“Plumbat vinin ngado. Disa qëndronim në bodrum”/ Rrëfimi i rrallë i gazetarit: Si i përjetoi protestat masive dhe pushkatimin e Çausheskut, stafi i ambasadës shqiptare në Bukuresht, ku unë…

0
216

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, të cilat çuan në rrëzimin e udhëheqësit komunist, Nikolae Çaushesku, i cili e kishte qeverisur atë vend, që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit. Dëshmitë e rralla të gazetarit e moderatorit të njohur, Rezar Xhaxhiu, i cili nga viti 1987 e deri në marsin e 1991-it, shërbeu si atashe i Shtypit dhe Kulturës pranë asaj ambasade, që rrëfen ekskluzivisht për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, se si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun, ku për disa ditë me rradhë, personeli i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine?

Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë, kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea që ishin bashkuar me protestuesit, pas hapjes së lajmit se, diktatori rumun, Çaushesku, me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade…

Nga Dashnor Kaloçi

“Më kujtohet që të gjithë familjarët e personelit të ambasadës sonë, ishin mbledhur së bashku dhe rrinin nëpër bodrumet e asaj godine, nën një pasiguri dhe panik real, të asaj se çfarë mund të ndodhte në orët në vijim! Ndërkohë, që ajo pjesë e familjeve tona që ishin strehuar, jashte godinës së ambasadës, e përjetuan dyfish dhe më me frikë, betejen disa ditore në rrugët e Bukureshtit. Më kujtohet ime shoqe, të cilën e gjeja në çdo rast kur kthehesha nga ambasada, të tmerruar dhe të ngurtësuar nga paniku, frika, dhe pasiguria. Në atë kohë, ne kishim vajzën 6 muajshe, dhe shpesh i gjeja të dyja poshtë parvazit të dritares, për t’i shpëtuar plumbave që vinin ngado. Qëllohej nga çdo anë, dhe ata që ishin më të pabesë, ishin sajperat e USLA (Reparti Special Anti-Terror) i Securitates, që ishin vendosur në tarracat e pallateve, dhe godinave zyrtare. Por në shumë raste, nuk merrej vesh kush qëllonte?! Ishte e nesermja e Krishtlindjeve, pra 25 dhjetor i vitit 1989, kur mësuam për arrestimin e Çausheskut. Ai u ndalua së bashku me gruan e tij, Elenën, nga nje postobllok ushtrie në afërsi të Tirgovishtes. Gjatë këtij momenti, çifti presidencial Çaushesku, ishte drejtuar drejt një aeroporti, në tentativën për t’u arratisur nga Rumania, dhe për të kërkuar strehim politik në një vënd mik me Rumaninë”.

Kështu e kujton në mes të tjerash, gazetari dhe moderatori i njohur Rezar Xhaxhiu, ngjarjet e bujshme të ndodhura plot tre dekada më parë në Rumani, ku në fundin e dhjetorit të vitit 1989, për shkak të protestave masive të popullit rumun në kryeqytetin e vëndit, Bukuresht, udhëheqsi komunist, Nikolae Çaushesku, së bashkë me gruan e tij, Helena, në tentativë për t’u larguar nga vëndi, u ndaluan në një post-bllok në periferi të një qyteti të vogël në kufi me Hungarinë dhe më pas u ekzekutuan pas një gjyqi ‘blic’!

I ndodhur në rradhët e shërbimit diplomatik (si atashe i Shtypit dhe Kulturës), pranë ambasadës shqiptare në Bukuresht që nga fillimi i vitit 1987, si një dëshmitar okular, Xhaxhiu, pati rastin të ndiqte nga afër ato protesta të popullit rumun, që çuan në rrëzimin e diktatorit Nikolae Çaushesku, i cili kishte qeverisuar atë vënd të madh ballkanik që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit.

Po si u përzgjodh Rezar Xhahiu që të shërbente në rradhët e diplomacisë shqiptare, kush ishin kolegët e tjerë me të cilat ai punoi nga viti 1987 e deri në marsin e ’91-it që u kthye në atdhe, si funksiononte puna në atë seli diplomatike dhe si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, ku për disa ditë me rradhë, stafi i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine?

Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea, pas hapjes së lajmit se diktatori rumun, Çaushesku së bashku me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!

Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje të panjohura të ndodhura në ambasadën shqiptare të akredituar në Bukuresht në periudhën kohore, 1987-1991, na rrëfen për herë të parë Rezar Xhaxhiu, në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al, e cila do vijoj në disa numra rradhazi.

Zoti Xhaxhiu, cilat janë fillesat e arsimimit tuaj?

Unë kam mbaruar të mesmen diku nga viti 1979 në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. Më pas studimet e larta i kreva në degën Gjuhë Letersisë shqipe në Fakultetin Histori Filologji nga viti tetori i vitit 1980 deri në vitin korrikun e vitit 1984.

Cilët ishin disa nga pedagogët tuaj në Fakultetin e Gjuhë Letërsisë?

Kë të të kujtoj më parë? Për kë të flas, për të madhin, Shaban Demiraj, për poliglotin Fatmir Agalliu, apo për Ali Xhikun, për profesoreshën e mrekullueshme, Floresha Dadon, për Vehbi Balën, për Llambro Rucin, Rahmi Memushin, apo për tim atë, Muzafer Xhaxhiun, etj, etj.

Çfarë kujtimesh keni nga këta pedagogë?

Janë një grup profesorësh të katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë të cilëve, u falem edhe sot e kësaj dite. Pasi nëse jam ky që jam (por jo vetem unë), mund të quhem me plot gojën një produkt i atij brezi te mrekullueshem njerëzish dhe profesorësh të nderuar e të respektuar.

Kujtoni disa nga miqtë tuaj që studiuan në këtë fakultet?

Janë realisht shumë. Shiko, në atë brez studentesh dolën më pas mjaft poetë e krijues cilësorë. Do përmendja këtu: Teodor Kekon, Besa Myftiun, Rita Petron, Behar Gjokën, Eqerem Bramon, Shaban Sinanin, Vahid Hyzotin, etj. Ata më pas, shkëlqyen me penat e tyre, kush në poezi e kush në prozë, disa, në kritik letrare etj.

Pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit, si ndodhi që u përfshitë në sektorin e diplomacisë? 

Në atë kohe doli e nevojshme që të ripërtërihej sistemi i diplomacisë, duke u furnizuar, me “gjak te ri”, pas një përzgjedhjeje që ishte bërë diku, pesë apo dhjetë vjet më parë nga radhet e klasës punëtore. Kështu që u krijua kursi i parë diplomatëve të ardhshëm, ku unë u perfshiva diku nga viti 1985.

Cilat ishin kriteret e kohës të cilat u përfshinin edhe ju në diplomaci?

Nuk kishte shumë kritere. Së pari duhej të ishe me biografi të pastër, më pas të ishe gjithashtu një student me rezultate relativisht të mira ose shume te mira, si dhe të kishe një qëndrim dhe një figurë të pastër morale e shoqërore. Patjetër që duhet dhe të ishe i martuar.

Nga cilat fakultete, do të përzgjidheshin këta studentë, të cilët do të vazhdonin më pas diplomacinë?

Përzgjedhja bëhej kryesisht nga fakultetet e Shkencave Shoqërore, si Filologjiku, Shkencat Politike, Ekonomiku, nga degët e Historisë, Gjuhëve të Huaja etj.

A mund të kujtoni disa nga emrat e këtyre studentëve të cilët do të bëheshin diplomatë të ardhshëm?

Pse jo, janë shumë por po përmend disa, si: Kastriot Robo, Llesh Kola, Marko Bello, Arben Rama, Artur Kuko, Petraq Proko, Sokol Neçaj, etj.

Ju, theksuat pak më parë se i‘u nënshtruat një kursi për rregullat bazë të diplomacisë, ku zhvillohej ky kurs?

Kursi zhvillohej sa në ambientet e Fakultetit te Filologjisë, aq edhe në ambientet e Ministrisë së Jashtme të asaj kohe.

Dhe sa persona bënin pjesë në këtë kurs?

Në kursin tonë të parë ishim diku tek 10 -12 studentë, të cilët ishin zgjedhur nga fakultetet që përmëndëm më sipër.

A mund të kujtoni disa nga programet që do të zhvillonit në kursin e diplomacisë? 

Programet ishin të një game të gjërë, si: Politikë e Jashtme, Historia e Ballkanit, Historia e Evropës, por edhe Shkenca Politike, si dhe Historia e Partise së Punës së Shqipërisë, sigurisht e parë në një prizëm tjetër. Kishte edhe orë e leksione më specifike, si Komunikimi, apo Protokolli Diplomatik.

Çfarë trajtonin këto lëndë më specifikisht?

Këto lëndë përshëmbull, trajtonin menyrën se si duhet të silleshe në një pritje darke, apo dreke zyrtare. Vendosja e njerëzve në tryeze, renditja e pjatave, pirunëve dhe çdo gjëje tjetër që kishte të bënte me protokollin diplomatik.

Cilët ishin disa nga eksponentët e lartë të MPJ të cilët, do ju jepnin juve këto leksione?

Leksionet i merrnim si nga pedagogë të Universitetit të Tiranës, ashtu edhe nga punonjës të Ministrise së Punëve të Jashtme. Kujtoj që kishim si lektorë edhe zv/Ministra si: Sokrat Plaka, drejtorë drejtorish, si Piro Bita, Ksenofon Krisafi, apo dhe Jovan Andoni, që na jepte ‘Sjelljen dhe protokollin‘, një lëndë kjo shumë e dashur për ne (pasi ishte konkrete dhe e tepër e domosdoshme). Por si lektorë, kishte edhe shumë punonjës të tjere të rangjeve të caktuara të Ministrisë së Jashtme të asaj periudhe.

Pas përfundimit të këtij kursi, në cilin sektor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, do të caktoheshit ju? 

Unë, u caktova në Drejtorinë e Ballkanit si referent, ku punova disa muaj përpara se të merrja emerimin. Kjo ishte absolutisht një eksperiencë e mrekullueshme, të kishe kolegë si Mirosh Sako, Hasan Haxhia, Leonidha Mërtiri, etj., të cilët ishin punonjës dhe diplomatë karriere, por edhe njohës perfektë të rajonit, dhe të marrdhënieve me fqinjët, sidomos me Jugosllavinë dhe Greqinë.

Kush u komunikoi emërimin tuaj në Rumani?

Ka qënë Shefi i Kuadrit të Ministrisë së Jashtme, Jani Polena. Ky ishte një aparatçik klasik, nje punonjës tipik i administratës, nga ata që mund të punojnë në administratat e çdo lloj regjimi.

Dhe si e mbani mënd atë moment? 

Më kujtohet që duhet të ketë qënë fundi i vitit 1986, kur Polena, më thirri në zyrë dhe më komunikoi emërimin, duke më thënë se:‘Partia ka vendosur, që ti të shërbesh si diplomat në ambasadën tonë në Rumani, në postin e Sekretarit (atasheut) për Shtypin dhe Kulturën“.

Përse ju caktuan pikërisht në këtë vend?

Nuk arrij të them me saktësi se përse më caktuan në këtë vënd. Por kjo mund të ketë ndodhur, ndoshta edhe nga fakti se kisha punuar disa muaj në Drejtorinë e Ballkanit në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, që përfshinte në juridiksionin e saj edhe Rumaninë. Një tjetër arsye e mundshme mund të ishte dhe, fakti që isha dhe një njohës i mirë i gjuhës franceze dhe në atë periudhë, frëngjishtja kishte një shtrirje të madhe linguistike, në Rumaninë zyrtare, por dhe jo vetëm aty.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here