Reforma në Drejtësi në “hall”/ KLP e BKH debat për shoferët dhe buxhetin. Zbardhet diskutimi në Komisionin e Ligjeve

0
485

ARDIT HOXHA / Kur kanë kaluar më shumë se 4 vite nga fillimi zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe nga institucionet e reja të ngritura priten rezultatet e para në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta, drejtuesit e këtyre institucioneve duken të jenë fokusuar diku tjetër. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, ku të pranishëm ishin drejtuesit e disa institucioneve të pavarura për të diskutuar për buxhetin e vitit të ardhshëm, pati disa diskutime mes tyre dhe relatorit të buxhetit në këtë komision, Bashkim Fino, ku nuk munguan edhe disa “kërkesa ekstra”.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, në fjalën e tij para Komisionit shtroi dy shqetësime. Ai kërkoi një rritje të numrit të punonjësve, duke thënë se 4 nga 11 anëtarët e KLP-së nuk kanë shoferë, siç kanë të gjithë anëtarët e KLGJ-së, gjithashtu kërkoi një rritje të buxhetit për të paguar dritat, ujin dhe pastrimin e zyrave.

Përballë këtyre kërkesave, Bashkim Fino u pozicionua kundër, duke sjellë në vëmendje situatën e krijuar nga pandemia, por edhe mosshfrytëzimin me eficencë të buxhetit të vitit 2020 nga KLP-ja. Por zgjidhjen më “origjinale” e dha kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili duke theksuar vështirësitë që ka shkaktuar pandemia, tha se zgjidhja më e mirë për të mos pasur pabarazi mes anëtarëve të KLP-së dhe KLGJ-së do të ishte që nga kjo e fundit të hiqen 4 shoferë, kështu të dyja këto organe do të ishin barabartë me nga 7 shoferë. Pas tyre, në komision raportuan edhe drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja dhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajna.

Kjo e fundit kërkoi që të bëhet një ndarje e buxhetit që i takon institucionit që ajo drejton dhe të ketë më shumë pavarësi në këtë drejtim. Por kërkesa e Hajnës hasi në kundërshtimin e Manjës dhe Finos, të cilët e konsideruan SPAK-un si një derë të madhe, ku brenda janë edhe Prokuroria e Posaçme, edhe BKHja, bashkë me Policinë Gjyqësore, kështu që nuk ka motiv pse të ndahen buxhetet.

DEBATI NË KOMISION

Gent Ibrahimi: Buxheti është i përshtatshëm me nja dy përjashtime të vogla. Përjashtimi i parë ka të bëjë me parashikimin për shpenzimet korrente, utiltetet, sigurinë, mirëmbajtjen etj. Ministria e Financave na ka alokuar të njëjtën shifër më atë të 2020-ës. Edhe pse duket e arsyeshme, nuk është kështu, pasi KLP-ja është zhvendosur në zyrat e reja në qershor të këtij viti. Kjo do të thotë se në 6 muajt e parë ne kemi qenë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ne nuk kemi kryer asnjë shpenzim për sektorin e dritave, ujit, pastrime etj. Ne duam që për vitin 2021 të na alokoni dyfishin e asaj që kishim për 2020-ën në lidhje me shpenzimet korrente. Pika e dytë ka të bëjë me një kërkesë për shtimin e 6 pozicioneve në strukturën e KLP-së, dhe kjo ka të bëjë me një anomali që është trashëguar. Duke qenë se KLP-ja u bë nga e para, ndryshe nga KLGJ-ja, mbi ne është aplikuar një tavan për raportin midis punonjësve mbështetës dhe punonjësve teknikë. Ky tavan na lejoi ne që të merrnim një numër maksimal prej 7 shoferësh dhe kjo do të thotë se vetëm 7 nga 11 anëtarët e KLP-së e gëzojnë këtë shërbim, në një kohë që të gjithë anëtarët e KLGJ-së dhe ata të Gjykatës së Lartë e gëzojnë këtë shërbim. Pra kjo është një anomali dhe pabarazi mes anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së.

Bashkim Fino: KLP-së i është akorduar një buxhet i kënaqshëm dhe jo thjesht i përshtatshëm. Më lejoni të ndalem në dy elementet që ju thatë. Ju keni pasur 22.1 milionë lekë në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021 e keni të planifikuar në 24.1 milionë lekë, pra rreth 2 milionë lekë më tepër. Ju duhet të paraqisni te ne një informacion detajues. Ne mund të bëjmë një ndryshim, duke hequr nga investimet e planifikuara, dhe për t’i kaluar në ato që ju kërkuat, por pasi të keni sjellë një informacion të detajuar, pasi nuk më shkon mua se sa shkon kontrata e pastrimit. Ndërsa për pikën e dytë, unë jam absolutisht kundër, sepse kemi bërë një diskutim në vitin 2019, kur miratuam strukturën e KLP-së dhe iu dhamë një numër të kënaqshëm. Më lejoni të them edhe një gjë tjetër, që ta dinë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit. Ju sot keni në strukturë 65 vetë, ndërkohë që sipas të dhënave që kemi ne, ju keni në punë vetëm 58 vetë. Pra ju keni edhe 7 vende vakante, dhe në këtë situatë, mua më duket absurde kërkesa juaj në një kohë që jemi në krizë pandemie globale.

Gent Ibrahimi: Dua të bëj disa saktësime. Është e vërtetë ajo që tha z. Fino, që në punë kemi vetëm 57, por nuk ka sens që kjo të përzihet me kërkesën time, pasi ata që mungojnë janë 2 anëtarë të KLP-së që ende nuk janë zgjedhur, mungon këshilltari i etikës, mungojnë edhe dy drejtorë, rekrutimi të cilëve është në fazën finale.

Bashkimi Fino: Në politikën tonë të kësaj maxhorance, në vitin tjetër ne nuk kemi ndër mend të shtojmë asnjë punonjës, aq më tepër në ato të organeve të reja të drejtësisë. Unë nuk e shpika numrin 65, nuk prishet balanca e KLP-së nëse ju nuk keni 4 shoferë, kur shumë deputetë dhe drejtues të lartë nuk kanë shoferë.

Ulsi Manja: Mesa po kuptoj, se nuk jam ekonomist, por jam me ju ku kërkoni trajtim të barabartë me anëtarët e KLGJsë. Ne po përjetojmë situata jo normale me buxhetin edhe për shkak të pandemisë. Ndoshta, për të pasur një farë barazie, ua heqim atyre shoferët dhe i lëmë 7 andej dhe 7 këtej, edhe kështu jemi në rregull. Do të ishte më racionale t’i heqim atje 5 shoferë dhe në vitin 2021 kur të rishohim buxhetin, e shtojmë numrin e shoferëve për të dyja institucionet.

Arben Kraja: Ne kemi kërkuar rritje të numrit të punonjësve, krahasim me vitin e kaluar, me qëllim që ta bëjmë funksionale strukturën, duke qenë se tani është bërë aktive edhe BKH-ja. Shpenzimet operative i kemi kërkuar me rritje dhe na është miratuar.

Aida Hajna: Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të ketë të drejtën për të propozuar buxhetin e saj, veçanërisht në menaxhimin e pavarur të këtij buxheti në përputhje me ligjin. Kjo do të ndihmonte më mirë organizimin e veprimtarisë informative, hetimore dhe bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Dua të them që kjo kërkesë nuk e cenon garancinë e hetuesve për t’iu përgjigjur prokurorisë për veprimtarinë e saj, duke vepruar si një trup i vetëm në disponim të drejtpërdrejtë të prokurorit pa asnjë ndërmjetësim. Unë kërkoj që BKH-ja të jetë një program buxhetor më vete, brenda buxhetit të SPAK-ut. Pra, të jenë dy programe, një për Prokurorinë e Posaçme dhe një për BKH-në. Është e rëndësishme që të përcaktohen qartë zërat e buxhetit për BKH-në. Qëllimi i kësaj është që BKH-ja të jetë sa më e pavarur dhe efektive. BKH-ja duhet të ketë strukturën e saj organizative. Kërkesa ime është që ndarja e buxhetit të BKH-së, brenda buxhetit të SPAK.

Ulsi Manja: Unë nuk e di ku e cenon pavarësinë çështja e ndarjes së administratave, se nuk e konceptoj kështu hetimin unë. Ne duhet t’i rrimë strikt ligjit. Flasim për dy degë të një strukture. Qytetarët shqiptarë do duhet ta dinë se një portë ka SPAK-u, pastaj brenda kur hyn ka dhoma, është BKH-ja është Prokuroria e Posaçme dhe Policia Gjyqësore, që funksionojnë si një entitet i vetëm. Pastaj si do ta mbështesni njëri-tjetrin brenda kësaj strukture? E përcakton sërish ligji. Mos humbni kohë, rekrutoni punonjësit dhe pastaj ndani kush do të punojë në kat të parë apo të dytë.

Arben Kraja: Unë jam shumë dakord me ju dhe nuk besoj që ka nevojë për ta zgjatur më tej dhe shpresoj që ta vazhdojmë bashkëpunimin më tej, siç kemi bërë deri më tani.

Ulsi Manja: Ne sot jemi këtu për të miratuar buxhetin e atij që quhet SPAK. Ndoshta kjo është një çështje që ju mund ta diskutoni me drejtoreshën e DAP-it.

Aida Hajna: Doja t’ju vija në dijeni se ne kemi bërë një konsultim paraprak me Ministrinë e Financave, jemi konsultuar dhe e kemi marrë dakordësinë e tyre, e cila na jep të drejtën për të menaxhuar burimet financiare dhe burimet njerëzore në pavarësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here