Dy persona të dënuar më parë, ranë në prangat e policisë së Durrësit, në operacionin e koduar “Telekomanda”, ku u godit një rast i trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak jashtë vendit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. P., 47 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”;
B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Magjat, Kuçovë, i dënuar më parë për falsifikim.
“Arrestimi i tyre u bë pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit, ku si rezultat u dokumentua aktiviteti i tyre kriminal i trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak jashtë vendit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare”, njofton Policia.
Në cilësinë e provës materiale shërbimet e Policisë sekuestruan 2 armë zjarri (mitraloz dhe kallashnikov), 822 fishekë, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 2 mjete në pronësi të shtetasve B. H. dhe A. P., si dhe 3 aparate celular, të cilët këta shtetas i kishin në përdorim.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.