Një ditë pasi Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi heqjen e testit të negativizimit, pra ai që vërteton se je shëruar nga koronavirusi, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot se do të jetë mjeku i familjes ai që do të japë një vërtetim në përfundim të periudhës së karantinimit.
“Është përcaktuar nga dje një udhëzim i cili për arsye të ritestimeve, negativizimet, për mjekun e familjes që do të japë vërtetime për qytetarët që e kanë kaluar fazën e karantinimit dhe konsiderohen të shëruar për tu rikthyer në punë.
Do jetë mjeku i familjes që do të relatojë për qytetarin këtë aspekt të problematikës.
Do jetë një vërtetim nga ky mjek familje që ta paraqesin në vendin e punës”.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se për shkelësit e rregullave të reja që do hyjnë në fuqi nga 11 nëntori, do të aplikohen gjobat që janë parashikuar në aktin normativ të datës 15 mars.
“Sa i përket zbatimit të masave që ne kemi shpallur e zbatohen nga nesër do jenë organet kompetente të përcaktuara në aktin normativ që në 15 mars, që do zbatojnë këto masa e do ketë gjoba për të zbatuar qoftë nga strukturat e inspektoriatit shëndetësor, që do jenë aplikues të këtij urdhri dhe nga policia e shtetit.
Patjetër që do jenë në fuqi ato masa që janë të përshkruara në aktin normativ të datës 15 mars”, tha Manastirliu.