Historia/ Xhaxhai i Vjosa Osmanit u dënua nga Enver Hoxha dhe u varros për së gjalli. Mjeku s’pranoi ta çojë në spital

0
115

Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani gjatë vizitës në Parlamentin shqiptar mbajti një fjalim prekës, ku përmendi faktin se një i afërm i saj ishte i varrosur gjallë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Ajo e kishte fjalën për kolonelin Sulejman Vuçitërna, që vdiq në kënetën e Maliqit i dënuar nga Hoxha si kundërshtar politik.

Sulejmani erdhi në fillim në Shqipëri pas një burse të dhënë nga Hasan Prishtina për nxënësit kosovarë dhe shkollimi në Normalen e Elbasanit dhe më pas në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali.

Më pas, ai u kthye në atdhe duke shërbyer në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit. Fillimisht në Sektorin e Prapavijës së Ushtrisë Mbretërore e më pas, si komandant i Shkollës së Plotësimit të Oficerëve të Monarkisë Shqiptare.

ROLI NË KOSOVË

Sulejman Vuçiterna në vitin 1939 u kthye në Kosovë ku iu bashkua Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës dhe u emërua komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijve Verilindorë të Shqipërisë, ku zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Më pas ai u kthye në Shqipëri në vjeshtën e vitit ‘44.

Ai as që e kishte menduar kurrë atë çka do i ndodhte më vonë pas ardhjes në shtëpinë e tij (arrestimin), sepse gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, kishte punuar dhe luftuar vetëm për Shqipërinë dhe për atë gjë, ishte dënuar me vdekje nga forcat çetnike–komuniste (serbo- malazeze), gjatë kohës që kishte luftuar kundër Drazha Mihajlloviçit në Kosovë.

Vuçiterna qëndroi në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj. Kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave çnjerëzore deri sa doli në Gjyqin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Seanca gjyqësore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjella në mes tij dhe prokurorit Bedri Spahiu.

Në atë gjyq avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur atë, disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu, një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, (nëna e Xhezmi Dellit, komunist, Hero i Popullit), e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna.

Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjyqit (pa e thërritur njeri), duke u shprehur: “Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes”. Pas kësaj, Gjyqi Special, e dënoi Sulejmanin me 30 vite burg e punë të detyruar. Sulejmani nuk “pati fatin” ta plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel.

Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë burg, komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysmë të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos i gjetur kurrë eshtrat e tij.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here