EKSKLUZIVE/ I shënoi Juves, Uzuni rrëfen vitin e ëndrrave: Ju tregoj 2 momentet më të veçanta të 2020-ës

0
418

Një vit ëndrrash. Gol në Torino, me Ronaldon në fushë dhe festë “Siummm” njësoj si ylli portugez. Pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve, duke shënuar që nga ndeshjet vendimtare në fazat kualifikuese, deri në grupe ndaj Juves. Myrto Uzuni po përmbyll vitin më të suksesshëm në karrierën e tij.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, beratasi tregon periudhën e festave, objektivat e vitit të ri si dhe çfarë duhet të bëj Shqipëria përballë skuadrave si Anglia dhe Polonia.

Uzuni, ku po e kaloni këtë periudhë festive të vitit?

Festat jam duke i kaluar me familjen time në Berat. Jam rikthyer nga Hungaria për të qëndruar disa ditë pushim. Nesër (Sot) do të nis pak stërvitje individuale, që pavarësisht periudhës së pauzës, të mos e humbas plotësisht ritmin.

Kur duhet të riktheheni tek ekipi?

Në këtë rast, duke qenë se nuk jemi nga një vend në Europë, jam më i penalizuar sesa pjesa tjetër e shokëve të mi të ekipit. Unë duhet të rikthehem më 31 dhjetor në Hungari, pasi më duhet të kryej dy herë testet anti-COVID. Pra, dy teste me distancë 48 orë nga njëri-tjetri. Pjesa tjetër e shokëve të mi që vijnë nga vende të Bashkimit Europian, kthehen më 3 janar, vetëm 1 ditë para nisjes për në fazën përgatitore.

Myrto, si ka qenë ky vit për ju?

Ky vit ka qenë fantastik nga aspekti sportiv. Unë do ta cilësoja si vitin më të mirë në karrierën time. Në kampionat, me Ferencvaroshin jemi në kryesim dhe të shkëputur me pikë nga vendi i dytë. U kualifikuam në grupet e Ligës së Kampionëve. Personalisht arrita të shënoj gola të rëndësishëm për klubin dhe pa dyshim që e veçoj si më të mirin deri më tani.

Nëse i vendosni një notë, cila do të ishte?

Nuk po vendos nota, por le të them që ka qenë sezoni ku jam ndierë më mirë. E kam shijuar dhe më është shpërblyer më shumë se çdo herë tjetër çdo sakrificë që kam bërë. Ecuri e mirë me Lokomotivën në start, më pas Ferencvaroshi dhe kualifikimi në grupe, ndeshjet e mira atje dhe tanimë ecuria mjaft pozitive në kampionat. E vlerësoj edhe për faktin se u ambientova shpejt dhe po tregoj vlerat e mia, që në muajt e parë me një ekip të ri.

Cili ka qenë momenti më i bukur i këtij viti për ju?

Të gjithë mund të mendojnë që kam një, por unë zgjedh dy të tillë. Pa diskutim që momenti i golit në Torino ka qenë një kornizë ë mrekullueshme për këtë vit. Por, unë veçoj edhe golin ndaj Dinamos Së Zagrebit, për vetë rëndësinë që ai pati për skuadrën e Ferencvaroshit.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here