Prapaskenat e burgosjes së Fatos Nanos, Spartak Braho rrëfen momentet pikante nga qelia, ironia që përdorte me prokurorët: Do takohemi kur të jem Kryeministër! Ç’rol kishte Sali Berisha

0
22

Në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, deputeti socialist Spartak Braho i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme arrestimit dhe dënimit të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, në vitin 1993 nën akuzën e korrupsionit. Braho rrëfen takimin e tij me Nanon, ditën e parë të arrestimit në një nga qelitë e Burgut 313 në Tiranë.

Sipas Brahos, Blerim Çela, në atë kohë kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Alush Dragoshi, prokurori i përgjithshëm kishin ngritur një akuzë të dobët ndaj Fatos Nano që siç e vërtetoi dhe koha, por dhe dokumentet e ardhura nga Prokuroria italiane, ishin të paplota dhe të falsifikuar duke e cilësuar një dënim politik.

Me detaje, në këtë pjesë të librit, Spartak Braho tregon kontaktet e tij me prokurorët italianë që ndiqnin të njëjtën akuzë korrupsioni për zyrtarët italianë që ishin marrë me sjelljen e ndihmave humanitare në Shqipërinë e vitit 1991. Duke cituar prokurorin italian Vitorio Barbieri, i cili i është shprehur se “ka një bashkëpunim transadriatik mes qarqeve të caktuara në Itali dhe në Shqipëri që u intereson ta dënojnë Nanon…”.

“Në favor të të tretëve, kur të tretët ende nuk janë dënuar…!?”, Braho shprehet se dënimi i Nanos ishte tërësisht politik nga Presidenti i kohës, Sali Berisha.

SPARTAK BRAHO

SHËNIME NGA BURGU, ARRESTOHET FATOS NANO

Sot, 30 korrik 1993, ora 12, teksa ndodhej i thirrur në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, Fatos Nanos, Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, iu komunikua arrestimi. Ishte një arrestim i pritshëm, por i përgatitur keq nga Blerim Çela, Alush Dragoshi, urdhëruar nga Sali Berisha dhe ambasadori Rajërson. Fatos Nano e priti me qetësi dhe po me qetësi deklaroi se ky është një arrestim politik i kryetarit të opozitës dhe me shpoti iu drejtua Prokurorit që i lexoi urdhrin e arrestit dhe të tjerëve që ndodheshin të pranishëm: “Do të takohemi shpejt, kur unë të jem Kryeministër” dhe qeshi me ironinë e tij të zakonshme. Duarlidhur, ai u fut në fugon dhe u përcoll në drejtim të Burgut 313.

Kryesia e Partisë Socialistë, pas kësaj ngjarje urdhëroi të gjithë anëtarësinë dhe militantët e saj që pasdite, ora 17, të mblidheshin dhe të zhvillonin me urgjencë një miting në fushën pranë stadiumit Dinamo.

Nënkryetari i partisë, prof. Servet Pëllumbi, më thirri në zyrë dhe më porositi që të përpiqesha të hyja në kontakte që të merrja informacion lidhur me gjendjen e “të burgosurit të ri”.

Me shumë peripeci dhe duke qenë se isha i njohur në ambientet e burgut dhe të Policisë, duke paraqitur dhe kartën e avokatit, hyra në Burgun 313 dhe arrita të komunikoj më Fatos Nanon. “E mo Tako, erdhe?! Thuaj Xhinës të më sjellë disa rroba”, më tha. Ndjehej jo keq dhe shpërndante humor me rojet. I dhashë një paketë cigare dhe ai në shkëmbim ndau me mua një çokollatë “Mars”, duke belbëzuar me zë të ulët se “nuk kam ndonjë gjë tjetër. Porositë i kemi biseduar dhe ia kemi lënë shokut Servet dhe shokut Gramoz.” Vazhdon….Dhe pasi shkeli syrin belbëzoi me zë të ulët: “Më sill një radio dore sa më parë”.

BURGOSJA E FATOS NANOS KA MOTIVE POLITIKE, POR NË THELB ZGJIDHJA ËSHTË JURIDIKE

Ka afro tri javë që opinioni shqiptar është tronditur nga ngjarja e rëndë që mjetet e shtypit opozitar, liderë e politikanë të ndryshëm e kanë etiketuar si krim politik të tipit fashist. U vra në Shkodër një militant i PAD-së, Gjovalin Çekini. Po të ecim mbrapa në kohë, jo më shumë por gjashtë muaj, në 18 qershor 1993, po në Shkodër u parapërgatit një krim tjetër politik, në qendër të të cilit ishte Fatos Nano, por që fatmirësisht ai e shmangu, ndërkohë që gjatë fushatës elektorale të 22 marsit 1992, ai u godit direkt nga mitingashët e PD-së dy herë me dinamit. Por, po të vijmë më pas, vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër shënojnë prologun e krimeve politike.

Nuk është rastësi që të gjitha rastet e krimeve të mësipërme, por edhe të dhjetëra krimeve të tjerë që nga koha e murosjes së Rozafës e deri te vrasja e Oso Kukës, Çerciz Topullit, Perlat Rexhepit, Vasil Shantos etj, është zgjedhur Shkodra, qyteti kufitar verior i Shqipërisë, qyteti i emancipimit kulturor të kombit shqiptar, nyje ku janë përplasur shumë interesa të brendshme e të jashtme, sa ekonomike aq dhe politike e religjioze. “T’i themi ndal krimit politik”, është thirrja për të cilën kanë bërë apel këto ditë forcat e vërteta progresiste politike.

Me forcë e kërkon këtë apel PS-ja, PAD-ja UNIKOMB-i, PSD-ja, PBDNJ-ja, ndërkohë që PD-ja ka heshtur dhe liderë të veçantë të saj partiakë e pushtetarë akuzohen si skenaristë të krimeve politike, të alibive që krijon. Por, a janë të vërteta këto akuza dhe a është i vërtetë ky përfundim? Do të thosha se për mendimin tim, çelësi i këtij përfundimi, sqarimi i tij qëndron te zbërthimi i krimit politik të 2 prillit 1991.

Regjisorët e autorët ende të pa denoncuar publikisht të vrasjeve të 2 prillit janë njëkohësisht regjisorët e autorët e krimeve politike të denoncuara, por të pazbuluara ende. Një gjë shquhet qartë që tani: Objekti që synon të godasë krimin politik, fokusi i tij. Forcat e vërteta demokratike dhe elementë të caktuar progresivë janë vënë në objektin e goditjes së krimit politik. Në këtë aspekt më e shfaqura, më e hapura, më e demaskuara është burgosja e Fatos Nanos. Aktualisht dhe realisht Fatos Nano dhe nëpërmjet tij, Partia Socialiste është vënë në fokusin e skenarëve të krimit politik.

Arrestimi i tij është pjesa më e dukshme e këtij fokusi. Por si dhe pse u arrestua Fatos Nano? Kush e burgosi atë dhe çfarë synohet duke goditur Fatos Nanon dhe Partinë Socialiste? Këto pyetje ka kohë që kanë marrë përgjigje. Rrallë se gjen në Shqipëri tani njerëz që nuk e kuptojnë se Fatos Nano është i burgosur për t’u eliminuar si kundërshtar politik, se ai mbahet peng me akuza banale e veprimet antiligjore të kryera ndaj tij, por dhe të tjerëve si Neritan Ceka, Aleksandër Frangaj e Martin Leka, etj. Mendimi opozitar në përgjithësi ka kompromentuar “shtetin ligjor të së drejtës” sloganin e respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut në Shqipëri.

Është pikërisht kjo arsyeja që reagimi ka nisur i fortë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithkush “çështjen Nano” e ka vlerësuar si çështje politike, si krim politik që i bëhet dhe fizikisht një politikani të shquar, liderit të opozitës shqiptare. A nuk janë 23 deputetët përfaqësues të katër partive parlamentare, nga 6 që ka parlamenti shqiptar ata që u shprehën hapur për këtë fakt dhe që kërkuan lirimin e Fatos Nanos menjëherë? “Greqia e ka atakuar regjimin në fuqi (PD-në) për shkak të ndjekjes së Nanos. Arrestimi i Fatos Nanos është çështje politike”, deklaroi A. Xohaxopulos, Sekretari i Përgjithshëm i PASOK-ut në intervistën e tij të 18 janarit te “Zëri i Popullit”.

Ndërkohë, M.Martinez u shpreh qartë në takimin me delegacionin tonë të kryesuar nga Eduard Selami, i cili nuk duhet të harrojë sugjerimin e Martinezit se Europa të pranon në gjirin e saj jo për rezultatet “e larta” në zhvillimin e ekonomisë së tregut, po për rezultatet e arritjet reale në respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut. Pa u tretur jehona e intervistës së tij, 26 eurodeputetë (nga 12 të nevojshëm) kërkuan mocion rezolutë, për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe që siç del nga përmbajtja e saj ajo ka në qendër hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri, të klimës së rënduar politike, “çështjen Nano” etj.

Janë të gjitha gjasat dhe Partia Socialiste është e bindur për këtë, se edhe Komiteti i Unionit Ndërparlamentar i mbledhur më datë 24-27 janar në Gjenevë “për shqyrtimin e “çështjes Nano”, do të vlerësojë gjithashtu se arrestimi dhe burgosja e Fatos Nanos është çështje politike etj. Ky është vlerësimi i situatës politike në Shqipëri që i bën Europa dhe personalitetet më në zë të saj.

A do të thotë më Presidenti Berisha “që unë s’di gjë të ketë ndërhyrë njeri për çështjen Nano”, apo Arbnori në deklarimin e tij mohues se “nuk i takon parlamentit të shqyrtojë kërkesën e 23 deputetëve për lirimin e Nanos, por drejtësisë”? Po akuzat fyese e nxitëse të Eduard Selamit “se Nano është hajdut e i korruptuar”, çfarë do t’u mbetet?

Të gjitha deklarimet e mësipërme të politikanëve që drejtojnë Shqipërinë, janë zhvleftësuar e po zhvleftësohen më shpejt se sa mendohej. Si forcë e organizuar dhe e pjekur politike me mbështetje të gjerë mbarë popullore, me reputacion ndërkombëtar e në aleancë me forcat e tjera progresive politike, PS-ja do të dijë jo vetëm t’u ruhet kurtheve, por edhe t’i denoncojë e t’i demaskojë.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here