Dokumenti/ Presidenca publikon shkresa për huan e rrugës Vlorë-Dukat: Janë shkelur në mënyrë flagrante kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit

0
53

Marrja e një huaje nga fondi saudit i investimeve për “Rehabilitimin dhe ndërtimin e objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum”, u kthye në debat publik këtë të hënë.

Kryeministri Edi Rama akuzoi presidentin Meta se po bllokon projektin, por ky i fundit iu përgjigj nëpërmjet zëdhënësit, duke publikuar edhe shkresat përkatëse drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Komunikimet zyrtare midis dy institucioneve kanë nisur më 28 shtator të vitit që lamë pas.

Rreth 17 ditë më vonë, më datë 15.10.2020, Ministria e Financave i kthen përgjigje kreut të shtetit, duke theksuar se “nuk ka patur negociata, pasi asnjë prej institucioneve që në varësi të fushës së kompetencave janë palë të saj, nuk kanë patur komente apo sugjerime mbi këtë draft marrëveshje, e për rrjedhojë nuk ka qenë e nevojshme autorizimi për negocim”.

Më 27 tetor, Presidenca i drejtohet sërish me një shkresë Ministrisë në fjalë duke kërkuar informacion të zgjeruar për evidentimin e nevojës për huamarrje me qëllim realizimin e këtij projekti.

Më 2 nëntor, ministrja e Financave dhe Ekonomisë i përgjigjet kërkesë së Presidentit, por siç thekson zëdhënësi , “duke iu shmangur dhënies së shpjegimeve për thelbin e kërkesës për informacion- nëse Ministria e Financave dhe Ekonomisë ishte pajisur, me Autorizim nga Presidenti i Republikës për të hyrë në negociata për marrjen e huasë për këtë projekt, apo jo”.

Në këtë përgjigje, ministrja e Financave dhe Ekonomisë justifikon edhe një herë veten për faktin se për këtë marrëveshje nuk është marrë autorizim për plotfuqi për negocimin e një drafti me këtë përmbajtje. Pikërisht përmes këtij pohimi, konstatohet se janë shkelur në mënyrë flagrante kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit, të cilat diktojnë detyrimisht që për çdo marrëveshje, duhet më parë që autoriteti publik që drejton këto negociata të autorizohet nga Presidenti i Republikës, për t`u pajisur me plotfuqi për procesin e negocimit”- thuhet më tej.

Presidenca thekson se Këshilli i Ministrave ka shkelur ligjin, kur ka negociuar draft marrëveshjen e huasë, pa marrë plotfuqishmërinë e Presidentit.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here