Hiqet nga kalendari i Kuvendit amnistia fiskale. Ja çfarë kërkojnë deputetët brenda nëntorit/ Zbardhet diskutimi në Konferencën e Kryetarëve

0
515

ARDIT HOXHA/ Në Konferencën e Kryetarëve të zhvilluar dje online ishin të shumta çështjet dhe ligjet që u diskutuan nga kryetarët e komisioneve parlamentare. Ligji për censusin, por edhe amnistia fiskale ishin temat kryesore për të cilat u diskutua dje në mbledhje dhe që vendimet ishin të ndryshme.

Nëse për ligjin e censusit deputetët socialistë kërkuan që ai të kalojë në sallën plenare brenda muajit nëntor, për amnistinë fiskale, që më herët ishte programuar për t’u diskutuar në 26 nëntor, u kërkua që të shtyhej. Kjo kërkesë që erdhi nga kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, u bë për shkak të axhendës tejet të ngjeshur të komisioneve parlamentare në këtë periudhë, që përkon edhe me diskutimin për projektbuxhetin e 2021-shit. Kryeparlamentari Ruçi, ndër të tjera iu tërhoqi vëmendjen deputetëve edhe për respektimin e protokollit anti-COVID, pasi është rritur shumë numri i deputetëve të prekur. Ndërkohë, vlen të theksohet se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 4 nëntor nuk ka pasur diskutime nga asnjë prej përfaqësuesve të opozitës së re.

DISKUTIMI

Gramoz Ruçi: Nga Shërbimet e Kuvendit ka një propozim që problematika e parashikuar për datën 19, duke qenë se edhe komisionet pothuajse i kanë përfunduar çështjet për shqyrtim, të diskutohet në seancën e datës 16, që është edhe buxheti nen për nen. Një çështje të dytë që unë kisha është projektligji “Për censin”, që siç e dini, është një përparësi e përcaktuar nga Këshilli i BE-së. Është parashikuar në datën 26 nëntor. Kërkohet që, komisioni përgjegjës të shpejtojë punën, me qëllim që ky projektligj të jetë gati për seancën e datës 26 nëntor.

Vasilika Hysi: Unë po lexoj përmbajtjen e seancës së datës 12 nëntor, ku janë përfshirë të gjitha ndryshimet që lidhen me paketën e ligjeve me tre të pestat, siç janë Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale dhe një sërë ligjesh të tjera që burojnë nga marrëveshja e 5 qershorit. Meqenëse jam relatore për një pjesë prej tyre, disa prej këtyre ligjeve janë diskutuar, janë miratuar në parim, por jemi në procesin e konsultimit publik për të gjetur dakordësinë ndërmjet institucioneve.

Taulant Balla: Në praktikën dhe në traditën e Kuvendit, përgjatë kohës që diskutohet buxheti, ne nesër e diskutojmë dhe e votojmë në parim, pastaj e diskutojmë dhe e votojmë nen për nen dhe në tërësi në datën 16, për t’u lënë kohën e nevojshme Komisionit të Ekonomisë në radhë të parë, por edhe komisioneve të tjera, nisur edhe nga ajo që tha zonja Hysi, unë do të propozoja që çështjet e parashikuara për seancën e datës 12 të spostohen në seancën pasardhëse të datës 16, me qëllim që të jetë e gjithë koha në dispozicion për të përmbyllur të gjithë diskutimin nen për nen. Pra, për sa u përket seancave të muajit nëntor, propozoj që të kemi seancë në datat 16, 19 dhe 26, që është e planifikuar me të gjitha ligjet, ku nënvizoj ligjin “Për censusin”, për të cilin shpresoj që komisionet t’i përfundojnë diskutimet, që ne të kemi mundësi ta miratojmë.

Milva Ekonomi: Në kalendar është parashikuar që në seancën e datës 26 të rifutet projektligji “Për amnistinë fiskale dhe penale”, por unë besoj se do të na duhet më shumë kohë për ta përfunduar, ndaj propozoj që ky projektligj të mos përfshihet në seancën e datës 26. Ndërkohë, jemi duke u marrë me disa ligje të tjera të rëndësishme, si ai i buxhetit dhe censusit të popullsisë, ndaj do të duhet më tepër kohë për komisionin.

Elisa Spiropali: Faleminderit për përfshirjen në kalendar të ligjit “Për censusin”, por në kërkesat e KKIE-së të Bashkimit Europian është edhe kërkesa e kahershme për ndryshimet në ligjin organik të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që nuk është përfshirë në këtë kalendar. Nga komunikimi që kam me Kuvendin, më thonë që nuk është depozituar, por më informojnë që është depozituar që në kohën kur Bujar Leskaj ishte kryetar i KLSH-së. Ndoshta duhet bërë një verifikim, sepse është një kërkesë e tyre. Pra, këto dy ligje, që janë kërkesa të KKIE-së, kanë mbetur pa kaluar në Kuvend.

Ulsi Manja: Sot (dje) kemi pasur një takim të fundit së bashku me relatorin dhe me përfaqësuesit e Këshillit të Europës dhe kemi dakordësuar dy sugjerime lidhur me ligjin e censusit që do t’i bëjmë për Komisionin e Ekonomisë, por ne e kalojmë sot, kështu që për ne është punë e mbaruar. Ndërsa lidhur me ndryshimet në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, ku do të reflektohet edhe dakordësia që kemi arritur më 5 qershor në lidhje me Kodin Zgjedhor, ka pasur një takim të grupit të punës, pasi në marrëveshjen e 5 qershorit është dakordësuar që, me përjashtim të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, ndryshimet që do të bëhen në ligjet e tjera, do të merren mendimet e institucioneve përkatëse. E thënë më qartë, për ndryshimet në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, është lënë të merret dakordësia e Prokurorisë së Përgjithshme, KLP-së, KLGJ-së dhe Shkollës së Magjistraturës apo edhe të disa institucioneve të tjera.

Gramoz Ruçi: Atëherë, biem dakord që propozimet e bëra nga zonja Hysi, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, të shtyhen, me kismet për në datën 16? Biem dakord që në datën 12 të mos ketë seancë, por të ketë seancë në datat 16, 19 dhe 26? Dakord. Zonja Ekonomi ngriti çështjen që ligji për amnistinë fiskale të mos jetë për datën 26. Hiqet nga axhenda. Problemi që ngriti zonja Spiropali për KLSH-në, duhet të dini zonja Spiropali që ka dy çështje, e para një herë, projektligji është te Komisioni i Ekonomisë, por sipas rregullave, ky projektligj ka ardhur nga vetë institucioni, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Institucioni nuk ka të drejtë të marrë nismën dhe ta shqyrtojë Kuvendi, duhet të vijë ose nga qeveria, ose nga deputetët. Pra, s’ka një projektligj as nga deputetët dhe as nga ekzekutivi. Për censin, sigurisht që Komisioni i Ligjeve e ka sot dhe ne e kemi në datën në datën 26, kemi gjithë kohën e duhur, zoti Manja, që ta shqyrtoni ju edhe ndonjë komision tjetër, kush nuk e ka parë. E rëndësishme është që të bëhet siç duhet dhe të jetë tërësisht i plotë për datën 26, siç është parashikuar në kalendar. Atëherë, biem dakord me kalendarin? Dakord, nuk ka ndonjë kundërshti. Ju lutem, të respektohet koha, pasi do të jetë rigorozisht e përcaktuar 4 orë, siç e kemi dhe jo siç shkoi seanca e kaluar, 6 orë, pasi siç e keni parë dhe jo pak kolegë dhe koleget tona, sot janë me COVID-19.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here