VIDEO/ “Jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”- Ish-kreu i Parlamentit, Kadri Veseli flet para Dhomave të Specializuara në Hagë

0
539

Ish-kreu i Parlamentit dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm sot para Dhomave të Specializuara në Hagë, pasi u lexua aktakuza me 10 pika.

Në deklaratën e tij të shkurtër, Veseli tha se shprehet me bindje të plotë për pafajësinë e tij në të gjitha pikat e aktakuzës.

Kadri Veseli: Faleminderit i nderuar gjykatës, i dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës.

Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë dhe jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Seancën mund ta ndiqni të plotë në kanalin e Panorama TV në Youtube.

****
Ish-kreu i Parlamentit, Kadri Veseli para Dhomave të Specializuara në Hagë

Ish-kreu i Parlamentit dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u paraqit sot para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Veseli, i cili u arrestua më 5 nëntor dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë, dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Veselit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor. Veseli, ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 5 nëntor, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe tha se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet publike dhe politike.

Para Dhomave të Specializuara paraqitjen e parë të hënën e ka bërë ish-presidenti Thaçi, i cili është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Njëjtë është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari Krasniqi, i cili e ka quajtur aktakuzën ndaj tij si “padrejtësi të madhe”./REL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here