Situata me pandeminë/ Shkalla e vdekshmërisë nga COVID zbret në 2.4 për qind

0
147

Shkalla e vdekshmërisë në vendin tonë si pasojë e COVID-19 ka zbritur në 2.4 për qind, përkundrejt 2.9 për qind që arriti përgjatë muajve të verës, por sërish duhet thënë se mbetet ndër më të lartat në botë.

Rritja e nivelit të testimeve në javën 41 dhe 42 të pandemisë solli shtim të rasteve të reja, por, për fat të mirë, kjo nuk u shoqërua me rritje të mortalitetit. Aktualisht janë 480 persona që kanë humbur betejën me sëmundjen, nga 19,445 raste pozitive të konfirmuara që nga muaji mars e deri më tani. Të hënën janë raportuar 3 humbje jete. “Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19, një 50- vjeçar nga Lezha, një 56- vjeçare nga Tirana, një 88- vjeçar nga Tropoja”, bëri me dije Ministria e Shëndetësisë.

SPITALET

Por, shtimi i rasteve të konfirmuara pozitive me koronavirus ka sjellë mbingarkesë në dy spitalet COVID, ku, aktualisht, numri i të shtruarve ka shkuar në 280 pacientë, çka do të thotë se rreth 3.4 për qind e rasteve aktive janë duke marrë trajtim mjekësor të specializuar. “Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 280 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar”

RASTET DITORE

Lidhur me rastet ditore, në 24 orë janë konfirmuar 288 persona pozitivë, pjesa më e madhe në Tiranë, Fier, Krujë dhe Gjirokastër. “Ju informojmë lidhur me situatën epidemiologjike në 24 orët e fundit të COVID-19 në Shqipëri: Janë kryer 1304 testime në 24 orët e fundit, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 288 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Janë shëruar 51 qytetarë, duke e çuar në 10705 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 147 raste në Tiranë; 16 në Fier; 14 në Krujë, Gjirokastër; 13 në Durrës; 11 në Kavajë; 10 në Lushnjë, Gramsh, Kuçovë; 8 në Peqin; 7 në Elbasan; 4 në Shkodër, Kurbin; 3 në Tepelenë; 2 në Vlorë, Tropojë, Kamzë, Pogradec, Divjakë; 1 në Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë, Berat, Dibër, Memaliaj, Skrapar”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Manasirliu: Hapim “COVID-3” brenda javës

Edhe pse numri i të shtruarve në dy spitalet COVID ka shkuar në 280, duke shkaktuar mbingarkesë dhe vështirësi për stafin mjekësor, ende nuk ka një datë se kur do të hapet spitali COVID-3, që është godina e ish-Kirurgjive në QSUT. Ministrja Manastirliu tha dje se do të hapet brenda kësaj jave, por pa dhënë një datë fikse. “Janë 150 shtretër në këtë strukturë, e dedikuar për pacientët me COVID-19, ku ka gjithashtu edhe një njësi reanimacioni për pacientët që do të kenë nevojë. Sipas protokollit që ka përcaktuar shërbimi infektiv, çdo gjë është vendosur dhe është gati. Janë pajisur dhomat me monitorë, respiratorë dhe linjat e oksigjenit”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të spitalit, e shoqëruar nga Kryeministri Rama, Manastirliu tha se aktualisht janë 40-50 shtretër të lirë në dy strukturat COVID, dhe pas ezaurimit të tyre do të hapet edhe COVID-3. “Ne të dyja strukturat Covid kemi 40-50 shtretër të lirë. Por, duke parë trendin e rasteve në rritje, mendojmë brenda javës të hapim edhe COVID-3. Ndërkohë që kemi dhe COVID-4 me rreth 100 shtretër, i cili edhe ai është gati. Doktorët dhe infermierët janë gati për të filluar në çdo moment që do të jetë e nevojshme”, tha Manatirliu. Spitali COVID-3 do të jetë në administrim të Spitalit Infektiv në përgjigje të fluksit të shtuar të pacientëve me COVID-19.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here