Plagosën policin e burgjeve, kapen pas 9 vitesh kushërinjtë. Si ndodhi ngjarja, efektivi punonte edhe si taksist

0
114

ELVIS HILA/ Prokuroria dhe Policia e Laçit kanë zbardhur pas nëntë vitesh grabitjen dhe plagosjen e rëndë ndaj një ishefektivi të Policisë së Burgjeve.

Ngjarja ka ndodhur nëntë vite më parë, në muajin qershor të vitit 2011, në Fushë Mamurras të Kurbinit. Sipas Policisë, si autorë të ngjarjes janë identifikuar dy kushërinjtë Elson Bushgjoka, 27 vjeç. banues në Kamzë, Tiranë, dhe Fatjon Bushgjoka. Ky i fundit rezulton të jetë në burg aktualisht, i dënuar për kryerjen e një vjedhje në Kavajë.

Ndaj dy kushërinjve, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi sipas organit të akuzës rezultojnë të jetë autorët e dyshuar të grabitjes dhe dhunimit të shtetasit Arben Doçi, i cili në atë kohë punonte si efektiv i Policisë së Burgjeve.

Në makinën që i kishin grabitur dy të rinjtë dhe që u gjet e braktisur në Kashar, Tiranë, janë gjetur gjurmë gishtërinjsh të tyre. Kjo ka çuar në zbardhjen e ngjarjes pas 9 vite hetime.

Efektivi i Policisë së Burgjeve, Arben Doçi, shpeshherë punonte dhe si taksist i palicencuar dhe ishte faturuar nga dy të rinjtë për t’i dërguar në Mamurras, por pasi u afruan pranë zonës së Fushë Mamurrasit ata e kanë orientuar punonjësin e Policisë që të hyjë në një rrugicë, që ndodhej larg syrit të qytetarëve dhe kanë zbritur. Njëri prej të rinjve i ka thënë efektivit se i kishte rënë goma e makinës, duke bërë që ai të parkonte në anë të rrugës dhe të zbriste nga automjeti.

Në momentin që efektivi i Policisë është përkulur për të parë gomën. është goditur me sende të forta nga dy të rinjtë, duke mbetur pa ndjenja.

Më pas, kushërinjtë Bushgjoka e hodhën efektivin në një kanal dhe morën makinën e sendet e tij personale dhe u larguan.

Mjeti u gjet i braktisur pranë zonës së Kasharit në Tiranë dhe kjo duket se e ka ndihmuar grupin hetimor që të zbardhë ngjarjen e të çojë në identifikimin e autorëve të dyshuar.

Nga plagët e marra, ishefektivi i Policisë ka qëndruar për disa kohë në spital dhe pas shërimit e ka ndjekur në vazhdimësi çështjen deri në zbardhjen e plotë të asaj që i kishte ndodhur.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here