Nën akuzë për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klod Saliut/ Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj arratisen nga vendi. A pati rrjedhje informacioni?

0
1169

Lulzim Berisha, drejtuesi i bandës së Durrësit, u shpall në kërkim të martën nga SPAK, nën akuzën se bashkë me anëtarë të tjerë të bandës së Durrësit janë përgjegjës për vrasjen e tre personave në dy ngjarje, përfshirë biznesmenin Vajdin Lame, vrarë në Tiranë me bombë në ashensorin e pallatit ku banonte në shkurt të vitit 2005, bashkë me Artan Arsin.

SPAK publikoi njoftimin në faqen e vet të internetit, në të cilin thuhet se hetimi për vrasjen e Lamajt dhe  Arsit ishin pezulluar shumë vite më parë dhe janë rihapur në vitin 2020. Në 2 dhjetor, gjykata ka vendosur masë sigurie arrest me burg për shtetasit Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe L. Reçi, të akuzuar për vrasjen e Lamajt dhe Arsit. Por dy të dyshuarit, Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj nuk janë arrestuar, pasi rezultojnë në arrati.

“Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre,” thuhet në njoftim.

Pyetur nga BIRN nëse ka pasur rrjedhje informacioni që i ka mundësuar Berishës dhe Dervishajt arratisjen para marrjes së masës së arrestit, drejtuesi i SPAK Arben Kraja i tha BIRN se “nuk ka asnjë rrjedhje informacioni” dhe se personat në fjalë kanë ikur nga Shqipëria para vendimit të gjykatës.

Krahas Berishës dhe Dervishajt, nën akuzë për vrasjen e Lamajt e Arsit janë vënë edhe Emiljano Shullazi e të tjerë. Shullazi është aktualisht nën gjykim për akuza krimesh të tjera.

Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016.  Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012. Plarent Dervishi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lartë. /Birn/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here