Dëmet katastrofike nga tërmeti/ Nga qindra procedime penale, vetëm një çështje është dërguar për gjykim pas një viti

0
786

Të premten e kaluar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës njoftoi dërgimin për gjykim të çështjes penale numër 2466, ku 16 të pandehur akuzohen për vepra penale që luhaten nga falsifikimi dhe shpërdorimi i detyrës e deri tek vrasja nga pakujdesia, pasi dyshohet se si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të tyre gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, janë shembur shtatë ndërtesa dhe kanë humbur jetën 23 persona.

“Hetimet kanë filluar pasi dyshohej se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekjen e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve, si dhe për shkak të ndërtimeve të kryera pa lejen e organeve kompetente,” tha Prokuroria e Durrësit nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

“Po kështu ka dyshime se këto pasoja kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, si dhe nga moskryerja e detyrës nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin e mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve,” shtoi ajo një javë më parë.

Dosja e dërguar për gjykim është vetëm një nga qindra procedimet penale të regjistruara nga prokuroria e Durrësit, Krujës, Lezhës dhe Tiranës. Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi tregojnë gjithashtu që ajo është gjithashtu dosja e vetme e dërguar për gjykim, ndërsa procedimet e tjera janë akoma në proces hetimi.

Për përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile në Durrës, puna e ngathët e Prokurorisë shpjegohet me faktin se pas dëmeve dhe viktimave qëndron papërgjegjshmëria e struktura shtetërore.

“Kur them qeveria kam qartazi parasysh strukturat shtetërore qendrore apo lokale,” thekson Ferdinand Xhaferri, kryetari i Partisë Demokratike në Durrës.

“Unë e kam thënë që në fillim të tragjedisë së 26 nëntorit se nuk vrau tërmeti, por vrau papërgjegjshmëria, babëzia dhe korrupsioni i strukturave shtetërore,” shtoi ai.

Edhe avokati Ilia Ilia bie dakord, duke theksuar se organi i akuzës e ka kapur hetimin e çështjeve të lidhura me tërmetin ‘nga fundi dhe jo nga koka.’

“Për shkak se kapja nga koka do të thotë që për objektet që janë shembur dhe është dhënë leja e ndërtimit, do të duhej të fillonte që nga miratimi i lejes, pra [nga] Bashkia Durrës dhe të kalohej më pas në supervizorët – të gjithë ata që e kanë ndjekur procesin dhe kanë firmosur aktet,” tha ai.

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, me magnitudë 6.3 të shkallës rihter shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të pastrehë në bashkitë Durrës, Shijak, Krujë, Kurbin, Lezhë dhe Tiranë.

Në përgjigje të një kërkese për informacion të bazuar në ligjin për të drejtë informimi, në 17 shtator Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës i tha BIRN se ka regjistruar 204 procedime penale që lidhen me dëmet dhe pasoja e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Nga shembja e godinave në Durrës gjetën vdekjen 23 persona që mbetën nën rrënojat e 7 pallateve, hoteleve dhe banesave në qytetin bregdetar. Një vit pas ngjarjes tragjike njohësit e ligjit shprehen të pakënaqur me rezultatet e hetimit të vetëm që ka dërguar për gjykim 16 persona.

Koordinatorja për marrëdhënien me publikun e median në Prokurorinë e Durrësit, Borana Gjidiaj i tha BIRN se për këto çështje janë proceduar një numër i konsiderueshëm personash me funksione të ndryshme në organet shtetërore si dhe ndërtues dhe pronarë të objekteve të dëmtuara.

Sipas Gjidiajt, 117 procedime janë regjistruar për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “mashtrimit” për përvetësimin e pasurisë private ose publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme ose duke fshehur fakte të vërteta. Në 169 prej 204 procedimeve të regjistruara, po hetohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Avokati Ilia Ilia thekson se për ndërtesat që janë shembur mbajnë përgjegjësi edhe ndërtuesit por edhe punonjësit e institucioneve vendore të cilët nuk kanë kontrolluar dhe kanë shpërdoruar detyrën, shpesh në bashkëpunim me ndërtuesit.

“Deri më sot prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim të plotë që të marri të pandehur ndonjë nga ndërtuesit apo nga strukturat përkatëse nga bashkia,” theksoi ai.

Në Qarkun Durrës edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë ka regjistruar 11 procedime për objektet e dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Procedimet janë regjistruar për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim i paligjshëm”.

Sipas koordinatorit për të drejtën e informimit të Prokurorisë së Krujës, Zenel Maja, deri më 2 shtator në regjistrin e procedimeve penale nuk është regjistruar asnjë emër si i proceduar për këto vepra penale dhe për të gjitha procedimet ka vazhduar hetimi.

Ndërkohë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar vetëm një procedimin penal si pasojë të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Si pjesë e këtij hetimi më 15 janar, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe drejtues të policisë njoftuan në një konferencë për shtyp ndalimin e 31 personave dhe procedimin e 11 të tjerëve për dëmet e tërmetit, mes të cilëve edhe ish-kryetarë të komunave të Farkës dhe Kasharit.

Megjithatë, një pjesë të këtyre arrestimeve janë cilësuar të paligjshme dhe shumica e të pandehurve janë liruar nga gjykata.  Çështja është akoma nën hetim nga prokuroria.

Edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka regjistruar një çështje hetimore, për të cilën me anë të një përgjigje me 14 shtator u shpreh se është ende nën hetim.

Avokati Ilia thekson se në përvjetorin e tërmetit shkatërrimtar organi i akuzës nuk ka arritur të dënojë asnjë përgjegjës për viktimat dhe dëmet e shkatërruara nga tërmeti.

“Nuk ka asnjë të dënuar deri më sot dhe të gjithë janë të liruar,” tha ai. “Hetimi ishte një kozmetikë dhe nuk ka më procese të tjera, kjo është e pafalshme,” shtoi.

Për Ferdinand Xhaferrin pafuqia e drejtësisë përballë kësaj tragjedie vjen si pasojë e ndikimit të saj nga qeveria.

“Ka kaluar një vit nga tragjedia dhe tashmë është prodhuar evidencë se më shumë se tërmeti qytetarët i kanë dëmtuar dhe ndëshkuar veprimet dhe mosveprimet e drejtësisë dhe qeverisë,” tha ai.

“Sot një vit mbas tragjedisë, megjithëse Bashkimi Europian, SHBA dhe vende të tjera ndihmuan me më shumë se 1 miliard euro nuk është bërë asgjë sepse shqetësimi i vetëm i qeverisë ka qenë si të mos vihen përgjegjësit para përgjegjësisë,” përfundoi Xhaferri. /BIRN/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here