Hajdutët vjedhin 15 milionë lekë në shtëpinë e ish-kreut të Tatimeve, ja detajet si ka ndodhur ngjarja

0
465

Banesa e ish-kreut të Tatimeve në Elbasan ka rënë pre e grabitësve mbrëmjen e datës 31 tetor, ndërsa kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash.

Sipas informacioneve nga uniformat blu, mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Shirgjan, Elbasan, aty ku edhe banon familja e Hyqmet Lleshit. Po ashtu, banesa mësohet se ishte e pajisur me sistem alarmi, por edhe pse sinjali i alarmit ka rënë, kompania që e kishte nën mbikëqyrje objektin nuk ka reaguar në kohë, duke ngjallur kështu dyshime te familja e grabitur.

Familjarët e ish-kreut të Tatimeve kanë pretenduar në Polici se janë grabitur 12.500 paund ose rreth 15 milionë lekë të vjetër.

Për ngjarjen ka reaguar edhe Policia, e cila në një njoftim paraprak bëri të ditur se autorët, ende të paidentifikuar, kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme në paund. Ndërkohë, Policia ka theksuar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur asnjë person në banesë.

Në fshatin Shirgjan, Elbasan, në datën 31.10.2020, gjatë natës, është vjedhur me thyerje banesa e shtetasit A. Ll., 34 vjeç, ku autorët ende të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme në paund. Në momentin që ka ndodhur vjedhja nuk ka pasur asnjë person në banesë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

NGJARJA

Sipas informacioneve të Policisë, autorët e kësaj ngjarjeje dyshohet të kenë qenë më shumë se një person dhe të pajisur me maska. Ka dyshime që autorët ende të paidentifikuar të ishin vënë në dijeni për lëvizjen e pjesëtarëve të familjes Lleshi, ndërsa janë vënë në lëvizje në momentin kur në banesë nuk gjendje askush.

Ata kanë hyrë në ambientet e brendshme të shtëpisë duke thyer xhamin e një dritareje. Në këtë moment dyshohet të ketë rënë edhe sistemi i alarmit, i cili ishte i instaluar në banesë. Por kompania e cila kujdesej për këtë, e ka dhënë njoftimin pak kohë më vonë, kur hajdutët e kishin kryer “punën” e tyre.

Me të ardhur në banesë, familjarët e ish-kreut të Tatimeve, Hyqmet Lleshi, kanë vënë re edhe atë çfarë kishte ndodhur. Menjëherë ata kanë njoftuar Policinë, e cila ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e disa pamjeve filmike. Por burimet thanë se ato pamje nuk do të mjaftojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here