Padia për shpërdorim detyre dhe manipulim të rezultateve/ SPAK: Kriteret për në BKH janë të vështira, u zgjodhën të tilla për të…

0
134

Pas padisë së të hënës në Gjykatën Administrative, dy ditë më parë 7 nga kandidatët për hetues të BKH-së që u skualifikuan nga gara, pasi nuk arritën të merrnin pikët e nevojshme në testin fizik, kanë kallëzuar për shpërdorim detyre dhe manipulim të rezultateve Komisionin e Përzgjedhjes e të Vlerësimit.

Gjithashtu ata kanë kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës edhe drejtuesen e Byrosë Kombëtare të hetimit, Aida Hajnaj, dhe kryeprokurorin e SPAK-ut, Arben Kraja.

Ata pretendojnë se është shpërdoruar detyra, pasi sipas tyre, nuk kishte rregulla të qartë, e po ashtu, nuk kishte as një prag minimal apo maksimal të pikëve që ata duhej të grumbullonin për t’u kualifikuar.

Nga ana tjetër, Byroja Kombëtare e Hetimit edhe në formë zyrtare këmbëngul se ka pasur kritere të qarta dhe transparencë, madje ky proces është monitoruar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që po ndjekin të gjitha hapat e garës për hetues në BKH.

Pas këtyre dy padive, dje ka reaguar Prokuroria e Posaçme, përmes një njoftimi në faqen zyrtare. Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se Byroja Kombëtare e Hetimit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj popullit shqiptar, duhet t’iu përmbahet standardeve më të larta.

“Me këtë qëllim, kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish. Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një komisioni ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë. Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Ndërsa shtohet se ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej komisionit ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here