Me helikopter në fushatë për PS, PD padit në SPAK Olta Xhaçkën

0
325

‘Me helikopter ushatarak për të punuar për fushatën e PS.

Kjo është akuza e Partisë Demokratike që sot ka paditur në SPAK, Ministren e Mbrojtjes.

‘Shpërdoroi detyrën për qëllime elektorale’, thanë gjatë deklaratës nga ambientet e jashtme të SPAK, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri.

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike:

Partia Demokratike dorëzoi sot në SPAK kallëzimin penal kundër Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe autoriteteve ushtarake që kanë manipuluar të dhënat për përdorimin e helikopterit ushtarak për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste. Në kallëzim, argumentohet me fakte konkrete të fluturimeve dhe të aktiviteteve elektorale të PS në Dibër në të njëjtën ditë, se Ministrja e Mbrojtjes ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore.

Për secilën nga shkeljet e ligjit, Kodi Penal parashikon përkatësisht deri në 7 dhe deri më 3 vjet burg.  Në kallëzimin penal, të dorëzuar nga përfaqësuesit e PD, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, jepen detaje për shkeljen e ligjit nga Ministrja e Mbrojtjes, duke përdorur helikopterin ushtarak për qëllime elektorale, pasi është emëruar drejtuese politike e PS në Dibër. 

Pas shpalljes nga Presidenti të datës së zgjedhjeve, janë të paktën 8 data të dy muajve të fundit, që Olta Xhaçka ka përdorur helikopterin ushtarak për të shkuar në zonën e saj elektorale dhe për të kryer aktivitete për PS.

Duke theksuar se ka pamje filmike dhe foto që provojnë veprën penale të Olta Xhaçkës dhe ia bëjnë punën më të lehtë SPAK-ut, zonja Vokshi vuri në dukje kontrastin e thellë mes pushtetit dhe qytetarëve.

‘Në kohën që ministrja e Mbrojtjes, për pushtetin e Edi Ramës, abuzon me helikopterin, i cili kushton deri në 10 mijë euro për një udhëtim, nënat nuk ç’t’u japin fëmijëve për të ngrënë, nuk mundet t’i arsimojnë, mijëra prej tyre jetojnë akoma në çadra me kushte mizerabël, në varfëri ekstreme, nuk mund të përballojnë kurat dhe ilaçet, nuk mund të bëjnë një tampon. Janë me mijëra mësuese që rrezikojnë çdo orë, që shfrytëzohen si skllave, me dhjetëra orë të papaguara ne javë që nuk arrijne te paguajnë për ilaçet dhe kurat anticovid.’- u shpreh Albana Vokshi.

Përveç Ministres së Mbrojtjes, faktet në kallëzim penal implikojnë rëndë edhe Komandantin e Forcave Ajrore, i cili ka manipuluar arsyet e udhëtimit të helikopterit, duke i deklaruar për qëllime stërvitore, kur është e provuar se qëllimi ka qenë elektoral, në interes të PS. 

 ‘Partia Demokratike kreu detyrën e saj qytetare duke ia sjellë SPAK-ut të gjithë dokumentacionin që disponon së bashku me provat perkatëse duke i dhënë një mundësi për të treguar që nuk është e kapur nga qeveria, por është në shërbim të ligjit dhe të interesit publik’- u shpreh Gent Strazimiri.

Edhe në kallëzimin e dorëzuar sot, Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut që të trajtojë të gjithë njësoj përpara ligjit.

‘Ky kallëzim apo kallëzimet e ngjashme me të, janë rasti ideal që edhe SPAK të sprovohet në sytë e mbarë opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe të tregojë me vepra se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është apo jo i pasur apo i veshur me pushtet.’- thuhet në kallëzimin penal të Partisë Demokratike.

© SYRI.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here