“S’na njoftuat në kohë, kemi paguar qiratë”/ Viti akademik nis me protesta, ja katër kërkesat e studentëve: Nëse mësimi nuk kalon pjesërisht në auditorë…

0
459

BESARTA BASHA/ Dita e parë e vitit të ri akademik nuk i gjeti studentët në auditorë, as në shtëpi, prej nga duhet të ndiqnin mësimin e diktuar online, por në rrugë.

Nga vendndodhje të ndryshme, por me të njëjtën kauzë, dhjetëra të rinj dolën përpara Ministrisë së Arsimit, asaj të Shëndetësisë e Kryeministrisë, për t’i thënë “JO” mësimit në kushte shtëpie.

Kërkesës kryesore për mësim të kombinuar midis orëve në klasë dhe online i janë bashkëngjitur edhe disa me karakter ekonomik si rimbursimi i pagesës së konvikteve e qirave, ofrimin e paketave të internetit pa pagesë dhe pajisjeve të nevojshme për studentët që nuk kanë akses në mësimin elektronik.

Studentët nga rrethet thonë se kjo situatë i ka rënduar së tepërmi financiarisht.

Dhe më e keqja, sipas tyre, është fakti që nuk dihet se sa mund të zgjasë.

“Nuk janë të gjithë studentët tiranas. E kam paguar qiranë dhe tani nuk di se çfarë të bëj. Jam i detyruar të lë shkollën, punën dhe të largohem. S’është çudi që pas një muaji të na thonë përsëri që nuk mund të ktheheni në auditorë”, u shpreh një studente e vitit të dytë që doli dje në protestën përpara Ministrisë së Arsimit.

Ndërsa një tjetër e re në vitin e tretë ankohet për mësimin online, që sipas saj, është krejt joefektiv.

“Vitin e parë ndodhën protestat, të dytin tërmetet dhe tanimë koronavirusi. Çfarë do t’iu mësoj fëmijëve kur të dal mësuese?!”.

Një tjetër grup studentësh iu drejtuan atyre që morën vendimin për kyçjen e universiteteve, vetëm pak ditë përpara se të hapeshin. Me një kërkesë zyrtare drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë ata kërkuan që së paku, praktikat, laboratorët dhe seminaret të mundësohen në auditorë, ndërsa leksionet nëpërmjet platformave online.

Përpara Kryeministrisë, në mënyrë demonstrative hodhën në tokë librat, rroba, valixhe e sende personale që do të përdoreshin në konvikte, por që me vendim të komitetit të ekspertëve do të qëndrojnë të mbyllura. Protesta e së hënës u mbyll me himnin kombëtar teksa studentët lajmëruan të tjera tubime derisa të konfirmohen katër kërkesat e tyre.

MINISTRJA

Teksa të rinjtë ishin mbledhur në sheshin përballë dikasterit që drejton, ministrja Evis Kushi ishte në ceremoninë e hapjes së vitit akademik të forcave të armatosura, prej nga ku kërkoi mirëkuptimin e studentëve për tejkalimin e kësaj situate aspak të zakontë.

“Nuk është aspak e këndshme për mua sot të uroj vitin e ri akademik me auditorë të zbrazura, por kjo është një sakrificë që duhet ta bëjmë të gjithë për të mirën e përbashkët. Janë rrethana të cilat nuk mund t’i shmangim, por vetëm duhet t’i përballojmë me sa më shumë qetësi, vendosmëri dhe kurajo.

Gjej rastin të apeloj për më shumë durim dhe fleksibilitet nga ana e çdo studenti dhe pedagogu. Është shumë e rëndësishme të menaxhojmë situatën aktuale duke ndjekur dhe metodat specifike të secilit universitet, për të cilat jam informuar se janë marrë të gjitha masat për nisje të mbarë të këtij viti akademik”.

Pandemia ka vënë në provë edhe aftësitë përballuese të universiteteve për t’u përshtatur me mësimin online, për të cilin dihet vetëm që ka nisur dje dhe jo se sa mund të zgjasë në kohë.

Nga deklarata, ministrja la të kuptohej se sfida mund të shtrihet përtej një muaji.

“Vendimi i komitetit të ekspertëve që të paktën për muajin e parë mësimi të zhvillohet në distancë nuk është aspak i lehtë, por është i imponuar nga dinamika e pandemisë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e koronavirusit”. Ministria e Arsimit ka bërë një përpjekje për të kthyer së paku për një javë në auditorë vetëm studentët e viteve të para, kërkesë kjo që nuk gjeti miratimin e komitetit të ekspertëve.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here