“Kam probleme shëndetësore”/ Çfarë tha pas arrestimit autori i dyshuar i vrasjes së 52-vjeçarit. Ja pista ku po heton policia

0
308

MAJLINDA RAMA/ Policia e Fierit ka arrestuar njëzet ditë pas ngjarjes autorin e dyshuar të vrasjes së shtetasit Ahmet Toska.

Në pranga është vënë shtetasi Fatmir Hoxhaj, i cili dyshohet se ka kryer ekzekutimin e datës 26 tetor në lagjen “Sheq i Madh”, në Fier, në orët e para të mëngjesit. Burimet pranë organit të hetimit bënë të ditur se shkak i ekzekutimit të Toskës mund të jetë bërë gruaja me të cilën bashkëjetonte prej vitesh Fatmir Hoxhaj. Mësohet se gruaja me të cilën ky i fundit bashkëjeton, ka qenë më herë edhe gruaja e Ahmet Toskës (bashkëjetuesja). 52-vjeçari Ahmet Toska dhe ajo ishin ndarë disa vite më parë dhe pas ndarjes edhe Toska edhe ish-gruaja e tij kishin ndërtuar jetë të re me partnerë të tjerë.

XHELOZIA

Por problemet e xhelozisë duket se kanë qenë pika kyçe që çuan në këtë akt fatal. Shtetasi Fatmir Hoxhaj, edhe pse jetonte në të njëjtën banesë me bashkëshorten e tij, nuk kishte rënë në qetësi për asnjë çast. Ai kishte nisur të dyshonte se gruaja dhe ish-bashkëshorti i saj takoheshin në fshehtësi dhe në këtë formë ruanin lidhjet e tyre të vjetra. “Kanë dashur të njëjtën grua. Besohet se Hoxhaj kishte ngritur dyshime se lidhja intime mes Ahmet Toskës dhe bashkëjetueses së tij, vijonte në fshehtësi, gjë e cila ka sjellë disa konflikte, duke çuar deri në vrasjen me një plumb në kokë të Ahmet Toskës”, thanë burimet pranë Policisë së Fierit.

AUTORI

Ndërkohë, vetë autori i dyshuar, Fatmir Hoxhaj, i pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore në asnjë çast nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Gjatë marrjes në pyetje në Polici, Hoxhaj ka pohuar se kohët e fundit nuk ka qenë mirë nga ana mendore duke shfaqur edhe ngarkesë psikologjike dhe depresive edhe gjatë marrjes në pyetje.

Ai u tha hetuesve se nuk ka pasur arsye të bënte këtë vrasje pasi nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet që ngrihen për të. Madje ka thënë se nuk e njihte fare viktimën. Të njëjtën gjë kanë pohuar edhe familjarët e viktimës. Edhe ata kanë deklaruar se nuk e njihnin fare autorin e dyshuar, as e kishin parë dhe as kishin dëgjuar që familjari i tyre dhe ai të kishin pasur ndonjëherë debate.

Të njëjtën gjë ka pohuar edhe gruaja aktuale e viktimës, e cila thotë se nuk ka pasur dijeni për diçka të tillë. Por pavarësisht pretendimeve të të dyja palëve, organi i akuzës ka nxjerrë urdhër-arrestin për veprën penale të “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”. Pritet që ditën e hënë Fatmir Hoxhaj të dalë para gjykatës së Fierit për t’u njohur edhe me masën e vlerësimit të arrestit.

NGJARJA

Ekzekutimi i shtetasit Ahmet Toska ndodhi tri javë më parë, kur ai po shoqëronte bashkëshorten e tij për në punë. Vetë kjo e fundit, si dëshmitare okulare e ngjarjes, tha për Policinë se autori ishte një person i maskuar, i cili i është afruar 52-vjeçarit dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë dhe dy herë në trup. Fillimisht u hodhën dyshime se Toska mund të ishte vrarë për hakmarrje, pasi daja i tij kishte kryer një vrasje para disa vitesh, ndërsa pista tjetër e hetimit ishte për pronat brenda familjes. Por me arrestimin e Hoxhës duket se janë rrëzuar të dyja pistat dhe i vetmi dyshim i ngritur është ai i vrasjes për motive të dobëta. Burimet e hetimit tregojnë se banesa e autorit është e braktisur dhe dera e mbyllur, pasi autori jeton prej vitesh në Itali me familjen. Burimet thanë se ai ka ardhur këto kohë në vendin e tonë dhe nuk ka mundur dot të largohet përsëri.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here