Ekzekutimi i vlonjatit/ Dy persona i zunë pritë 27-vjeçarit! Flasin banorët dhe të afërmit: Dëgjuam të shtënat, por menduam se ishin…

0
515

Në drejtim të Beniamin Bozhanit janë lëshuar plot 22 plumba kallashnikovi dhe pistolete, ndërsa tetë prej tyre e kanë prekur në trup.

Grupi hetimor i ngritur nga Policia e Vlorës ka shkuar në vendin ku u ekzekutua 27-vjeçari, në fshatin Dukat. Beniamin Bozhanit i është bërë pritë momentin kur sapo kishte lënë të fejuarën te prindërit dhe po kthehej në banesën e tij. Fakti që ngjarja ndodhi në mbrëmje dhe vendi ishte i pandriçuar dhe thuajse në errësirë të plotë, Policia e Vlorës shkoi sërish në orët e para të mëngjesit të së mërkurës për të bërë të mundur rindërtimin e skemës së ngjarjes.

Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja pistolete dhe kallashnikovi, ndërsa rikthimi në mëngjes është kryer nga Policia edhe për të gjetur materialet e nevojshme apo ndonjë gjurmë të mundshme që mund të çojë drejt identifikimit të autorëve. Sipas burimeve nga Policia dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët i kanë zënë pritë 27-vjeçarit, ndërsa menjëherë pas atentatit dyshohet të jenë larguar me një automjet, nga vendi i ngjarjes.

Sipas burimeve nga Policia, pas ekspertizës së kryer besohet se atentati ndaj 27-vjeçarit është kryer rreth një orë e 30 minuta para raportimit në Polici nga një banor i zonës, i cili ishte duke kaluar pranë rrugës hyrëse për në fshat kur edhe ka vërejtur makinën dhe trupin e pajetë të të riut në brendësi të mjetit. Burimet nga Policia e qytetit bregdetar bënë të ditur se ngjarja është raportuar rreth orës 21:00 të së martës. Ndërkohë, personi i cili njoftoi Policinë për ngjarjen është shoqëruar në Polici, i cili është pyetur në cilësinë e dëshmitarit. Po ashtu, lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë.

HETIMET

Sipas informacioneve nga Policia e Vlorës, 27-vjeçari Beniamin Bozhani ka qenë i dënuar në Itali për trafik narkotikësh. Fillimisht u deklarua se 27-vjeçari kishte bërë burg në Itali, duke e lidhur me faktin se Bozhani kishte jetuar në shtetin fqinj, por pas informacioneve të tjera ka rezultuar se i riu kishte kryer burg në Itali, ndërsa prej vitesh kishte jetuar në Itali. Në Shqipëri ai ishte rikthyer rreth 8 muaj më parë, ndërsa ishte edhe i fejuar. Pikërisht, fakti që ka kryer burg në Itali për lëndë narkotike është edhe pista kryesore ku po heton Policia e Vlorës për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Dukat të Vlorës. Vështirësia e hetimit të Policisë qëndron në faktin se rruga ku edhe është kryer atentati është pa kamera sigurie dhe pa ndriçim, çka vështirëson punën e grupit hetimor. Gjithsesi nga burime të Policisë, duke parë edhe skenën e krimit, besohet se autorët e kanë njohur mjaft mirë vendin, ku dyshohet se prej kohësh mund të kenë kryer vëzhgimin e vendit se ku do të kryhej atentati.

E AFËRMJA

Ndërkohë, një e afërme e viktimës është shprehur se nuk e prisnin të ndodhte diçka e tillë. “Është ngjarje shumë e rëndë, unë i kam të afërm dhe nuk kanë pasur probleme dhe nuk kam dëgjuar gjë që djali të ketë pasur probleme. Nuk kishte shfaqur ndonjëherë shqetësime, apo diçka të ngjashme, ndaj gjithçka na duket shumë e çuditshme. Është një ngjarje shumë e rëndë. Një familje model si e tyre në fshat t’i ndodhë diçka e tillë, nuk e dimë, shumë e rëndë”, është shprehur ajo.

Banorët: I dëgjuam të shtënat, na u dukën si fishekzjarrë

Ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Dukat ka shokuar banorët e zonës, ndërsa edhe të afërmit flasin se nuk e njohin të riun për problematik. “Dëgjuam zhurma rreth orës 8 të mbrëmjes dhe menduam se ishin fishekzjarrë. Rreth tri herë apo katër diçka e tillë. Më pas nga mediat morëm vesh për çfarë kishte ndodhur në fshatin tonë. Janë një familje shumë e mirë, e respektueshme dhe pa asnjë problem. E dimë që djali jetonte në Itali, ndërsa nuk e dimë të kishte probleme apo të ishte ngatërruar me ndonjë gjë këtu. Shikonte punën e tij, ishte djalë shumë i mirë, ashtu si edhe e gjithë familja, janë mjaft të respektueshëm nga i gjithë fshati. Nuk e dimë se përse të ketë ndodhur”, janë shprehur banorët.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here