PARATË TONA/ Ustallarët e tenderave të bashkisë kërkojnë aplikacion për të “gjetur” lypësit e vegjël që kanë mbushur Tiranën

0
785

Në vitin 2014, kur ishte ministër i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, deklaronte se vetëm në Tiranë ishin 700 fëmijë që punonin apo lypnin. Premtonte se: “Do të ndjekim disa njerëz në gjykatë, sepse disa njerëz e kanë kthyer skllavërinë moderne në biznes”. Pas 6 vitesh situata është edhe më e rëndë, sepse varfëria është rritur, por jo ambiciet e Veliajt, që do premton ta ‘zgjidhë’ këtë problem me një tender, edhe pse prej tre vitesh ekziston një ligj që ndalon shfrytëzimin e fëmijëve, kryesisht të komunitetit rom, për të lypur në rrugë si dhe një udhëzim mes ministrive për të ndaluar këtë fenomen tragjik, ndërsa qindra OJF shqiptare, OSBE etj. kanë bërë dhjetra ëorkshope për të mbrojtur fëmijët.

Por atë që nuk është bërë në këto dekada, bashkia e Tiranës kërkon ta ndreqë në mënyrën e vetme të di: të sajojë tendera për të marrë fonde. I tillë është tenderi “Digjitalizimi i procesit të identifikimit dhe raportimit të fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht dhe në situatë rruge”, që është hapur të premten e shkuar dhe do të mbyllet më 16 nëntor, me vlerë 5,800,003.00 lekë.

Sipas neneve 2 dh 3 dhe 4 të ligjit numër 18 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, i vitit 2017, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ndalohet marrja në punë e fëmijës nën moshën 16 vjeç; fëmija mbrohet nga shfrytëzimi ekonomik, si dhe nga kryerja e çdo pune të detyruar brenda familjes së tij, në shkollë, institucione të rehabilitimit dhe dënimit, ose në aktivitete kulturore, artistike, sportive, modelimi ose për qëllime reklamuese, që paraqet rrezik, cenon edukimin, dëmton shëndetin ose zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral ose shoqëror; ndalohet çdo praktikë, nëpërmjet së cilës fëmija detyrohet të kryejë veprime të tërmendura në pikat 2 e 3, të këtij neni, pavarësisht dijenisë ose jo të prindit ose kujdestarit, si dhe pavarësisht faktit nëse është apo jo kundrejt shpërblimit.

Nëse do të zbatohej ligji, prindërit që shfrytëzojnë fëmijët për lypje duhet të ndëshkoheshin penalisht. Në vend të kësaj bashkia e Tiranës i digjitalizon përmes një aplikacioni që do të ketë vlerë për 27 muaj, që do t’u shtohet shpenzimeve që kryhen nga bashkia për pagesën e 8 skuadrave që bashkia thotë se operojnë në terren, me nga 2 punonjës psikosocialë për çdo skuadër, të cilave do t’u jepet nga një tablet ku të këtë të instaluar një sistem identifikimi, referimi dhe raportimi.

Një punë që e bëjnë falas mediat përditë, duke treguar pamjet e dhimshme të dhjetra fëmijëve që lypin pranë semaforëve, nën indiferencën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, OJF-ve, OSBE, apo edhe Delegacionit të BE-së, kaq shumë të merakosur për shëndetin fizik dhe mendor të vogëlushëve që trafikohen në mes të kryeqytetit.

burimi:shekulli.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here