Qeveria dhe opozita përplasen për shëndetësinë/ Rama: “Lancet” na rendit më lart në rajon. PD: Janë 3D, shqiptarët vdesin trotuareve

0
134

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama e ka nisur me vlerësimin që revista mjekësore “Lancet” i ka bërë shëndetësisë shqiptare. Kjo sipas Ramës është edhe një përgjigje për akuzat e Partisë Demokratike, e cila thotë se shëndetësia nën qeverisjen e Ramës është rrënuar.

“Mirëmëngjes dhe me këtë vlerësim kuptimplotë për punën tonë transformuese për shëndetësinë nga prestigjozja botërore “Lancet”, e mirënjohur për nivelin e lartë të kompetencës profesionale mbi sektorin e shëndetësisë, e cila e rendit Shqipërinë me pikët më të larta në rajon dhe në një grup me disa nga vendet lindore të Bashkimit Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Por menjëherë ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila nëpërmjet shefit të kabinetit të kryetarit Basha rrëzon pretendimet e kryeministrit Rama. Sipas Telitit realiteti thotë që shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet.

Sipas Telitit, inaugurimi i spitalit Covid3 nga kryeministri Rama një ditë më parë u bë pa asnjë transparencë për aparaturat dhe numrin e mjekëve të specializuar. Ai thotë se videot 3D  që publikon Rama nuk e fshehin dot të vërtetën.

“ER inaguroi dje për herë të dytë spitalin Covid3 pa bërë asnjë transparencë për aparaturat dhe numrin e mjekëve dhe infermierëve të specializuar që duhet të jenë në shërbim të të sëmurëve me Covid.

Ndërsa sot pa gdhirë kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se shëndetësia e epokës së rilindjes është e sukseshme dhe konkurruese në botë.

Me një raport që tregon shkallën e vaksinimit të popullsisë, ai po orvatet të bindë shqiptarët se shëndetësia shqiptare është ku e ku më mirë se shëndetësia e vendeve si Turqia ku sot shkojnë për të gjetur shërim oligarkët e PPP-ve në shëndetësi.

Ndërkohë faktet janë kokëforta dhe asnjë video 3D nuk e fsheh dot të vërtetën që jemi vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë në Ballkan, kemi pagat më të ulëta për mjekët, kemi buxhetin më të ulët për shëndetësinë dhe kryejmë disa herë më pak testime për COVID se çdo vend i rajonit.

Shëndetësia në 3D e ER është çështje e kinemasë, jo e realitetit.

Realiteti thotë që shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet.

Realiteti i shëndetësisë së ER thotë që mjekët dhe infermierët ikin nga sytë këmbët nga ky vend, ndërsa diploma e studentit të mjekësisë shërben thjesht si vizë pune në Gjermani”, i përgjigjet Teliti Ramës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here