Rama ngre tonet ndaj Kryemadhit: Edhe virusi i druhet LSI-së, që furnizoi me diploma false dynjanë!

0
71

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, pas akuzave për rindërtimin e shkollës Sami Frashëri dhe për deklaratën e saj se “LSI nuk e zë kurrë koronavirusi”.

Sa i përket akuzave për shkollën, Rama tha se Kryemadhi gënjen dhe se gjithsecili mund të shkojë aty ku po rindërtohet shkolla dhe të këqyrë nga aty se kush thotë të vërtetën e kush jo. Ndërsa për deklaratën e Kryemadhit se LSI nuk e zë virusi, Rama u kthye me ironi duke thënë se ajo po lë të kuptohet se edhe virusi e ka frikë partinë e saj.

Sipas kryeministrit, kjo deklaratën e Kryemadhit bëhet për vota, ndërsa shtoi se ishte pikërisht LSI që furnizoi me patenta njerëz që nuk kishin mbushur moshën, apo që bëri infermierë ata që nuk kishin bërë shkollën fare.

“Është një betejë e përditshme për të mos lejuar që faktet të bëhen si avujt e rakisë presidenciale dhe për fat të keq jetojmë në një kohë ku faktet janë viktimë e rrjeteve sociale, e volumit marramendës të informacionit të paverifikuar, e shpërndarjes së qëllimshme masivisht të shpifjeve dhe gënjeshtrave dhe për fat të keq Monika, Iliri, Saliu janë absolutisht në vendin dhe kohën e duhur, me instrumentet e duhur, që të jetë kjo kohë, për t’u lëshuar në një shfrymë marramendës si kjo që po e dëshmojnë përditë në funksion të fryrjes së njerëzve me shpifje e gënjeshtra. Kjo përpjekje e betejë është jashtëzakonisht e vështirë. Çfarë ti thuash Monikës? Shkolla Sami Frashëri po rindërtohet. Projekti është absolutisht i shkëlqyer falë përfshirjes së në prej arkitektëve më të famshëm italian. Puna aty ka nisur, dokumentet e pronës janë publikuar edhe sot nga kryetari i bashkisë, dhe Monika thotë që shkolla duhet të ndërtohet në Paskuqan. Dmth, kap ca të kapësh, ta hajë kush ta hajë, ashtu siç thotë që shërimin nga Covid duhet ta kërkojmë në kisha e xhami dhe jo te mjekësia. Apo insiston që LSI nuk e zë virusi.

Shpërthimi i kësaj injorance në mjedisin publik përmes zërit të individëve që kanë mandate përfaqësimi si kryetarë partish apo si zëdhënës të një komuniteti të caktuar zgjedhësish është një flamë jashtëzakonisht problematike në kushtet kur në fakt ne duhet të ballafaqohemi me ide, argumente, fakte dhe shifra. Vala dhe intensiteti i gënjeshtrave është aq e madhe, sa nuk di çfarë të verifikosh më parë. Shkolla Sami Frashëri është aty, shkoni dhe këqyrni në vend kush thotë të vërtetën dhe kush gënjen. Është për të ardhur keq. Covid është diçka shumë serioze për të bërë humor, por kur Monika thotë që LSI nuk e zë virusi, ofron faktikisht një tjetër mirësi, nga mirësitë e LSI që ofronte patenta për leje drejtimi të makinave për persona nën moshën e lejuar nga ligji, në këmbim të votës. Apo ofronte vende pune për infermierë që nuk kishin bërë shkollën dhe nuk dallonin gjilpërën nga gozhda. LSI ka furnizuar me diploma fallse një dynja të tillë, nga ato historitë me tallava e tiganë. Tani ofron bashkimin me LSI për të mos u prekur nga Covid, duke lënë të kuptohet se virusi e ka frikë LSI. Edhe virusi i druhet LSI, kur i afrohet. Kjo është ideja. Vetëm Luli nuk e ka kuptuar akoma këtë”, tha Rama.

burimi:lajmifundit.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here