Prapaskenat/ “Jeni fashistë në kuptimin e vërtetë të fjalës”-Erdogan ashpërson tonet ndaj Macron, thirrje për bojkotimin e mallrave franceze

0
148

Mosmarrëveshjet mes Francës dhe Turqisë rreth karikaturave të Muhamedit dhe fenë islame po intensifikohen. Presidenti turk sulmoi edhe politikanët evropianë duke i quajtur ata “fashistë”.

Pas sulmeve të tij verbale dhe akuzave ndaj Presidentit francez Emmanuel Macron për islamofobi, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi në një mesazh televiziv: “Ashtu si disa në Francë thonë mos blini mallra turke, unë i drejtohem kombit tim: mos u kushtoni vëmendje mallrave të etiketuara në frëngjisht, mos i blini!”

Sipas Erdoganit myslimanët në Evropë i qenkëshin ekspozuar një “fushate linçimi” të krahasueshme me persekutimin e “hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore”. Ai akuzoi krerët e shteteve dhe qeverive evropiane si “fashistë në kuptimin e vërtetë të fjalës” dhe “hallka në zinxhirin e nacional-socializmit”. Erdogani tha se Evropa duhet t’i japë fund “fushatës së urrejtjes kundër myslimanëve të kontrolluar nga Macroni”.

Franca mbron karikaturat e Muhamedit

Deklaratat e ashpra të Erdoganit lidhen me reagimin e Macronit ndaj vrasjes javën e kaluar të mësuesit të historisë, e cila supozohet se është bërë për motive islamike. Presidenti francez deklaroi pas kësaj ngjarjeje se ndaj xhamive dhe institucioneve të tjera myslimane do të ketë kontrolle më të rrepta. Macron mori edhe një herë me forcë në mbrojtje edhe të drejtën për të botuar karikatura kritike ndaj fesë.

Franca nuk do të “heqë dorë nga karikaturat dhe vizatimet, edhe nëse të tjerët e bëjnë këtë”, tha Macron gjatë ceremonisë përkujtimore për nder të mësuesit të vrarë Samuel Paty. Ai u kishte treguar nxënësve karikaturat e Muhamedit dhe më pas dorasi e vrau në rrugë dhe i preu kokën.

Supermarketet në disa vende myslimane po heqin mallrat francezë nga asortimenti

Deklaratat e Macronit shkaktuan zemërim jo vetëm në Turqi. Edhe supermarketet në Katar, Jemen apo Kuvajt bëjnë thirrje për bojkotimin e produkteve franceze. Mallrat nga Franca do të ndalohen gjithashtu edhe në Jordani.

Për presidentin e shoqatës franceze të punëdhënësve Medef, Geoffroy Roux de Bézieux, thirrjet për bojkotim kundër Francës në vendet arabe janë “një lajm i keq”. Në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje anëtarëve të shoqatës t’i kundërvihen një “shantazhi” të tillë: “Vlerat tona vlejnë më shumë sesa biznesi ynë,” tha ai për radion RMC.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) përsëriti solidaritetin gjerman me Francën dhe i quajti sulmet personale të Erdogan ndaj Macronit “ofenduse dhe krejtësisht të papranueshme”. Erdogani e akuzoi gjatë fundjavës Macronin për islamofobi dhe u shpreh se ai ka dyshime për shëndetin mendor të Macronit.

Lira vazhdon të zhveftësohet

Kërcënimet e Presidentit Erdogan për bojkotimin e Francës kanë shkaktuar zhvleftësimin e lirës turke. Lira shënoi nivele rekord rënieje në këmbimin me dollarin amerikan dhe euron. Për herë të parë një dollar është i barabartë me më shumë se tetë lira. Monedha turke ka nëntë javë që po shënon rënie kundrejt dollarit. Ekspertët paralajmërojnë për pasojat që bart zhvleftësimi i lirës për Turqinë.

/DW© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here