Zani Çaushi drejt lirisë me kusht/ Çfarë ndodhi në gjyq? Avokati: Pas rillogaritjes së viteve të dënimit hapet rruga për…

0
287

KORÇË/ Gjykata e Korçës ka zhvilluar dje seancën gjyqësore ndaj Myrteza Çaushit, i njohur si kreu i bandës së Vlorës.

Gjykata i ka kërkuar institucionit të vuajtjes së dënimit Drenovë, të gjitha aktet e dosjes së vuajtjes së dënimit që ka kryer Zani Çaushi. Seancën e radhës pritet që të behët përllogaritja e saktë e viteve të dënimit që ka kryer 51-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime të ndodhura gjatë vitit 1997 në Vlorë. Ndërkohë, pas seancës, avokati Arben Lena është shprehur se pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor është mundësia e përfitimit të lirimit me kusht për Zani Çaushin. Seancën e radhësh tha avokati, gjykata duhet të aprovojë që Zani Çaushi ka kryer 31 vite e 3 muaj burg. “Ka një handikap në llogaritjen e kohës së dënimit, pasi kemi dy vendime dhe duke pasur parasysh përcaktimin ligjor. Ne kemi bërë llogaritjet tona dhe i jemi drejtuar gjykatës me kërkesë për të pasqyruar saktë kohën e vuajtjes së dënimit”, ka thënë avokati.

Myrteza Çaushi është i dënuar me burgim të përjetshëm. Ai ishte kreu i një prej bandave famëkeqe në qytetin e Vlorës, gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë vit, i lartpërmenduri gjendej i burgosur në shtëpinë e rehabilitimit me sigurim të cilësisë së lartë, ku arriti të arratisej gjatë një revolte që kishte shpërthyer në burg. Çaushi ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje, por duket se arratisja nga burgjet greke nuk e shpëtoi, pasi sot vuan dënimin me burgim të përjetshëm, në Burgun e Burrelit, ku ai dhe banda e tij akuzohen për krime monstruoze.

BETEJA ME DREJTËSINË

Zani Çaushi, i cili pak ditë më parë përfitoi heqjen e masës disiplinore, tashmë ka nisur një tjetër betejë me Gjykatën e Korçës, pasi pretendon se i janë llogaritur gabim vitet e vuajtjes së dënimit. Përmes këtij procesi gjyqësor, Çaushi kërkon të vërtetojë se ai ka vuajtur 6 vite më tepër dënim nga sa i janë llogaritur, ndërsa pak muaj më parë ai nisi betejën e tij për të fituar lirinë me kusht, kërkesë nga e cila u tërhoq përsëri, pasi sipas pretendimit të tij, i ishin llogaritur gabim vitet e dënimit. Ai u shoqërua ditën e djeshme nën masa të rrepta sigurie në Gjykatën e Korçës.

Ndërkohë, kujtojmë që në muajin prill, komisioni disiplinor në Burgun e Drenovës vendosi një masë disiplinore ndaj Çaushit pas një sherri me tre të burgosur të tjerë. Në muajin maj, ai iu drejtua Gjykatës duke ankimuar këtë masë disiplinore, ndërsa Gjykata e ka mbyllur procesin të enjten e kaluar, duke vendosur shfuqizimin e saj. Pas procesit që nisi të zhvillohej në muajin maj të këtij viti, disa seanca gjyqësore u shtynë si rrjedhojë e mungesës së juristit të Burgut të Drenovës, ndërsa Gjykata pranoi ankimin e “Të fortit të Vlorës”, duke e konsideruar masën ndëshkuese të vendosur ndaj tij në kundërshtim me ligjin.

Përmes këtij vendimi është përmbyllur kështu edhe një prej tri kërkesave të Zani Çaushit, i cili kërkon të përfitojë lirinë me kusht, proces nga i cili u tërhoq. Heqja e masës disiplinore ishte një proces i nisur paralelisht me kërkesën e lirisë me kusht, ndërsa ai po përballet me gjykatën duke kërkuar rillogaritjen e viteve të dënimit të vuajtur.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here