“Na qëlluan nga një makinë e parkuar”/ Durim Bami rrëfen si ndodhi atentati në Tapizë: Nuk arritëm t’i identifikonim autorët, manovrova makinën pasi…

0
516

LEONIDHA MUSAJ/ Durim Bami dhe kushëriri i tij, Ervin Kodra, i shpëtuan mrekullisht atentatit të katër nëntorit falë manovrimit të shpejtë që Bami bëri me makinën e tij tip “Range Rover”.

Mbi automjetin e Durim Bamit u derdhën të paktën 13 plumba kallashnikovi. I plagosur nga ky atentat mbeti shtetasi Ervin Kodra, i cili ka marrë një plumb në pjesën e krahut. Ndërkohë, Durim Bami, i cili pas atentatit u largua nga vendi i ngjarjes, është paraqitur në Polici për të dhënë versionin e tij në lidhje me atentatin që i bënë teksa ndodhej duke udhëtuar nga fshati Qerekë, që ndodhet afër Rinasit, drejt Fushë-Krujës. Ai ndodhej me kushëririn e tij, ndërsa atentatorët i prisnin në afërsi të vendit të njohur si “Ura e Tapizës”. Policia ka siguruar të dyja dëshmitë e kushërinjve që u përfshinë në ngjarje, ndërsa kanë dalë në konkluzionin se shënjestra e atentatit ishte Durim Bami. Si Durim Bami, ashtu edhe kushëriri Ervin Kodra, nuk kanë dhënë detaje të rëndësishme që do të ndihmonin Policinë për identifikimin e autorëve veç dinamikës së ngjarjes, duke deklaruar se në mjetin që i sulmoi ishin tre persona të veshur me rroba policie.

PARAQITJA NË POLICI

Pak ditë pas atentatit Durim Bami është vetëparaqitur në Polici për të dhënë versionin e tij rreth atentatit të 4 nëntorit, ku mbeti i plagosur kushëriri i tij, Ervin Kodra. Bami ka pohuar se u sulmuan papritur teksa ishin duke u kthyer nga një drekë që kishin konsumuar me Ervin Kodrën në fshatin Qerekë, i cili ndodhet afër Aeroportit të Rinasit. “Ishim për një drekë në një lokal në fshatin Qerekë. Pasi përfunduam drekën, u nisën për në Fushë-Krujë. Në afërsi të Urës së Tapizës na qëlluan me armë zjarri. Breshëria erdhi nga një makinë që ndodhej e parkuar në anë të rrugës. Nuk arritëm t’i identifikonim personat që ndodheshin në makinë, pasi tentuam të shmangeshim. Manovrova makinën, pasi një plumb preku Ervinin, por fatmirësisht pa pasoja të rënda. Nuk arritëm t’i identifikonim dhe nuk kam asnjë ide kush mund të kenë qenë. Nuk kam ndonjë konflikt të hapur me njeri”, mësohet të jetë shprehur Bami.

PRITA

Nisur nga mënyra dhe dinamika e ngjarjes, Policia dyshon se autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim Durim Bamin, duke ditur të gjitha lëvizjet e tij. “Ne dyshojmë se autorët e kanë mbajtur në vëzhgim Durim Bamin dhe kanë gjetur momentin e përshtatshëm për t’i ngritur pritë, në një moment që vigjilenca e tij kishte rënë. Dyshohet se në makinën tip ‘Golf 5’ ndodheshin tre persona dhe personi që ndodhej në sediljen e pasme ka hapur zjarr në drejtim të makinës së Durim Bamit.

Por ne mendojmë se në këtë atentat të ‘dështuar’ kanë marrë pjesë më shumë se tre persona, pasi dyshohet që ata të jenë lajmëruar nga një person tjetër për mbërritjen e Durim Bamit. Atentati ishte mirorganizuar, por dështoi falë manovrimit të Durim Bamit, i cili ka manovruar me shpejtësi makinën, duke hyrë në anën tjetër të rrugës dhe më pas të përplaset në murin rrethues të një biznesi që merret me tregtimin e mermerit. Makina me targa italiane ‘Range-Rover’, që drejtohej nga Durim Bami, është qëlluar me breshëri automatiku plot 13 herë. 6 predha kanë prekur pjesë ballore të automjetit”, thanë burime nga grupi i hetimit.

Të njëjtat burime thanë për gazetën se po punohet me intensitet të lartë dhe në këtë ngjarje janë përfshirë për ta hetuar ekspertët më të mirë të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Por krahas hetimeve intensive, Policia nuk ka ende asnjë rezultat konkret në drejtim të identifikimit të autorëve apo edhe motivit të atentatit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here