‘Më ra nga dora’/ Ajo nuk kujton asgjë për ngjarjen, gruaja e dënuar për vrasjen e foshnjës del në gjyq. Ç’zbulon avokati i saj

0
727

Gjykata e Korçës ka lënë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” 46-vjeçaren Irena Zeria, e cila u arrestua për shkak se është dënuar në shtetin grek për vrasjen e vajzës së saj 9-muajshe.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 1995 ndërsa gruaja u arratis nga spitali psikiatrik në vitin 1997. Gjykata ka vendosur të lërë në arrest shtëpie gruan 46-vjeçare për shkak të gjendjes së saj mendore, pasi ajo është diagnostikuar me çrregullim bipolar psikotiok, një diagnozë për të cilën trajtohet edhe me pagë invaliditeti.

Ajo u dënua nga gjykata greke me 20 vite burg për vrasje me paramendim, vendim i cili është dhënë në vitin 2005, 8 vite pas arratisjes së saj nga spitali në Greqi, ndërsa para gjykatës gruaja në gjendje të rënduar mendore ka deklaruar se ajo nuk mbante mend asnjë nga të dyja ngjarjet.

”S’mbaj mend asgjë, s’kam vrarë fëmijë, mua fëmija më ra nga dora. Edhe nga spitali nuk e di si kam dalë”, është shprehur ajo.

Pasi është dënuar në mungesë në vitin 2005, shteti grek i ka kërkuar ministrisë sonë ekstradimin e saj, por kjo e fundit e ka refuzuar. Shkak i refuzimit është bërë pikërisht fakti se Shqipëria nuk mund të bëjë ekstradimin në kushtet kur gjykimi dhe dënimi ndaj Irena Zerias është bërë në mungesë, ndërsa më pas shteti grek ka kërkuar njohjen e vendimit të Gjykatës së Lamias, kërkesë e cila është pranuar, çka ka bërë që të hapet rruga për letër-porosinë.

AVOKATI

Por nga ana e tij, avokati mbrojtës i nënës së dy fëmijëve Nevzat Tarelli, ka theksuar se procesi në shtetin grek ka qenë i parregullt.

”Procesi është i parregullt. Gjykata greke nuk ka vërtetuar përgjegjshmërinë e saj në momentin kur ka ndodhur ngjarja, gjithmonë në rastin se është ajo autorja. Gjykata greke ka kërkuar edhe ekstradimin e saj. Këto elemente janë evidentuar dhe janë marrë nga Gjykata e Korçës në konsideratë. Jemi para një procesi kur ajo nuk mund të ketë përgjegjësi penale. Ngjarja përkon me vitin 1995. Procesi ka përfunduar në Greqi në vitin 2005. Ka një kërkesë për njohjen e vendimit të gjykatës së huaj, së cilës i është hapur rruga nga Ministria jonë e Drejtësisë. Ajo nuk kujton asgjë për ngjarjen. Nuk kujton as se si është larguar nga spitali në Greqi në vitin 1997. Ka shkuar dy herë në Greqi përmes Kapshticës dhe nuk ka hasur probleme, çka e bën të dyshimtë procesin. Diagnoza e saj është përcaktuar pikërisht në shtetin grek, nga ana tjetër nuk është respektuar procedura e njoftimit të saj pikërisht nga shteti grek”, është shprehur avokati.

ARRESTIMI

Burimet zyrtare nga Policia bënë të ditur tri ditë më parë se shtetasja Irena Zeria është dënuar me 20 vite burg në Greqi, pasi 25 vite më parë ka mbytur foshnjën e saj 9-muajshe. Që prej asaj kohe, 46-vjeçarja ishte arratisur nga burgu grek për t’u zhvendosur në fshatin e saj të lindjes në Korçë, në Miras.

Ajo ishte shpallur në kërkim nga Interpoli për vrasjen e vajzës së saj. Ngjarja ishte regjistruar në shtetin grek, ku Irena Zeria, më datë 28.08.1995, në Diles, Greqi, ku edhe jetonte me bashkëshortin, ka mbytur me duart e saj vajzën 9-muajshe. Pasi u arrestua po në shtetin grek, në vitin 1997 ajo u arratis nga Qendra e Paraburgimit të Femrave në Koridalo, ku ka qenë me masë sigurie “Arrest në burg”.

Pasi arriti të arratisej, gruaja u kthye në fshatin Miras ku ajo jetonte para se të emigronte në Greqi duke vazhduar normalisht jetën, ndërsa bashkëshorti i saj vazhdoi të punonte në shtetin grek. Pavarësisht ngjarjes së rëndë, çifti solli në jetë edhe dy fëmijë të tjerë, të cilët tashmë janë të rritur. Djali i familjes, që mësohet se është student në Korçë, dhe vajza studente në Tiranë, u rritën nga nëna e tyre, e cila merrej kryesisht me punë fshati, ndërsa babai punonte në Greqi dhe shpesh vinte t’i vizitonte.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here