“Millosheviçi s’po nxjerr mësime!”/Ambasadori Zeneli tregon bisedën me Kancelarin Kohl për Kosovën: S’do ta lejojmë të…

0
500

Në librin e tij “Për Gjermaninë, histori diplomatike dhe kujtime” të ambasadorit Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, i kushtohet një kapitull i tërë angazhimit të Gjermanisë në luftën për lirinë e Kosovës në vitet 1998-1999. Në faqet e librit del qartë veprimtaria e ambasadorit shqiptar. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, do të shprehet se “z. Zeneli është ambasadori i shkëlqyer i Shqipërisë, por që ndoshta ka punuar më shumë për çështjen e Kosovës…”

BASHKIM ZENELI

Në fillim të korrikut, në festën kombëtare të SHBA-së, një punonjës i protokollit të MPJ-së më takon dhe më thotë se ministri Kinkel ju kërkon për të biseduar. Shkova menjëherë dhe pasi u përshëndetëm, u tërhoq disi mënjanë nga qendra e sallës dhe shkuam pranë një dritareje të hapur. Me ministrin Kinkel ishte edhe ambasadori Ischinger. Ministri Kinkel më tha që në fillim se më 9 dhe 10 korrik do të vizitonte Tiranën. E vlerësova shumë këtë vizitë të dytë, brenda 4-5 muajve. Me tej vazhdoi se “jemi shumë të shqetësuar për situatën në Kosovë dhe duket se do të kemi edhe ditë më të vështira.

Bisedimet me Millosheviçin nuk po sjellin asnjë rezultat. Edhe z. Ischinger ka qenë në Beograd, edhe z. Hollbruk, por duket se Milosheviçi nuk tërhiqet. Edhe takimi me z. Rugova nuk solli ndonjë gjë. Millosheviçi nuk po i merr aspak seriozisht deklaratat tona për mundësinë edhe të ndërhyrjes së NATO-s”. Kësaj radhe, si kurrë më parë, ministri Kinkel më foli “krejtësisht i çliruar” për UÇK-në. Për mua kjo nuk ishte aspak e papritur. Më 24 qershor, në Junik të Kosovës, ishte zhvilluar një takim i të dërguarit amerikan Riçard Hollbruk me një komandant e disa luftëtarë të UÇK-së. Gazetat gjermane të atyre ditëve kishin publikuar një foto nga ky takim. Bedri Islami më telefonoi dhe me shumë entuziazëm më pati thënë:

“Ky është një qëndrim mbështetës i SHBA-së për UÇK-në. Kjo është garanci, kjo është siguri. Kjo flet shumë për të sotmen e të ardhmen e Kosovës. Po na vriten shokët në luftë dhe UÇK-ja nuk njihej. Tani nuk ka kush thotë se është ekstremiste, terroriste. Tash lufta do të marrë zhvillime të reja, tash nuk ka forcë që na ndal…. Ai djali që ka dalë në fotografi… asht Lum Haxhiu, një patriot dhe luftëtar i madh… Hajt ambasador se veç lajme të mira do të kemi e do të bisedojmë prapë”. Të vazhdoj me bisedën me z.Kinkel: “Ne gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë se UÇK-ja është një forcë që e do populli.

Përfaqësuesit e saj kryesorë duhet të jenë palë edhe në bisedime. Ne duam që edhe z. Rugova të bashkëpunojë me udhëheqësit e UÇK-së dhe udhëheqësit e UÇK-së të bashkëpunojnë me z. Rugova. Qeveria juaj na e ka përshkruar me vërtetësi UÇK-në”. Kjo kishte vërtet shumë rëndësi sepse na bënte të besueshëm, na bënte seriozë, partnerë. Unë, që më 6 shkurt, gjatë fluturimit për në Tiranë me z. Kinkel, i kisha folur për UÇK-në. Tani flitej edhe për përfshirje të UÇK-së në bisedime. Në popull, siç do ta shohim edhe më tej, këto qëndrime, sidomos ai amerikan, do të rrisnin shumë simpatinë dhe besimin për UÇK-në. Nuk do të kalonin shumë ditë dhe do të bëhej i qartë edhe qëndrimi i Gjermanisë për grumbullimin e fondeve dhe destinacionin humanitar të tyre, sidomos për fondin “Vendlindja thërret”.

Zëdhënësi i MPJ-së, pas disa akuzave apo edhe debateve në shtyp se këto fonde shkojnë për UÇK-në, u shpreh se “për ne ka rëndësi që këto fonde nuk grumbullohen me forcë, me detyrim, kështu që ndihma është normale, e pranueshme, sepse përmban aspektin humanitar. Ne nuk dimë që këto para të shkojnë për UÇK-në dhe kësisoj nuk kemi të drejtë të bëjmë asnjë bllokim të llogarive”. Më tej ministri Kinkel më tha se “do të bënte përpjekje për të gjetur një mirëkuptim më të madh në mbledhjen e grupit të kontaktit që do të zhvillohej në Bon pas 2-3 ditësh”.

Sipas z. Kinkel do të bëheshin përpjekje për të “futur një formulim të rëndësishëm: UÇK të ishte palë në bisedimet me Beogradin, në kuadër të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës”. Megjithatë, ai shfaqi dyshime se kjo nuk do të pranohej nga Rusia, e aq më shumë nga Beogradi! Gjatë takimit në këtë pritje të amerikanëve, ambasadori Kornblum më tha se “ne po punojmë për një zgjidhje politike dhe diplomatike, por ne po përgatitemi edhe për ndërhyrje ushtarake. Është shumë e rëndësishme për ne që UÇK-ja është një forcë liridashëse e që ka mbështetje në popull. Qeveria amerikane do ta konsiderojë UÇK-në në të gjitha planet për zgjidhjen e çështjes.

Presidenti amerikan Klinton ato ditë do të paralajmëronte shumë qartë se “SHBA-ja në asnjë rrethanë nuk do të mund të lejonte që të përsëritet në Kosovë ajo që kishte ndodhur në Bosnje”. Ai kishte paralajmëruar edhe prani ushtarake në Ballkan. Nga mesi i qershorit, para takimit të Hollbrukut me luftëtarët e UÇK-së, u dha një sinjal shumë pozitiv: NATO organizon në Shqipëri dhe Maqedoni manovra ushtarake me avionë të kodifikuar si “Determinal Falcon”. Ambasadori Ischinger na pati thënë ato ditë se “me partnerët amerikanë po punojmë për një platformë të re bashkëpunimi me UÇK-në…”. Ndërkohë, nga Bedri Islami mësova se diplomati i lartë amerikan Gelbart (Xhilbert) ishte takuar më Zvicër me drejtues të UÇK-së…

Më 8 korrik ishte zhvilluar në Bon mbledhja e grupit të kontaktit dhe po atë ditë isha nisur për në Tiranë për të pritur vizitën e ministrit Kinkel më 9 dhe 10 korrik. Më 9 korrik paradite, Sokol Bushati, si tepër i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm, më telefonon dhe më kërkon një numër faksi për të dërguar një informacion mbi kërkesat që ministri Kinkel kishte parashtruar në mbledhjen e grupit të kontaktit.

Midis 5 pikave që kishte paraqitur ministri Kinkel, që flisnin për ndalim të menjëhershëm të zjarrit në Kosovë, zbatimin e sanksioneve të vendosura, përpunimin e elementeve bazë për statusin e Kosovës që shkonte drejt një autonomie të zgjeruar, krijimin e një misioni ndërkombëtar në Kosovë dhe paralajmërimin ndaj Millosheviçit edhe për mundësinë e përdorimit të forcës, pra krahas këtyre, kishte shumë rëndësi propozimi gjerman për një koncept rajonal për të dëbuarit nga Kosova.

Takimet e ministrit Kinkel në Tiranë ishin shumë miqësore dhe konstruktive. Ai riafirmoi mbështetjen e plotë për qeverinë shqiptare si në luftën për të kapërcyer vështirësitë e jashtëzakonshme të krijuara nga viti 1997, ashtu edhe për qëndrimet e mbajtura ndaj çështjes së Kosovës. Ai informoi bashkëbiseduesit e lartë shqiptarë edhe për përfundimet e mbledhjes së grupit të kontaktit. Nëse nuk do të ketë zgjidhje paqësore nga Serbia, theksoi ministri Kinkel, atëherë një ndërhyrje ushtarake ishte plotësisht e justifikuar.

Kinkel u ndal edhe në mendimet e shprehura për statusin e ardhshëm të Kosovës, duke u përqendruar rreth konceptit të një autonomie sa më të gjerë. Për këtë ai bisedoi hollësisht me ministrin Milo, që me shumë kujdes ia kundërshtoi.

Presidenti Meidani do të theksonte se “asnjë zgjidhje, qoftë edhe ajo e një republike të tretë, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk do të kënaqte shqiptarët. Konflikti do të ishte përherë i hapur dhe armiqësitë të pandalura. Shqiptarët e Kosovës, do të vazhdonte Meidani, nuk mund të kthehen më mbrapa dhe të pranojnë zgjidhje të ndërmjetme, të pjesshme…”.

Me ministrin Kinkel dhe Milo shkuam edhe në Tropojë, me një helikopter të forcave ushtarake gjermane të stacionuara në Bosnjë. Atje, si edhe në Kukës, Has etj., kishin ardhur mijërat e shqiptarëve të Kosovës. Ministri Kinkel bisedoi shumë përzemërsisht me ta. Ata i flisnin për të vrarë, të plagosur, për shtëpi të rrënuara e të djegura, i flisnin edhe për çfarë kishin lënë në Kosovë. Nuk u qanë, nuk u ankuan, por i kërkuan ministrit Kinkel që edhe Gjermania, edhe Perëndimi, t’i ndalnin dorën gjakatare Millosheviçit. Një burrë i moshuar i tregoi ministrit Kinkel se kishte ardhur në Tropojë me 15 pjesëtarë të familjes, por pas dy ditësh, tre djem të tij ishin kthyer përsëri në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së. Duke i pyetur për kushtet këtu ku kishin ardhur, ministri Kinkel u befasua kur mori përgjigjen se “ne këtu jemi në shtëpinë tonë, në tokën tonë, me vëllezërit tanë. Vetëm kafshata po ndahet më dysh…”.

Ministri Kinkel shkoi edhe në një familje tropojane që kishte strehuar disa shqiptarë nga Kosova. Piu një gotë raki me të zotët e shtëpisë e vëllezërit nga Kosova. Mbeti i mahnitur! Askund nuk kishte parë këtë bujari dhe fisnikëri. Askush nga burrat e Tropojës me të cilët u takua nuk u qa, nuk foli për mungesa, për sakrifica. Disa madje i thanë se djemtë e tyre do të shkonin për të luftuar në Kosovë… Ministri Kinkel i dhuroi spitalit të Tropojës 2 ambulanca, pajisje spitalore, barna dhe ndihma të tjera.

Kjo ishte një vizitë që ndikoi në mënyrë të jashtëzakonshme për të parë se çfarë po ndodhte. Një grua i pat thënë: kemi dëgjuar se doni me kthy djemtë e Kosovës nga Gjermania që janë pa letra. Mos e bëni këtë punë! A po shihni se çfarë po bën Millosheviçi me shqiptarët… kur të mbarojë lufta e të çlirohet Kosova, ata do të kthehen vetë, por kurrë nën Serbi..

Në Gjermani jetonin afro 400 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në janar të vitit 1996 ishte nënshkruar me Jugosllavinë një marrëveshje ripranimi.

Jehona e vizitës ishte e jashtëzakonshme. Fotografitë e ministrit Kinkel me shqiptarët e Kosovës në Tropojë ishin të mëdha dhe në faqet e para të gazetave.

Mësova më vonë se ministri Kinkel i kishte raportuar me imtësi dhe me impresione të veçanta Kancelarit Kohl. U vura në dijeni pas 10 ditësh se qeveria gjermane akordoi një fond shtesë prej 40 milionë DM për Shqipërinë dhe fondacioneve gjermane humanitare u akordoi gjithashtu 8.5 milionë DM për ushqime, veshmbathje, barna, infrastrukturë për ngritjen e kampeve etj., ndihma që një vit më pas, më 1999-ën, do të rriteshin më shumë. Pak kohë pas kthimit nga Tirana, pata nderin dhe kënaqësinë të bisedoj gjatë me Kancelarin Kohl, në një veprimtari në kuadër të fushatës zgjedhore. Ministri Kinkel, i pranishëm në atë veprimtari, më falënderoi me shumë mirënjohje për pritjen që i ishte bërë në Shqipëri, sidomos në takimin në Tropojë me të ardhurit nga Kosova. Ai më tha edhe “hajde të takojmë Kancelarin Federal, unë i kam folur hollësisht”.

“Shumë mirë që ju takoj z. ambasador – m’u drejtua Kancelari Kohl. Ministri Kinkel më ka folur shumë për vizitën e tij në Shqipëri. Ne mbështesim fuqishëm qeverinë shqiptare. Ne do t’ju ndihmojmë të kapërceni vështirësitë. Unë kam biseduar me disa ministra, ne jemi në anën tuaj! Ne do t’ju ndihmojmë edhe për të përballuar problemet me të ardhurit nga Kosova, apo jo z. ministër Kinkel. Ne do të bisedojmë edhe me partnerët tanë për t’ju ndihmuar më tej. Të gjithë duhet të kontribuojnë në këtë moment shumë të vështirë. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësi…”.

Lidhur me zhvillimet në Kosovë, Kancelari në esencë më tha se “ne jemi shumë të shqetësuar për gjendjen në Kosovë. Atje ka një situatë të tmerrshme humanitare dhe po shkelen shumë rëndë të drejtat dhe liritë themelore te shqiptarëve”. “Kjo është pak të thuhet, zoti Kancelar, – e ndërpreva me kujdes, – atje po vihen në zbatim plane kriminale për dëbim të shqiptarëve dhe spastrim etnik”. “Po, po, kështu është, – vazhdoi Kancelari Kohl – Millosheviçi nuk po nxjerr mësime dhe nuk po dëgjon komunitetin ndërkombëtar… Ne nuk do ta lejojmë atë të bëjë në Kosovë atë që bëri në Bosnje… Ne po punojmë për zgjidhje politike dhe kjo do të ishte rruga më e mirë për të gjithë, por ne nuk përjashtojmë edhe veprimet ushtarake, në kuadër të NATO-s… Natyrisht, ky do të ishte edhe fundi i Millosheviçit”. Ndihesha i lehtësuar për mbështetjen e gjithanshme që Gjermania po i jepte Shqipërisë, por edhe për çfarë po bënte përditë e më shumë për çështjen e Kosovës.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here