“Socialistët duhet të heqin dorë”/ Mustafa Nano flet për nismën e mazhorancës për t’i hequr kompetencat Presidentit: Një praktikë “budallaqe” që ndërmerret sa herë…

0
55

Analisti Mustafa Nano e konsideron “mistrece” nismën e mazhorancës për t’i hequr edhe disa kompetenca Presidentit të Republikës.

Sipas tij, funksioni i Presidentit nuk ka nevojë të minimizohet apo të reduktohet.

Nano ndalet edhe tek ligji i dekriminalizimit, duke theksuar për TVT, se ai ka ndikim periferik dhe nuk prek politikanët që kanë abuzuar me pushtetin në 30 vite.

Pjesë nga intervista:

Në Kuvend është depozituar një projektligj që parashikon se personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë, edhe në vende jo anëtare të Bashkimit Europian, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, humbasin mundësinë për të garuar në zgjedhje. Në këndvështrimin tuaj, Ligji i Dekriminalizimit ia ka dalë të ndalojë hyrjen e krimit në politikë?

Mustafa Nano: Unë besoj se po. Ka pak kohë që është krijuar një lloj sensibiliteti jo vetëm në opinionin publik, por edhe në opinionin politik, brenda klasës politike, dhe shtresa apo kategori të tilla të inkriminuara apo të kriminalizuara janë gjithmonë e më larg mundësisë që të marrin poste, apo të bëhen pjesë e institucioneve të rëndësishme të shtetit. Në këtë kuptim, Ligji i Dekriminalizimit është i suksesshëm. Por kjo për mua është vetëm njëra anë e medaljes. Medalja ka edhe një anë tjetër. Anën tjetër të medaljes po e paraqes në formë pyetjeje: Si i bëhet me ata politikanë që kanë 30 vjet që kanë abuzuar me pushtetin? Unë mendoj se kjo është më e rëndësishme sesa e para.

Nuk është e rëndësishme t’u tregojmë vendin personazheve të kriminalizuar me rëndësi periferike që nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes së madhe, dhe të harrojmë ata që kanë abuzuar me pushtetin duke marrë vendime që kanë pasur të bëjnë me fatet e vendit. Ky është shqetësimi im. Por shpresojmë që këtë shqetësim do ta zgjidhin ato struktura apo institucione që do të dalin nga reforma në drejtësi.

-Në sesionin e ri pritet të diskutohet edhe Projektligji “Për Kufizimin e Kompetencave të Presidentit të Republikës”. A do ta ashpërsojë kjo nismë luftën dhe çfarë ndikimi mund të ketë kjo në zgjedhjet e 25 prillit?

Mustafa Nano: Kjo është një gjë absurde, mistrece e kësaj mazhorance. Ne nuk mund të diskutojmë kompetencat e një institucioni sa herë që nuk na pëlqen njeriu që është në krye të institucionit në fjalë. Është një praktikë “budallaqe” që aplikohet, adoptohet shpeshherë nga mazhorancat sa herë që marrin pushtetin. Puna e parë që bëjnë është të hakmerren ndaj njerëzve që nuk janë të tyret, nuk janë me ta, por janë në pozicione të rëndësishme. Unë mendoj se funksioni i Presidentit nuk ka nevojë të minimizohet, apo të reduktohet. Ai është i minimizuar tanimë. Ne e kemi honorifik Presidentin. Kështu, kjo më duket një lëvizje e gabuar. Sipas mendimit tim, socialistët duhet të heqin dorë nga kjo ide.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here