Misteri që vazhdon, nga e ka saktësisht origjinën SARS-CoV-2? Studimi i ri përmend për herë të parë se…

0
1146

Kanë kaluar 11 muaj që kur autoritetet shëndetësore në Vuhan të Kinës, pretenduan se identifikuan tregun e peshkut dhe kafshëve të gjalla në qytet, si vendin e origjinës së pandemisë së CoviD-19.

Besohej se ndërveprimi midis njerëzve dhe kafshëve të egra në një mjedis të lagësht, të ftohtë dhe të mbipopulluar e kishte favorizuar kalimin e koronavirusit SARS-CoV-2 nga kafshët tek njerëzit. Gjatë këtij viti, mësuam se koronavirusi i ri mund të ketë ardhur ndoshta nga lakuriqët e natës (për shkak të njerëzve), apo ndoshta përmes një bartësi të ndërmjetëm. Po cilat janë zbulimet më të fundit mbi origjinën e koronavirusit, dhe në cilën pikë janë hetimet e filluara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi shkaqet e pandemisë.

OBSH njoftoi më 23 tetor kishte nisur një hetim në 2 faza në bashkëpunim me shkencëtarët më të njohur kinezë për të gjetur origjinën e virusit. Faza e parë, që do t’u besohet vetëm ekspertëve nga Kina, ka të bëjë me hetimet në terren, dhe mendohet të ofrojë disa hipoteza mbi fazat fillestare të qarkullimit të virusit.

Këto gjurmë do të formojnë pikënisjen për fazën e dytë, e cila do të përfshijë gjithashtu shkencëtarë të pavarur të OBSH-së. Që të rindërtohet një “histori” fillestare e përhapjes së Covid -19, mund të jetë e dobishme të kërkohen antitrupa kundër SARS-CoV-2 tek mostrat e gjakut të mbledhura në analizat rutinë përpara fillimit të plotë të pandemisë në Kinë dhe vendet fqinje.

Ndërkohë hetime të tjera në terren janë fokusuar mbi origjinën zoonotike të virusit. Lakuriqët e natës, janë rezerva natyrore e koronavirusëve. Dhe 2 nga koronavirusët gjenetikisht më të afërt me SARS-CoV-2, RaTG13 dhe RmYN02, janë izoluar nga popullatat e lakuriqëve në provincën kineze Junan.

Më i afërti, koronavirusi RaTG13, i zbuluar tek lakuriqët e natës ndan 96.2 për qind tësekuencës gjenetike me koronavirusin e ri. Një paraardhës i mundshëm i SARS-CoV-2, duhet të ndajë të paktën 99 për qind të përbërjes së tij gjenetike me të.

Studimi i fundit në dispozicion mbi këtë çështje, tregon se për ta gjetur atë, është e nevojshme që hetimet të zgjerohen jashtë kufijve të Kinës. Dy zbulime të raportuara nga revista “Nature”, përshkruajnë zbulimin e koronavirusëve të lidhur me SARS-CoV-2 tek mostrat e ngrira të lakuriqëve të gjinisë Rhinolophus,apo jashtëqitjet e tyre të ruajtura për vite në laboratorët e Kamboxhias dhe Japonisë.

Megjithëse për momentin duket se bëhet fjalë për një ngjashmëri të largët, të përputhshme vetëm nga fragmente të vogla virale, është hera e parë që përmenden kafshë të kapura jashtë Kinës.

Ky është një konfirmim, që SARS-CoV– 2 nuk është një virus krejtësisht i ri që u shfaq papritmas, por që patogjenët afër tij janë të përhapur nga lakuriqët e natës në pjesë të ndryshme të Azisë, dhe se duhet të intensifikohet kërkimi për të gjetur paraardhësin e këtij koronavirusi.

Një çështje tjetër delikate, është ajo e bartësve të ndërmjetëm të virusit. Hetimet e deritanishme, kanë identifikuar mbi 500 specie kafshësh që kanë receptorë qelizorë ACE2, portat hyrëse që përdor SARS-CoV-2 për të hyrë në organizëm.

Në veçanti minjtë, macet shtëpiake dhe disa lloje brejtësish, duken veçanërisht të ndjeshëm ndaj infeksionit, dhe në disa raste mund t’ua transmetojnë atë kafshëve të së njëjtës specie. Ky fakt rrit shqetësimin se disa ferma, mund të përbëjnë “rezerva virale”që mund të shkaktojnë në të ardhmen vatra të reja epidemike.

Por deri më tani studimet për bartësin e ndërmjetëm të virusit, që siç e dimë ka përfshirë edhe pangolinat nuk çoi gjëkundi. Një pistë e katërt e hetimit, e promovuar më shumë nga propaganda kineze, ka të bëjë me mundësinë që sipërfaqet që janë në kontakt me ushqimin dhe vetë ushqimi mund të ndotet nga virusi.

Por deri tani nuk ka asnjë provë që ushqimi i kontaminuar, mund të kontribuojë në ndonjë mënyrë tek infeksioni. Përkundrazi, janë individët pozitivë me Covid-19 që lënë gjurmët e tyre në sipërfaqet dhe ushqimin që prekin.

Studiuesit kinezë kanë treguar tashmë se kanë mjetet, përvojën dhe teknologjinë, për ta kryer më së miri këtë fazë të parë komplekse të hetimit. Koha e shpenzuar këto muaj për frenimin e valës së pandemisë, nuk duhet të jetë një pengesë për zgjidhjen e këtij problemi.

Në vitin 2003, shkencëtarët e OBSH arritën në Kinë gati 3muaj pas rastit të parë me SARS, por sërish arritën të identifikonin origjinën shtazore të virusit brenda disa javësh. Teknikat gjurmuese gjenetike ishin përcaktuese në atë zbulim, dhe ato kanë përparuar shumë që nga ajo kohë. / Focus – Bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here