Kamionët me para nga Italia/ Dëshmia e shoferit: Nuk e di kush i ka! Unë jam nisur për të punuar dhe jo për…

0
589

LEONIDHA MUSAJ /Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Ferdinant Murikaj, 29-vjeçari që u arrestua tri ditë më parë, pasi në kamionin që ai drejtonte u zbuluan afro 300 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare të Durrësit.

Ferdinand Murikaj u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për konsumim të veprave penale të “Mosdeklarimit të të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Ndonëse Murikaj nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij, gjyqtarja e çështjes e vlerësoi të ligjshëm arrestin e tij dhe vendosi caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg”. Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 29-vjeçarit u krye me dyer të mbyllura, për shkak të situatës së pandemisë, e cila ka prekur edhe sistemin gjyqësor në Durrës dhe për këtë arsye, prej dy javësh kryhen vetëm masat e sigurisë dhe ndonjë seancë për çështje emergjente.

MOHIMI

Ferdinand Murikaj, 29 vjeç, nga Lezha, i cili ishte punësuar si shofer në kompaninë e transportit me pronar Erjon Jovain (i shpallur në kërkim) ka mbajtur të njëjtin version edhe para togave të zeza, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni për sasinë e eurove të gjetura në kamion. Përveç gjeneraliteteve, 29-vjeçari nuk ka pranuar të flasë në gjykatë, duke theksuar shkurt se i qëndronte së njëjtës deklaratë të dhënë në momentin e arrestimit para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Në deklaratën e parë para oficerëve të Policisë, 29- vjeçari ka mohuar të ketë pasur dijeni për sasinë e valutës që ndodhej në kamion. “Unë jam thjesht shofer. Nuk kam dijeni për eurot e gjetura në kamion. Jam nisur për të punuar dhe jo për t’u marrë me punë të pista. Shpresoj që hetimet të nxjerrin fajtorët e vërtetë në këtë ngjarje”, ka deklaruar ndër të tjera Murikaj.

PRONARI I KOMPANISË

Dëshmia e Erjon Jovanit pritet të hedhë edhe më shumë dritë mbi hetimet që po kryen Prokuroria e qytetit bregdetar. Jovani ka qenë i proceduar penalisht për trafik narkotikësh, pasi në vitin 2016 ka tentuar të trafikojë me kamion në Itali rreth 190 kg kanabis. Të premten, Policia procedoi në gjendje të lirë edhe shoferin e kamionit të dytë të firmës së Jovanit, Aldo Likën nga Lushnja, pasi në çantën personale iu gjetën 11 mijë e 765 euro. Nga hetimet paraprake dyshohet se paratë e sekuestruara vinin nga Veriu i Italisë dhe janë produkt i veprimtarisë kriminale të grupeve që merren me trafikun dhe shpërndarjen e narkotikëve dhe do të pastroheshin në vendin tonë, duke u investuar në aktivitete të ndryshme. Paratë që dyshohet të kenë ardhur nga Veriu i Italisë, ishin të vendosura në pako me kodet “Bologna 50” dhe “Bergamo 75”. Për këtë gjë, Policia shqiptare po bashkëpunon me autoritetet italiane për të hedhur dritë se kujt i përket vlera e rreth 300 mijë eurove të bllokuara në port.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here