestra e Prokurorisë së Posaçme duhet të jenë të korruptuarit që menaxhojnë fondet publike, pra ato në qeveri.

“Qytetarët e Shqipërisë, si të gjithë qytetarët në të gjithë botën, meritojnë qeverisje të mirë. Ata meritojnë të kenë besim se fondet publike – paratë që vijnë nga djersa e punës së tyre – po përdoren për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme”

Dhe duke përmendur se çfarë e pengon qeverisjen e mirë në Shqipëri, Juri Kim përmendi edhe gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, por më së pari ajo e vuri theksin tek: “zyrtarë të korruptuar; një sektor i drejtësisë i kapur nga interesat politike; gazetarët ose bashkëpunuan ose kërcënuan për raportimin e korrupsionit; zyrat publike të përdorura për të promovuar ose mbrojtur interesat personale ose partiake; ndërmarrjet shtetërore që i japin përparësi patronazhit ose krushqisë mbi operacionet efikase dhe efektive; dhe zyrtarët shtetërorë të interesuar në promovimin e interesave vetjakë mbi qeverisjen e mirë për të ruajtur kontrollin e tyre”.

Deklarata e Juri Kim është në vazhdën e të njëjtit qëndrim që ambasada amerikane si sponsorizuesja kryesore e SPAK ka mbajtur që në konceptimin e strukturës. Në Maj të vitit 2018, ish ambasadori Donald Lu në një intervistë për Top Channel kritikonte vonesat për krijimin e Prokurorisë së Posaçme me arsyetimin se politikanët kishin frikë.

“Nuk është për t’u habitur që politikanët vazhdojnë të kritikojnë dhe të mbjellin dyshime për këto struktura. Ata ishin dikur të paprekshëm. Tani ata kanë frikë”.

 Donald Lu, 1 Maj 2018

Më herët, edhe Partia Demokratike kur përshëndeti krijimin e SPAK përmendi goditjen e politikanëve të korruptuar kur tha se: “Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë”.

Çështjet e nxehta në SPAK

Katër vitet e fundit, raportet e Transparency International tregojnë përkeqësimin e perceptimit të qytetarëve për luftën kundër korrupsionit. Njësoj si në vendet e botës së tretë në Afrikë apo në Azinë e largët, shqiptarët besojnë se qeveritarët e tyre, ata që menaxhojnë fondet publike, janë të korruptuar. Denoncimet ku janë të përfshirë politikanë apo çështje që kanë lidhje direkt me politikën nuk kanë munguar pas krijimit të SPAK. Më poshtë Lapsi.al ka rreshtuar një seri dosjesh, që “flenë” në sirtarët e Prokurorisë së Posaçme dhe për të cilat nuk ka ende asnjë përparim.

  1. Çështja e komisionerëve të Durrësit, pjesë e dosjes 339
  2. Çështja “Margjekaj”, gjykatësja që anuloi zgjedhjet lokale në Durrës
  3. Dosja e koncensionit të sterilizimit e denoncuar nga Nisma thurje
  4. Dosja per shembjen e Teatrit Kombëtar, e denoncuar nga opozita
  5. Dosja e koncensionit te Check-Up e denoncuar nga PD
  6. Dosja e Thumanës, për tërmetin që i mori jetën banorëve në pallatet e dëmtuar
  7. Dosja për falsifikim dokumentash nga zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë për përzgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese
  8. Dosja e tenderave të ushqimeve gjatë pandemisë nga Ministria e Mbrojtjes

Mesazhi i Ramës për SPAK

Për të kuptuar konceptin e Ramës për drejtësinë, që duhet të bëjë SPAK, shërben më së miri një histori ku u përfshi Liridon Pula në fund të vitit të kaluar. Liridon Pula ishte drejtor i Kadastrës në Durrës dhe u arrestua nga prokuroria për abuzime me regjistrimin e pronave. Urdhrin për arrestimin e tij e firmosi prokurori Arjan Ndoj, lidhjet e të cilit me elementët kriminalë tashmë janë të dokumentuara. Çfarë ndodhi pas arrestimit? Prokurori Arjan Ndoj u sulmua nga foltorja e parlamentit nga kryeministri Edi Rama nominalisht si një person i lidhur me krimin.

Pak kohë më pas, Ndoj u përfshi në një atentat ku mbeti i vrarë shoferi i tij, ndërsa ishte në shoqërinë e një personi me precedentë penalë, duke provuar tërthorazi akuzat që i erdhën nga politika. Por çfarë ndodhi me Liridon Pulën? “Djali i keq” i prokurorisë mori ndëshkimin dhe për të nisën procedurat për shkarkim. Gjykata e Durrësit u vu nën presion për ta liruar. Zv.kryeministri Erjon Braçe mori pjesë në seancat gjyqësore për Liridon Pulën, duke dhënë deklarata jashtë sallës së gjyqit në mbrojtje të “djalit të keq” të emëruar nga socialistët. Ndodhi ajo që pritej. Liridon Pula u shpall i pafajshëm dhe prokuroria nuk u mor më me të, për shkak të mbrojtjes që iu bë nga qeveria.

Prandaj ndërsa dëgjon “orientimin” e Ramës, sipas të cilit kokat e korrupsionit janë tek ish gjyqtarët dhe prokurorët, nënkuptohet mesazhi për SPAK: Politikanët, ministrat dhe drejtorët e Rilindjes janë dhe duhet të mbeten të paprekshëm!

©Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here