750 miliardë euro për ringritjen ekonomike, Polonia dhe Hungaria bllokojnë buxhetin e BE. Ja çfarë thotë Konisioneri Hahn

0
388

Hungaria dhe Polonia kanë bllokuar miratimin e buxhetit afatgjatë të Bashkimit Evropian, për shkak të një mekanizmi të ri, që do të lidhte financimin me sundimin e ligjit.

BE

Paketa financiare përfshin 750 miliardë euro për ringritjen ekonomike, pas rënies që pësoi si pasojë e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare që u takuan në Bruksel nuk ishin në gjendje të miratonin buxhetin sepse të dy vendet vunë veton e tij. Hungaria dhe Polonia janë kritikuar për shkeljen e standardeve demokratike të parashikuara në traktatin themelues të BE, shkruan BBC.

BE aktualisht po heton të dy vendet për minimin e pavarësisë së gjykatave, mediave dhe organizatave joqeveritare. Klauzola kërcënon t’u kushtojë atyre miliarda euro në fondet e BE-së.

Ne nuk mund ta mbështesim planin në formën e tij aktuale për të lidhur kriteret e sundimit të ligjit me vendimet e buxhetit,” tha Zoltan Kovacs, një zëdhënës i Kryeministrit Hungarez Viktor Orban.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki kërcënoi me veto javën e kaluar.

Të hënën, Ministri polak i Drejtësisë Zbigniew Ziobro tha se çështja e sundimit të ligjit ishte “vetëm një pretekst”.

Është me të vërtetë një skllavëri institucionale, politike, një kufizim radikal i sovranitetit,” tha ai.

Por Kancelari austriak Sebastian Kurz, duke folur në një konferencë menjëherë pasi u bllokua buxheti, tha se “mbështetja e parimeve të sundimit të ligjit është një domosdoshmëri absolute” sepse shumat që u shpërndaheshin nga BE për vendet anëtare ishin kaq të mëdha.

Në një deklaratë, Johannes Hahn, Komisioneri i BE për buxhetin dhe administratën tha se ai ishte “i zhgënjyer” nga vetoja.

Ai u kërkoi vendeve anëtare të “marrin përsipër përgjegjësinë politike dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të finalizuar të gjithë paketën”.

Kjo nuk ka të bëjë me ideologji por me ndihmë për qytetarët tanë në krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore,” shtoi ai.

Ngecja do të debatohet nga ministrat e çështjeve evropiane të BE të martën dhe nga udhëheqësit e BE në një video-konferencë të enjten. Sidoqoftë, zyrtarët thonë se një zgjidhje mund të kërkojë më shumë kohë.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here