Mosmbajtja e maskës, ja si do të paguhet gjoba. Kamatëvonesa, deri edhe ndërprerje të energjisë për…

0
454

Gati dy javë pas vendimit për mbajtjen e maskës me detyrim edhe në ambientet e jashtme është miratuar edhe udhëzimi për mënyrën se si do të vilet gjoba si edhe penalitetet që do të rëndojnë për të gjithë ata që do të refuzojnë ta paguajnë atë.

Dokumenti që mban firmën e tri ministrive, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, përcakton që brenda 14 ditëve procesverbali duhet të dërgohet pranë OSSHE-së.

“Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake dërgon brenda 14 ditëve procesverbalin e vendosjes së gjobës në Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU) sh. a. / Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP (OSHEE). Ky procesverbal, në çdo rast, duhet të përmbajë minimalisht informacionin në lidhje me emrin, mbiemrin, atësinë, numrin e kartës së identifikimit, si dhe adresën e banimit të individit. FSHU-ja për rastet kur individët kanë kontratë furnizimi energjie do të regjistrojë gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit respektiv. Kur FSHU-ja konstaton se individi nuk ka kontratë furnizimi të energjisë elektrike ose të dhënat e pasqyruara në gjobë nuk janë të plota apo nuk korrespondojnë me të dhënat në sistemin e faturimit të FSHU/OSHEE-së, i kthen procesverbalin e gjobës, sipas rastit, Policisë së Shtetit ose Policisë Bashkiake”, thuhet në udhëzim.

Aty përcaktohet po ashtu se “pagesa jashtë afateve do të shoqërohet me kamatëvonesat përkatëse në përputhje me kontratën e energjisë elektrike të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë”.

Nga ana tjetër, nëse ndokush po mendon që të mos e shlyejë, atëherë duhet të dijë që do të përballet me ndërprerje të energjisë.

Mospagesa e gjobës, si pjesë përbërëse e faturës, do ta klasifikojë individin si debitor ndaj FSHU-së dhe kontrata përkatëse e energjisë elektrike do të dërgohet për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë”.

Pagesat mund të bëhen pranë të gjitha zyrave përkatëse të përcaktuara nga FSHU-ja, pranë Postës Shqiptare dhe pranë çdo institucioni financiar ku paguhet fatura e energjisë elektrike. Prej datës 15 tetor qeveria vendosi maskat me detyrim në çdo ambient publik. Kështu, mbajtja e maskës është e detyrueshme në “çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar.

Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jopublik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit. Edhe gjatë ecjes në rrugë. Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura, si park apo shesh, gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra etj.

Masa e gjobës është 3 mijë lekë, ndërsa për ata që konstatohen për herë të dytë pa maskë, gjobiten 5 mijë lekë. Në harkun e dy javëve mësohet se janë vendosur gjoba për rreth 9500 qytetarë, kryesisht të rinj që kanë dalë në rrugë pa maskë.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here