Nga drejtësia te zgjedhjet, ja kompetencat që i merr maxhoranca Presidentit

0
1017

ARDIT HOXHA/ 

Siç ishte zotuar në fillimin e kësaj legjislature në shtator, Partia Socialiste prezantoi dje projektligjin për Presidentin. Ligji i hartuar nga maxhoranca socialiste ndërhyn në shumë kompetenca të Kreut të Shtetit.

Duke filluar që nga kompetencat për datën e zgjedhjeve, të emërimi i krerëve të organeve të drejtësisë e deri te procedurat për rastet kur shpërndahet Parlamenti, ligji parashikon një zbehje të fuqisë së Presidentit.

ZGJEDHJET

Në projektligjin e hartuar nga maxhoranca socialiste, sa i përket çështjes së zgjedhjeve, Presidentit i lihet një afat për shpalljen e datës së zgjedhjeve, pasi në të kundërt ajo caktohet nga Kuvendi.

”Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive parlamentare. Data e zgjedhjeve përcaktohet nga Presidenti i Republikës mbështetur në konsensusin e partive pjesëmarrëse në konsultë.Në rast se mungon konsensusi, atëherë Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve, sipas propozimit të partisë apo partive që mbajnë numrin më të madh të mandateve parlamentare.Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve në afatin e përcaktuar nga legjislacioni zgjedhor ose e nxjerr atë në kundërshtim me procedurën sipas këtij neni, atëherë data e zgjedhjeve caktohet nga Kuvendi, sipas propozimit të Kryetarit të tij, me vendim që miratohet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, brenda 10 ditëve nga afati i dekretimit”, thuhet mes të tjerash në nenin 17 të projektligjit.

Edhe për çështjet e mbledhjes së Kuvendit të ri pas zgjedhjeve, Presidentit i jepen 10 ditë kohë e nëse brenda këtij afati nuk thirret Kuvendi i ri, deputetët vetëmblidhen.

“Thirrja e Kuvendit në legjislaturën e re bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Në rast se Presidenti i Republikës nuk thërret Kuvendin në legjislaturën e re, deri ditën e fundit të afatit të parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni, Kuvendi vetëmblidhet në këtë ditë’, shkruhet mes të tjerash në nenin 18.

DREJTËSIA

Ndërkohë një tjetër pikë që ceket në këtë projektligj ka të bëjë edhe me kompetencat e Presidentit në lidhje me ceremoninë e betimit të gjyqtarëve. Presidentit i jep 10 ditë kohë edhe në këtë rast, pasi nëse nuk e organizon ceremoninë, gjyqtarët betohen në Kuvend.

“Në rast se ceremonia e betimit nuk organizohet nga Presidenti i Republikës deri në përfundim të afatit sipas pikës 4 të këtij neni, atëherë betimi kryhet përpara Kuvendit, për të gjithë funksionarët apo gjyqtarët që zgjidhen apo miratohen prej tij, kurse për të tjerët përpara organit propozues”, thuhet në nenin 24 të projektligjit.

SHKARKIMI

Disa nene në projektligj trajtojnë edhe procedurat kur Presidenti mund të lër detyrën si i shkarkuar, ose kur e ka të pamundur nga ana shëndetësore. Në rastet e pamundësisë së ushtrimit të detyrës, në projektligj është parashikuar ngritja e një komisioni me ekspertë shëndetësore që verifikojnë gjendjen e kreut të shtetit dhe mundësinë e tij për të ushtruar detyrën.

“Për deklarimin e pamundësisë së përkohshme apo afatgjatë, Kuvendi ngre komision hetimor me detyrën për të shqyrtuar dhe vërtetuar rrethanat e rastit të pamundësisë. Kur pamundësia konstatohet për motive shëndetësore, atëherë komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të Presidentit të Republikës. Ekspertiza mjekësore duhet të shprehet, përveç diagnozës dhe protokollit të trajtimit mjekësor edhe për prognozën e sëmundjes dhe ndikimin e saj mbi ushtrimin e detyrës. Kur komisioni hetimor konstaton pamundësinë e përkohshme të ushtrimit të detyrës, çështja i kalon për vendimmarrje Kuvendit, i cili vendos me shumicën e votave të të gjithë deputetëve që ushtrimi i përkohshëm i detyrës së Presidentit të Republikës të bëhet nga Kryetari i Kuvendit”, thuhet në nenin 9.

SHPËRNDARJA E PARLAMENTIT

Ndërsa për sa u përket kompetencave të Presidentit për shpërndarjen e Parlamentit, në ligj ajo theksohet se mund të bëhet vetëm kur në dy raunde nuk zgjidhet Kryeministri.

“Shpërndarja e Kuvendit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret në rastet kur Kuvendi nuk arrin të miratojë në dy raunde Kryeministrat e emëruar dhe as të zgjedhë vetë Kryeministër tjetër, si dhe në rastin kur Kryeministri humbet nocionin e besimit dhe i kërkon Presidentit të Republikës që të shpërndajë Kuvendin”, thuhet në nenin 19 të projektligjit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here