“Çeta e çakërdisur e opozitaristëve synon të…”- Rama për situatën në spitalet Covid: Asnjë protokoll mjekësor që përdoret sot në Evropë nuk mungon

0
689

Pas publikimit të pamjeve nga brenda spitalit Covid një ditë më parë në Ertv, kryeministri Edi Rama thotë hedh akuza të ashpra ndaj opozitës, duke deklaruar se ajo synon të fusë ankth te qytetarët si e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet.

Duke e konsideruar opozitës një çetë të çakërdisur, kryeministri thotë se synimi i saj është paniku.

Duke premtuar se do të publikojë të tjera pamje “ekskluzive”, Rama shprehet se spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps dhe se ka shtretër të lirë, ndërsa shton se protokollet që përdoren në Evropë nuk mungojnë në spitalet e vendit tonë.

Reagimi i plotë:

Shumë tërbim sot nga çeta e çakërdisur e opozitaristëve pa vizion, pa program, pa ide dhe as din e iman, me daljen para syve tuaj të pamjeve e të dëshmive nga brendia e spitaleve Covid 1 dhe 3!

Duan t’ju fusin ankthin, t’ju kallin tmerrin e t’ju mbushin me panik, për “spitalet në kolaps”, “të sëmurët që dergjen dyshemeve”, “situatën jashtë kontrollit” dhe ëndërrojnë që kështu të ndodhë vërtetë, të sëmureni sa më shumë, të vdesin sa më shumë njerëz, të bëhet qameti fare, sepse kjo është shpresa e tyre e fundit për t’u rikthyer në pushtet…

Por siç e patë dhe siç do ta shihni edhe në pjesët e tjera EKSKLUZIVE me pamje e dëshmi, spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps, shtretërit e lirë nuk mungojnë, pacientët trajtohen me dinjitet, respekt, profesionalizëm, asnjë protokoll mjekësor anti-Covid që përdoret sot në Evropë nuk mungon dhe shifrat e tregojnë qartë, që niveli i infektimeve e i humbjeve të jetëve s’është aspak ndryshe nga askund në Evropë, ashtu sikundër tregojnë se niveli i shërueshmërisë në spitalet tona është i lartë, si kudo, pavarësisht fataliteteve që njësoj si në të gjithë botën fatkeqësisht nuk mungojnë.

KINI BESIM, BËNI DURIM, JINI TË KUJDESSHËM PËR VETEN E TË DASHURIT TUAJ, RESPEKTONI RREGULLAT, MOS BINI PRE E LAJMEVE TË RREME, FABRIKIMEVE POLITIKO – MEDIATIKE DHE TEORIVE TË KONSPIRACIONIT!

KEMI PËRPARA EDHE DISA MUAJ TË VËSHTIRË, POR DO T’IA DALIM EDHE KËSAJ LUFTE TË EGËR DHE DO TË DALIM MË TË FORTË NGA KY STËRMUNDIM I MADH!

#MbajMaskën

#RuajDistancat

#BëjDurim

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here