Operacion policor në Lezhë, dalin detajet e para. Dy të arrestuar, një në kërkim. Si u rrezikua jeta e efektivëve

0
155

Dy të arrestuar dhe një shtetas i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Transportuesi” në Lezhë, ku u godit një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.

Operacioni zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë dhe forcën e posaçme “Shqiponja”, pas informacionit të siguruar në rrugë operative se me një automjet po transportohej lëndë narkotike nga Kurbini në drejtim të Shkodrës, me qëllim trafikimin nëpërmjet kufirit jeshil drejt Malit të Zi.

Në aksin rrugor Milot-Lezhë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar mjetin e dyshuar që mund të transportonte lëndë narkotike dhe i kanë bërë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë për ndalim dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjeke të automjetit. Drejtuesi i automjetit ka braktisur mjetin në një servis të në fshatin Tresh, Lezhë dhe është larguar.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Golf” me drejtues shtetasin K. K. shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 21 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Po gjatë operacionit, Policia ka bllokuar edhe një automjet tjetër.

Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit N. T., 32 vjeç dhe Z. M.,30 vjeç, banues në Lezhë, ishin bashkautorë me shtetasin K. K dhe i paraprinin rrugën për të njoftuar shtetasin K. K në rast se do konstatonin pika kontrolli të Policisë.

Të dy këta shtetas në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. K., 25 vjeç, banues në Barbullojë, Lezhë dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. K.,u gjetën dhe sekuestruan 56 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Materialet hetimore iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here