Krijimi i partive të reja, Basha: Kush përpiqet me apo pa maskë ta zgjasë largimin e Edi Ramës, përgjigjen ua kanë dhënë qytetarët

0
138

MARIGLEN KUME/Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha sqaroi dje se çfarë do të ndodh me 13 emrat ku bënin pjesë anëtarë kryesie dhe ish-deputetë, për të cilët komisioni i vlerësimit vendosi që t’u shtyhet aprovimi i kandidimit.

Kreu i selisë blu foli dje për herë të parë pas përfundimit të mandatit të komisionit të vlerësimit dhe saktësoi se organet vendimmarrëse të PD-së, kryesia dhe këshilli kombëtar do të marrin parasysh emrat që ka konfirmuar anëtarësia me votë dhe raportin e komisionit të vlerësimit. Ndërkohë, Basha nuk kurseu falënderimet për 5-shen e komisionit për punën voluminoze që bëri në këto 5 muaj.

“Sa i përket procesit vetë, siç kemi bërë të qartë në komunikimin e ditës së premte, raporti i komisionit siç e përcakton dhe statuti, do të shqyrtohet nga organet vendimmarrëse që janë kryesia dhe Këshilli Kombëtar. Unë dua të falënderoj anëtarët e komisionit për angazhimin, përkushtimin e tyre me në një punë voluminoze që ka zgjatur për gjatë gjithë verës. Anëtarësia ka folur dhe organet vendimmarrëse, kryesia dhe Këshilli Kombëtar bazuar mbi të gjitha këto vendime dhe propozime pasi të shqyrtojnë raportin e komisionit do të marrin vendime përfundimtare siç e ka statuti”, tha Basha.

Kreu i PD-së nuk e fshehu kënaqësinë për vëmendjen publike që pati procesi që u zhvillua në PD dhe premtoi se i njëjti model do të ndiqet edhe në qeverisje duke decentralizuar vendimmarrjet.

“Është një tregues i një fryme ndryshimi, i një përqasjeje bashkëkohore të hapjes së Partisë Demokratike, të gjithëpërfshirës së anëtarësisë, siç e kam premtuar prej vitit 2017, siç e bëmë rregull në Kushtetutën tonë, në Statutin e partisë në vitin 2018. Është një tregues i një fryme ndryshimi, i një përqasjeje të re, e cila sot zhvillohet brenda Partisë Demokratike, që jo më kot quhet demokratike, sepse është partia që i dha fund të kundërtës, totalitarizmit, mbylljes, vendimmarrjeve të fshehta. Së dyti, është një shenjë e qartë se si ne do të konceptojmë qeverisjen nesër, me një gjithëpërfshirje të grupeve të interesit”, tha Basha.

PARTITË E REJA

Por, ndërkohë që Partia Demokratike është në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme dhe vijon diskutimet për caktimin e drejtuesve politikë në qarqe, disa parti të tjera po marrin jetë. Kujtojmë partinë që ka regjistruar z. Murrizi, partinë që ka lajmëruar të regjistrojë znj. Hajdari dhe një lëvizje e re politike që pritet të marrë pjesë edhe znj. Topalli, ish-nënkryetare e PD-së.

Të gjitha partitë e reja kanë në përbërje të tyre ishfunksionarë të PD-së. I pyetur nëse duhet të bëjë një përpjekje kryedemokrati Basha për të bashkuar të gjitha forcat, kreu i selisë blu u shpreh se ai nuk paragjykon askënd që ka motiv largimin maxhorancës nga pushteti por sipas tij, ata të cilët heqin paralele dhe barazi mes qeverisë në pushtet dhe opozitës, i shërbejnë Kryeministrit Rama.

“Absolutisht nuk mund të paragjykoj dhe nuk dua të paragjykoj askënd që është në opozitë me Edi Ramën dhe do të ndihmojë në largimin e Edi Ramës. Por çdokush që bën të kundërtën, pavarësisht si apo sa mundohet ta fshehë e ka të pamundur ta fshehë, sepse qytetarët e kuptojnë dhe nuk janë budallenj. Çdokush që do të ndihmojë në largimin e Edi Ramës ka qenë dhe është i mirëpritur. Ka pasur të gjithë hapësirat dhe do të gjithë hapësirat në dispozicion.

Çdokush që mundohet të heqë shenjën e barazimit midis dikujt që i ka hapur kaq shumë plagë vendit, si Edi Rama në këto shtatë vite e gjysmë, plagë ekonomike, plagë papunësie, plagë emigracioni, shëndetësi në kolaps, arsimi në ditën e vet më të zezë, rinia në largimin më masiv të 20 viteve të fundit dhe nga ana tjetër ka pasur një opozitë që është përballur ditë për ditë me të gjitha format dhe mënyrat, pa diskutim që dikush që vendos shenjën e barazimit i shërben të parës.

Pra, i shërben qeverisë. Megjithatë ftesa ime ka qenë dhe mbetet për këdo. Unë nuk kam pse flas me emra, sepse kjo nuk është çështje individësh, aq më shumë individësh brenda Partisë Demokratike, të cilët kanë pasur një jetë politike, kanë pasur mundësitë dhe shanset për të kontribuar dhe po kështu kanë pasur vlerësimin e demokratëve. Kush përpiqet me apo pa maskë ta zgjasë qoftë edhe një orë largimin e Edi Ramës, atë pastaj qytetarët e kuptojnë fare qartë dhe përgjigjen ua kanë dhënë dhe do vazhdojnë t’ua japin”, tha Basha.

5 PARTI të reja pritet t’i shtohen listës së partive politike në Shqipëri, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme qendrore. Të gjitha partitë e reja kanë një element të përbashkët. Themeluesit e tyre vijnë nga radhët e Partisë Demokratike.

Basha: 38 milionë euro për zyra dhe luks, do mjaftonin për 3 muaj të paketës me 5 pika

Kryedemokrati, Lulzim Basha, e nisi fjalën në konferencën e djeshme me denoncimin për rastin e z. Çekiri, i cili ndërroi jetë në fundjavë në ambientet e QSUT-së pasi nuk u pranua nga spitali për t’u mjekuar. Ndërkohë, ai shprehet se shqetësimet që mbërrijnë në PD janë edhe më të shumta për raste të ngjashme. Sipas kryedemokratit, Lulzim Basha, spitalet që trajtojnë të infektuar me COVID-19 janë të tejmbushura dhe akuzoi Kryeministrin se sot pas 9 muajsh që nga shfaqja e rastit të parë në Shqipëri nuk ka marrë masat e nevojshme.

“Ka 9 muaj, që nga fillimi i pandemisë që qeveria nuk ka marrë asnjë masë, asnjë plan serioz për t’u përballur. Vetëm justifikime, deklarata kundërthënëse, të Kryeministrit që i është mbivendosur opinionit të ekspertëve dhe rezultati është që vala e dytë, që me sa duket ka nisur, e gjen Edi Ramën dhe kabinetin e tij të papërgatitur për t’u përgjigjur emergjencës shëndetësore. Kam katër javë që kërkoj të ndërmerren katër hapa të thjeshtë. Hapi i parë, të çohet numri i testimeve në 2500 testime në ditë. Kjo është e rëndësishme, sepse bën të mundur testimin në kohë të të dyshuarve për infeksion, evidentimin e atyre që e kanë marrë virusin”, tha Basha.

Më tej, kreu i selisë blu tha se nëse qeveria zbaton paketën me 5 pika të prezantuar 4 javë më parë nga PD-ja, situata mund të amortizohet. Ndërsa qeveria refuzon të implementojë planin e rimëkëmbjes së PD-së, Basha tha se në projektbuxhetin e 2021, maxhoranca ka planifikuar 38 milionë euro shpenzime për zyra e luks. Shumë e cila sipas kryedemokratit, do të mjaftonte për të ndihmuar biznesin, të papunët, pensionistët për tre muaj me radhë.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here