“Borxhin ia shleva me 46 kg mish”/ Zbardhet dëshmia e autorit, si u vra me 20 plumba kallashnikovi 41-vjeçari i kthyer nga Anglia

0
118

Vangjel Polovina, autori i krimit të rëndë të ndodhur mëngjesin e së enjtes në Kuçovë, ka dëshmuar para oficerëve të krimit se si ka ndodhur ngjarja dhe motivin e saj.

44-vjeçari sipas burimeve nga uniformat blu, mësohet se e ka pranuar krimin pas arrestimit nga Policia dhe ka deklaruar të plotë versionin e tij të ngjarjes. Ai është shprehur se viktima Ajet Guneli e ka kërcënuar se do  ta vriste, ndërsa nuk i kishte asnjë borxh lidhur me stallën që i kishte marrë me qira prej muajsh.

DËSHMIA

“Unë i kisha marrë me qira Ajetit një stallë derrash në fshatin Perondi, ku edhe jetoj. Deri në vitin 2019 i kisha paguar rregullisht të gjitha detyrimet e qirasë, dritave dhe ujit të kësaj godine. Në vitin 2020 isha vonuar në disa muaj pagesash dhe kur erdhi Ajeti nga Anglia disa javë më parë më kërkoi të takoheshim. U takuam dhe pasi i thashë që nuk kisha lekë gjendje për ta paguar, ramë dakord që borxhin në lekë ta likuidoja me mish.

Dy ditë para vrasjes, i kam dhënë Ajetit  46 kg mish, që korrespondonin në vlerë lekësh me borxhin që i kisha mbetur për 2  muaj e gjysmë qira. Unë mendova se u likuiduam, por Ajeti më mori në telefon një ditë më vonë, domethënë natën para vrasjes. Unë nuk e kisha ndjerë telefonin dhe  kur u zgjova në mëngjes e  pashë që më kishte telefonuar dhe e mora mbrapsht. Sapo ma hapi telefonin, pa më lënë as ta përshëndes më ka sharë dhe më tha ‘do të vras, do të heq qafe’. Në këtë  moment, kam hipur në mjetin tim ‘furgon’ dhe në sediljen e pasagjerit vendosa kallashnikovin.

Vajta  te lokali ku ai pinte kafen dhe pa zbritur nga makina i thirra për t’u afruar. Ajeti, sapo më pa, më erdhi drejt me vrap duke më sharë dhe me një karrige në dorë për të më qëlluar, pa e ditur se unë kisha armë me vete. Në këtë moment, kam dalë jashtë me  armën në dorë dhe kam qëlluar një herë në ajër për t’u  shpërndarë personat e tjerë që ndodheshin në lokal. Ajeti filloi të bridhte me vrap dhe u rrëzua në tokë. Aty kam filluar të gjuaj me breshëri në drejtim të tij dhe pasi shkreha 1 karikator të tërë kallashnikovi u largova me furgon nga vendngjarja”, ka thënë 44-vjeçari  Vangjel Polovina.

EKSPERTIZA 

Mjekësia ligjore në spitalin e Beratit, ka dalë në një  konkluzion përfundimtar  pas këqyrjes së trupit të pajetë të Ajet Gunelit, i ekzekutuar mëngjesin e së enjtes nga  44-vjeçari Vangjel Polovina. Sipas informacioneve, 37- vjeçari ka humbur menjëherë jetën në vendin e ngjarjes,  pasi në trupin e tij janë gjetur 20 plumba kallashnikovi. Ndërkohë, trupi i pajetë  i tij ka qëndruar në Spitalin e Beratit deri pasditen e djeshme, edhe pse autopsia mjeko-ligjore ka përfunduar rreth orës 14:00 të së enjtes. Në morgun e Beratit nuk  është paraqitur asnjë familjar për të tërhequr trupin e  pajetë të 37-vjeçarit, pasi ata jetojnë jashtë vendit. Vëllezërit e viktimës ishin  nisur nga Greqia për të shkuar në Berat, në mënyrë që  të bënin edhe tërheqjen e  trupit të 41-vjeçarit. Ndërkohë, sipas informacioneve të Policisë, 44-vjeçari Vangjel Polovina ka zbrazur në  drejtim të viktimës një karikator të tërë të kallashnikovit.  Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, viktima Ajet Guneli kishte marrë një plumb në qafë, 2 plumba në bark dhe 17 plumba në gjymtyrët e poshtëm dhe sipas raportit të mjekësisë ligjore, viktima kishte vdekur në vend.

Si u ekzekutua 41-vjeçari i sapokthyer nga Anglia

Ajet Guneli u qëllua për vdekje mëngjesin e djeshëm në oborrin e një lokali në fshatin Grorë të Kuçovës. Shkak për këtë ngjarje, burimet thonë se janë bërë konfliktet e vazhdueshme që kishte autori me viktimës. Arsyet e konfliktit kanë qenë banale, pasi autori pretendon se viktima e shante dhe ofendonte çdo ditë. Ndërkohë, 37-vjeçari ishte kthyer pak kohë më parë nga Anglia ku banonte me familje, ndërsa i kishte dhënë me qira  një stallë derrash 44-vjeçarit Polovina.

Ky i fundit nuk i kish- te paguar prej një viti qiranë e stallës, të cilën edhe e kishte  shfrytëzuar. Kjo dyshohet të ketë sjellë edhe konfliktin mes palëve. Ndërkohë, banorët e zonës kanë treguar për mediat detajet se si ka ndodhur krimi i rëndë. Një mik i viktimës, ka treguar se Ajet Guneli kishte qenë për darkë një  natë më parë në shtëpinë e tij, ndër- sa theksoi se ai ishte një njeri shumë  i mirë. Mes të tjerash, shoku i viktimës tha se nuk ishte në dijeni nëse  kishte pasur ndonjë konflikt me autorin e dyshuar të ngjarjes, Vangjel Polovinën. “Kur erdha unë çdo gjë kishte mbaruar. Unë erdha në dashamirësi. Erdha se e kam shok këtë që u vra, Ajetin. Mbrëmë ishte tek unë, hëngri bukë.  Nuk di gjë për lidhjen e tyre, njih- ja vetëm Ajetin (qan). E pata mbrëmë në shtëpi, hëngri  bukë me çunat e mi (qan), ishte një njeri shumë i mirë. Kjo që ndodhi, ndodhi”, tha i moshuari.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here