“Mbështetja financiare për bujqësinë u rrit 175%”/ Teliti i përgjigjet Ramës: Orvatet t’u hedhë hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat e larta

0
107

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën sot duke publikuar një grafik për mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë, e cila sipas shefit të qeverisë, në periudhën 2013-2020 ka qenë 110 milionë euro, në krahasim me periudhën 2007-2012, kur ishte 40 milionë euro.

Sipas Ramës, rritja e mbështetjes për fermerët është me 175 % gjatë qeverisjes socialiste.

Ndër të tjera, kryeministri shkruante në facebook: “me këtë krahasim të thjeshtë, që tregon se ndryshimi në bujqësi, zgjerimi i sipërfaqes së tokës së punuar, rritja e eksporteve, ulja e importeve bujqësore, janë rezultate të politikave të reja orientuese dhe mbështetjes financiare gati trefish nga qeveria të punës në fshat, ju uroj një ditë të mbarë”.

Sakaq, eksperti i ekonomisë dhe drejtori i kabinetit në Partinë Demokratike, Dorian Teliti reagoi për deklaratën e kryeministrit Rama, duke e akuzuar se i “shkatërroi me taksa” fermerët.

Siç shkruan Teliti në një postim në rrjetet sociale, “fondet e qeverisë i marrin grosistët pranë qeverisë. Fermeri shqiptar nuk lexon grafikët e vizatuar nga propaganda”.

Teliti thekson se Rama “pasi ka dështuar të japë llogari për premtimet e pambajtura për bujqësinë, orvatet t’u hedhë hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat e larta dhe mungesa e mbështetjes konkrete për to”.

Në 2013 premtoi naftë pa akcizë për fermerët, por u shtoi edhe taksën e qarkullimit 24 lek/litër. Vetëm nga kjo taksë absurde që s’ka asnjë lidhje me bujqësinë, fermerët kanë paguar rreth 100 milion euro në 7 vitet e qeverisjes së tij.

U premtoi fermerëve 40 milion euro investime në vit, por nuk ka financuar as gjysmën e tyre. Ndërsa 70% e fondeve të akorduara janë dhuratë nga Bashkimi Europian.

Bilanci i vërtetë i ER në bujqësi është ky:
•rreth 100 milion euro taksë qarkullimi paguar nga fermerët në shtatë vite;
•70% të fondeve për bujqësinë i përfitojnë 50-60 grosistë;
•2% e fermerëve kanë marrë mbështetje, ndërsa 98% e tyre nuk e kanë parë dorën e ndihmës nga shteti;
•30-40% më e lartë është kosto e prodhimit krahasuar me rajonin;
•30% më i ulët është rendimenti i prodhimit bujqësor e blegtoral, krahasuar me rajonin;
•2/3 e tokës nuk kanë akses në ujitje e kullim;
•Vetem 2,8% e fermave kane traktore apo mjete te mekanizuara.

Fermeri shqiptar nuk lexon grafikët e vizatuar nga propaganda.
Fermeri shqiptar lexon xhepat e tij të shpuar nga taksat e larta, kostot e larta, kalbja e prodhimeve të pashitura dhe mungesa e plotë e mbështetjes nga shteti”, shkruan Teliti.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here