Dosja e Prokurorisë/ Nipi i Përparimit tregon si e përdori gjyshi për krimin! Dëshmia e djalit të autorit: E dashura më tha në telefon se babi…

0
70

ETLEVA DELIA/ Vrasja e dy motrave ditën e fundit të vitit 2020 në Tiranë vazhdon të trondisë qytetarët, tashmë jo vetëm për faktin se ishte një krim i rëndë, por për detajet që po dalin në dritë dita-ditës.

Përveç akuzave të familjarëve të viktimave, se autori i dyshuar i krimit të dyfishtë ka shitur në Greqi 10 fëmijë të lindur nga motrat Zhaneta e Kristina, të cilat edhe i ka shfrytëzuar për prostitucion, po zbulohen dhe marrëdhënie të tjera intime mes familjeve. E tillë është edhe marrëdhënia e djalit të autorit me motrën e vogël te viktimave, të cilën ai thotë se e kishte të dashur.

Në dosjen e Prokurorisë është zbardhur edhe dëshmia e tij, ku ndër të tjera Kristo Ademi tregon se ka qenë e dashura, Anxhela Emini, e cila e ka telefonuar duke i thënë se babai i kishte vrarë motrat. Ndërsa shpjegon se me familjen e Zhanetës kishin hyrje-dalje dhe marrëdhënie shumë të mira. Nga ana tjetër, edhe nipi i mitur i autorit të dyshuar, djali i vajzës së tij, ka treguar se si e ka përdorur gjyshi për të kryer krimin. Në deklarimin e tij në prezencë të psikologes dhe avokatit ai ka treguar se Përparim Ademi i ka vendosur automatikun në gjoks, duke i thënë që të trokiste në derën e viktimave. Më poshtë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, të pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore.

DESHMIA E DJALIT TE AUTORIT TE DYSHUAR

Policia Gjyqësore ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit shtetasit Kristo Ademi, i biri i Përparimit dhe Vjollcës, ditëlindja 01.01.1999, lindur dhe banues në Tiranë, i cili deklaron se: Sot më datë 31.12.2020, rreth orës 10:15 e ka telefonuar e dashura e tij, e cila quhet Anxhela Emini. Pasi ka hapur telefonin, Anxhela ka filluar të flasë duke bërtitur dhe qarë e i ka thënë: “Hajde shpejt se babi jot ka vrarë Verën dhe Zhanin…”, bëhej fjalë për dy motrat, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, por Kristina njihej me emrin Vera. Ndërkohë që e ka telefonuar e dashura, ai ndodhej në shtëpi dhe ishte nisur për te shtëpia e motrave Kristina dhe Zhaneta, pasi kanë hyrje-dalje familjare, si dhe kanë marrëdhënie të mira. Pasi ka folur me të dashurën, ka nxituar, ka ndaluar një makinë të rastit duke i thënë që ka njerëz të sëmurë dhe që ta çonte deri në “Astir”. Ai deklaron se nuk e njihte shoferin, ishte një tip furgoni dhe e ka çuar deri në “Astir”.

Më pas është drejtuar duke shpejtuar te banesa. Së bashku me të dashurën kishin planifikuar që të kalonin natën e Vitit të Ri me dy motrat, madje Anxhela kishte shkuar që mbrëmë dhe e kishte kaluar natën atje.

Pasi ka arritur ka parë poshtë pallatit të dashurën, Anxhelën, e cila ishte zbathur dhe djalin e Zhanetës, i cili quhet Anxhelo Metani, i moshës 15 vjeç. Ka arritur të marrë vesh se babai kishte vrarë dy motrat. Pasi ka ardhur Policia janë ngjitur në banesë, e cila ndodhet në katin e tretë, ka parë derën gjysmë të hapur dhe Zhanetën e shtrirë barkas. Në korridorin që të çon në banesë ka parë njolla gjaku.

Ka marrë një taksi aty pranë dhe së bashku me nënën janë nisur për në shtëpi. Ku ka shkuar në shtëpi ka parë që kishte shkuar Policia. Pasi mbaroi kontrollin e kanë sjellë në Drejtorinë e Policisë.

DEKLARIMI I MOTRES SE VIKTIMAVE

Iu mor deklarim shtetases Anxhela Emini, e cila është motër e viktimave. Kjo shtetase ka sqaruar se të dyja motrat e saj kanë pasur marrëdhënie me autorin, me të cilat ka pasur në kohë të ndryshme edhe fëmijë.

Viktima Kristina Bardhi jetonte në Greqi dhe kishte ardhur në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit në shtëpinë e Zhanetës. Për sa u përket marrëdhënieve mes viktimave dhe familjarëve të bashkëshortes së Përparimit sqaron se kanë qenë të mira.

Sipas saj, debatet kanë filluar më datë 25.12.2020, ku në një drekë familjare Përparimi ka debatuar me një shtetas që quhej Altin dhe që ishte i ftuar nga viktimat. Më datën 30.12.2020 ajo sqaron se kur ka shkuar në mbrëmje në shtëpinë e motrës së saj, ka parë që Zhaneta ishte shumë e shqetësuar dhe i ka sqaruar se që në mëngjes ajo ishte marrë me dhunë nga Përparimi, më pas e kishte çuar te një vend te rruga e vjetër e Elbasanit ku ishte kërcënuar me armë, duke i qëlluar në afërsi të këmbëve dy herë, me qëllim që ajo të pranonte që të rregullonin marrëdhëniet përsëri me autorin.

Më pas ai e ka marrë dhe e ka çuar te një hotel ku ka kryer edhe marrëdhënie kundër dëshirës së saj. Më pas kanë pirë kafe te një lokal ku edhe është bindur nga viktima se ajo do të rregullonte marrëdhëniet. Më pas autori e ka lanë Zhanetën te “21 Dhjetori”. Pas vënies në dijeni për këtë ngjarjeje, motra tjetër, Kristina (viktima), ka telefonuar bashkëshorten e Përparimit dhe kanë folur në telefon për ngjarjen. Aty kanë biseduar edhe me autorin se si ai e kishte bërë këtë veprim.

Nga ana e tij është kërkuar falje dhe i ka premtuar që nuk do ta përsëriste më. Nga ana e viktimave fillimisht është bërë me dije se ato do ta denonconin për ngjarjen, por më pas, bashkërisht, pasi janë bindur nga autori se nuk do ta përsëriste më veprimin, do të kërkonin vetëm urdhër mbrojtjeje. Të nesërmen në mëngjes, kur deklaruesja sapo ishte zgjuar nga gjumi ka dëgjuar një krismë.

Nipi i saj, Anxhelo, ka hapur derën e dhomës, ndërkohë që deklaruesja e mbante që ai të mos dilte nga dhoma. Më pas kanë dëgjuar breshëri dhe ulërima. Sipas shpjegimit të saj, nipi Anxhelo ka parë në momentin që ka hapur derën Përparimin të ulur në divan me armë të drejtuar te mjekra dhe më pas ka shtënë, por plumbi i ka ikur lart.

Në këtë moment ai ka mbyllur derën dhe ka folur me dajën e tij, i cili i ka kërkuar që të shikonin nëse personat ishin gjallë. Pasi deklaruesja ka parë që nuk ishin gjallë, kanë parë edhe shtëpinë dhe kanë konstatuar se frigoriferi ishte dëmtuar nga një plumb dhe nga frika e gazit ata kanë dalë jashtë.

DESHMIA E NIPIT TE PERPARIMIT

U mor në cilësinë e të miturit në konflikt me ligjin shtetasi Kastriot K., i biri i Gentianit dhe Dezdemonës, 14 vjeç, për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal (moskallëzim krimi). I pyetur në praninë e psikologes dhe avokatit mbrojtës, ai ka sqaruar se në mëngjes e ka zgjuar gjyshi i tij, Përparimi. Ai i ka thënë se do të shkonte me të deri në një vend. Kanë shkuar së bashku me gjyshin në këmbë te shtëpia e Zhanetës, të cilën e njihte shumë mirë. Në momentin kur ka shkuar te dera e banesës, gjyshi ka nxjerrë nga çanta një armë, të cilën ia ka vendosur në gjoks dhe i ka thënë që t’i binte derës dhe të thoshte emrin e tij. Në këto kushte, i mituri i ka rënë derës dhe kur e kanë pyetur nga brenda se kush ishte, u ka thënë emrin e tij. Viktima ka hapur derën dhe në këtë moment autori është futur brenda. Në këtë moment i mituri ka ikur me vrap dhe ka shkuar në shtëpi, ku i ka treguar gjyshes së tij. Më pas kjo e fundit ka shkuar te shtëpia e viktimës.

DEKLARIMI I ADMINISTRATORIT TE PALLATIT KU NDODHI NGJARJA

I është marrë deklarim në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasit Hysni Xh., i cili deklaron se: Banon në pallat me gruan dhe djalin dhe aktualisht është dhe administrator i pallatit ku ndodhi ngjarja dhe ka licencë si administrator. Në pallatin që ka në administrim janë 87 apartamente dhe janë të zëna 61 prej tyre, pra banojnë 61 familje.

Banore e pallatit në shkallën b, apartamenti me numër 11, kati i tretë është familja e shtetases Zhaneta Metani. Zhaneta banon me djalin e vet dhe para dy ose tre muajsh, por nuk është shumë i sigurt, në familjen e saj ka shkuar për të jetuar edhe motra e saj, por emrin nuk ia di.

Nga informacionet që ai ka, Zhaneta punonte në një fasoneri, por nuk e di se në cilën, ndërsa djali i saj është i mitur dhe mendon se duhet të jetë në shkollë. Ndërsa për motrën e Zhanetës nuk ka informacion se me çfarë aktiviteti merret.

Zhanetën për një periudhë disavjeçare e vizitonte një shtetas, i cili ishte i moshës rreth 60 vjeç, i shkurtër, me flokë të thinjur dhe në fytyrë dukej i shëndetshëm. Ky shtetas vinte në banesën e Zhanetës me biçikletë, zakonisht paradite dhe qëndronte në banesën e saj, si dhe dilte edhe me djalin e saj, por nuk e di se çfarë marrëdhëniesh kishte ajo me këtë shtetas. Me këtë person ka komunikuar kur vinte te pallati, por nuk e ka pyetur për emrin, ndërsa po ta shohë është në gjendje ta njohë.

Sot më datë 31.12.2020 ka dalë nga banesa rreth orës 05:45 dhe ka fikur prozhektorin e pallatit dhe ka vajtur te pompat e ujit që janë në garazhin e pallatit pasi kishin defekt. Rreth orës 09:00 ka dëgjuar një krismë por në momentin e parë ka menduar se mos ishte fishekzjarr, pasi hedhin fëmijët herë pas here dhe para garazhit ku punonte ka ardhur Policia e Shtetit.

Kur ka parë Policinë, ka dalë dhe ka pyetur punonjësit se çfarë kishte ndodhur dhe i kanë thënë që kishte ndodhur një vrasje. Më pas ka mësuar që në banesë ishte vrarë shtetasja Zhaneta Metani me motrën e saj.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here