SPAK zbardh vrasjen e Vajdin Lames e Klodian Saliut, në kërkim Lul Berisha. Pas 15 vitesh, Emiljano Shullazit i komunikohet në burg akuza për…

0
57

Pas 15 vitesh, SPAK-u zbardh vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe të Klodian Saliut, që ndodhën dy ditë nga njëra-tjetra më 26 e 28 shkurt të vitit 2005.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, u shpallën në kërkim Lulzim Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Devishaj, ndërsa i është komunikuar akuza në burg Emiljano Shullazit. Njoftimi zyrtar i SPAK-ut erdhi dy ditë pas arrestimit në Kosovë të Indrit Taullait.

Ndërsa dje u arrestua edhe Viktor Ymeri, i liruar nga burgu në fillim të këtij viti. Më poshtë njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Posaçme. Në vitin 2017, Lulzim Berisha u lirua nga burgu, duke marrë garancinë e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka kryer hetime në funksion të procedimit penal nr.252 të vitit 2020. Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy ngjarje të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar.

Më konkretisht, bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. Saliu, i cili po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi K. Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.

Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit V. Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima V. Lamaj, me adresë Kulla nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë.

Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rifilluar hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm.

RIFILLIMI I HETIMEVE

Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale.

Më tej, Prokuroria iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.115 datë 02.12.2020 ka caktuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj shtetasve: L. Berisha, P. Dervishaj, I. Taulla dhe L. Reci, të dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan Saliu), “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78, 28/4, 278, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal.

Gjithashtu, po me këtë vendim Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj shtetasve E. Shullazi dhe V. Ymeri (Imeraj), E. Shullazi për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.

POLICIA

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 07.12.2020 ka ekzekutuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit V. Ymeri. Gjithashtu, në datën 06.12.2020 falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit shtetasi I. Taulla.

Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit të tij nga Republika e Kosovës. Ndërsa në datën 08.12.2020, Policia Gjyqësore ka ekzekutuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit E. Shullazi (aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale).

Nisur nga dinamika e hetimeve, në datën 07.12.2020 Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I. Rusi, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Hetimet dhe ekzekutimi i masave të sigurimit janë kryer në bashkëpunim të ngushtë dhe shumë efikas me Drejtorinë Hetimore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Zbulimi dhe përballja me ligjin e autorëve të veprave penale të rënda dhe akoma të pazbuluara ngelet një ndër prioritetet e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë qytetarët që kanë dijeni në lidhje me këto ngjarje kriminale janë të lutur që të deklarojnë në Prokurori, duke i garantuar ata për seriozitetin dhe gatishmërinë e Prokurorisë së Posaçme për t’i shkuar deri në fund hetimit me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të autorëve.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here