Përhapja e COVID/ Rama paralajmëron pronaret e bareve dhe restoranteve: Mos e merrni tolerancën tonë për dobësi, s’është e vështirë t’u sulim…

0
591

Kryeministri, Edi Rama, paralajmëroi një dimër të vështirë për shkak të koronavirusit, duke ju referuar këtu parashikimeve të ekspertëve brenda dhe jashtë.

Ndaj kryeministri Rama përsëriti edhe njëherë apelin ndaj qytetarëve që të mos e bëjnë më të vështirë luftën me armikun e padukshëm.

Një thirrje pati edhe për baret dhe restorantet që të respektojnë protokollin e masave të sigurisë në mënyrë që të mos kontribuojnë në një mbyllje të dytë të tyre që do të ishe me pasoja kastrofike.

Rama: Lufta me armikun e padukshëm është një luftë tejet e vështirë. Ju lutem, ju përgjërohem të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e bëjnë me të vështirë.

U lutem dhe përgjerohem të gjithë atyre që nuk duan ta besojnë sesa e vërtetë dhe as e vështirë është kjo luftë dhe mbyten në lugët e ujit të teorive të konspiracionit apo thashethemeve dhe llafeve që janë thjesht fukarallëk nëpër klube duke e përqeshur rrezikun. Ju lutem të mos e vështirësojmë më tepër këtë.

Ju lutem atyre që ushtrojnë aktivitetin në restorante dhe bare të mos e përqeshin rrezikun, të mos e sfidojnë shtetin, të mos e konsiderojnë tolerancën tonë dhe mirëkuptimin tonë për vështirësitë e tyre si një dobësi dhe të mos vënë në rrezik jetën e tyre, të familjeve të tyre dhe njerëzve që u shërbejnë. Janë protokolle të përcaktuara që duhen respektuar.

Nuk është e vështirë për ne të sulim policinë nëpër lokale, restorante dhe bare për të vendosur rregull por a është kjo ajo që duam? A është kjo ajo që duan ata që me çdo kusht duan të shfrytëzojnë çdo metër katrorë të lokalit dhe harrojnë se rrezikojnë të kontribuojnë për mbylljen e lokalit edhe njëherë tjetër dhe të marrin një goditje marramendëse financiare. Humbja që do të pasonte nga kjo përqeshje ndaj rrezikut do të ishte katastrofike.

Kryeministri vuri në dukje se  duhet të sillemi me përgjegjësi të madhe për shëndetin dhe shoqërinë.

Rama: Të mos bëhemi  ne me duart tona ata që mbyllim përsëri dyert e shtëpive, lokaleve, bizneseve dhe makinave dhe të mbetemi  peng i papërgjegjshmërisë dhe një rreziku që është real. Sot je mirë dhe nesër në tub dhe nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, larg qoftë, pasnesër nuk je fare. Falë Ministres së Shëndetësisë, një nënë që e ka harruar familjen dhe vajzat e saj dhe qëndron në krye të detyrës ditë dhe natë dhe falë skuadrës së saj sot bluzat e  bardha nuk kanë hallet mbi hall të mungesë së mjeteve për të luftuar. Janë të mirëpajisur, të shpërblyer brenda mundësive tona.

Kritika pati edhe për ata që sipas tij flasin për  një realitet që nuk ekziston.

Rama: Fatkeqësi e madhe sesi zëra që janë me mikrofon dhe që amplifikohen për shkak të detyrës përmes burimeve të informacionit flasin për mungesë kapacitetesh në spitale, tregojnë një realitet të frikshëm që nuk ekziston, sikur spitalet tona janë tejmbushur dhe njerëzit lihen korridoreve që të vdesin. Fatkeqësi e madhe shumë. Sot gjithë spitalet tona janë ende me kapacitete të lira që po shkojnë duke u zvogëluar por që janë dy struktura të reja që presin në rast se do të kemi nevojë. Në rast se do të kemi përsëri nevojë janë të gatshme strukturat sipas qarqeve ku do të jetë nevoja.

Deklaratat Rama i bëri në ceremoninë e marrjes në dorëzim të 60 respiratorëve nga rezervat e NATO-s, kontribut ky i SHBA-së.

Rama: Nuk ka nevojë vetëm Shqipëria për ndihmë por të gjitha vendet. Edhe SHBA. Fakti që pavarësisht madhësisë dhe fuqisë së vendeve të gjitha vendet gjenden në një anije dhe duhet të përballin dallgë vështirësish që godasin me të njëjtin intensitet kudo dhe ndërkohë solidariteti nuk ka munguar dhe as vëmendje për vende më të vogla dhe për një vend shumë të vogël si Shqipëria në raport me të tjerët, ka një domethënie historike dhe të paharrueshme për ne.

60 respiratorët që i shtohen sot fuqisë  tonë të instaluar për të përballuar këtë dimër që do të jetë posaçërisht i vështirë sipas të gjithë parashikimeve  që bëjnë ekspertët në të gjitha vendet e botës dhe sipas parashikimeve  të ekspertëve tanë për Shqipërinë janë kuptimplotë jo vetëm në aspektin e aktit, të gjestit por edhe në aspektin e ndihmës konkrete në fuqizimin e sistemit.

Nga sot edhe këta respiratorë do të jenë në vijën e zjarrit për të mbrojtur jetë, për të shpëtuar jetë. Jemi të angazhuar që të mos lejojmë që kjo krizë shëndetësore, humnaitare të shndërrohet edhe në një krizë sigurie. Kemi parë se çfarë ndodh në disa vende sot ku fatmirësisht kriza globale e shkaktuar nga Covidi është vetëm një nga fytyrat e krizës më të thellë të sigurisë.

Me superlativa, Rama foli edhe për Forcat e Armatosura, për të cilat tha se nuk e dinte që kishin atë reputacion në NATO.

Rama: Pas meje është pasqyra e një transformimi që vazhdon. Sot Shqipëria ka në dispozicion një trupë të emergjencave civile të standardeve europiane. Një trupë në lartësinë e imazhit, frymës, profesionalizimit të Forcave të Armatosura si të tërë. Para së të bëhesha kryeministër  për shkak të detyrës kisha vëmendje të plotë edhe në këtë drejtim.

Nuk e kam ditur dhe as e kam menduar reputacionin e jashtëzakonshëm që gëzojnë Forcat tona të Armatosura në gjirin  e NATO-s nga niveli i tyre profesional. Nuk e kam ditur që në rreshtin e gjatë të ushtrive njerëzit tanë vlerësohen si ekselentë.Nuk e kam ditur dhe as menduar që në stërvitje apo simulime të bëra nga NATO skuadrat tona mund të arrijnë deri në vendet e nderit në gara të jashtëzakonshme vështirësish ekstreme siç ndodhi jo shumë kohë më parë.

Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur dëgjoj nga autoritetet më të larta të NATO-s apo Gjeneralë me hije të rëndë në takime që i sjell rasti fjalë admiruese  për Forcat tona të Armatosura. Kjo rritje e profesionalizimit nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e aleatëve tanë në rritjen e kapaciteteve morale dhe profesionale të njerëzve tanë por nuk do të ishte e mundur as nëse drejtuesit e lartë të ushtrisë sonë nuk do të ishin në lartësinë e detyrës, më vjen mirë që takova Shefin e Ri të Shtabit që uroj të vazhdojë punën e mirë të paraardhësit.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here