“Pse pala shqiptare propozoi Vijën e Drejtë Bazë”/ Kolonel Myslim Pasha replike me ish-negociatorin Meçollari: Ku u gabua për detin

0
39

Koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, zbulon propozimin e palës shqiptare përmes grupit negociator, ku kërkonte të përfshinte sërish Greqinë në negociata pas ndërprerjes së tyre dyvjeçare.

pasha-mecollari

Duke iu përgjigjur një prej negociatorëve, ish-kreut të Flotës Detare, Artur Meçollari, Myslim Pashaj shprehet se i vetmi studim që ka bërë grupi negociator ishte përcaktimi i vijës së drejtë bazë, që do t’i interesonte palës greke.

“Shqiptarët nuk e dinë se përgjatë pesë vjetëve, i vetmi studim surprizë në praktikën e punës së këtij grupi ka qënë ‘Studimi i vijës së drejtë bazë të Shqipërisë’. Kjo gjetje mashtruese kërkon të errësojë parimin e Ekitesë, i cili gjatë gjithë kohës ka qënë i papranueshëm për palën greke. “Vija e drejtë, bazë , strait base line” sipas Kapitenit të Rangut të parë (L), Meçollari, është thembra e Akilit e gjithë produktit që mund të vilet për një marrëveshje të mirë dhe fituese në kushtet e të dyja vendeve. Ai përdor gjithashtu termin ‘përdorim me pragmatizëm’ pa dhënë shpjegime të mëtejshme”, shprehet koloneli në lirim.

Ai shpjegon se përse pala shqiptare ofroi “vijën e drejtë bazë”. “Gjatë rinegociatave të viteve 2018, 2019, prej ngulkëmbjes dhe mospranimit të palës greke, u krijua një bllokazh, i cili duhej që medoemos të kalohej. Në këto kushte, pala shqiptare e kishte gati studimin që po merrej mbi Vijën e Drejtë Bazë. Të gjitha këto e gjetën një makanizëm mashtrimi dhe kurthi, e ky ishte ‘Ndërtimi i një vije të drejtë Bazë të Shqipërisë si Vija i fatit’, ‘maska e Pandemisë’, që do të vinte në prag të një marrëveshje të re.

Vetë Ministria e Jashtme ndërmori një përmbledhje shpjeguese dhe ilustruese, venien në jetë të një mekanizmi grafik çudibërës, që do të sillte pranim nga ana e Greqisë, po edhe për rezultatet, të cilat do t’i prodhonte. Në atë dalje para opinionit nuk flitej askund për principet dhe parimet e shkelura të drejtësisë dhe të barazisë, të pranisë dhe efektit të ishujve, të cilat përfshiheshin në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010.

Po tek e njëjta përqasje vijmë sërish në thembrën e Akilit, e cila nuk qenka Guri Barketa, por Vija e Drejtë Bazë, që u dashka rindërtuar në bregdetin e Ngushticës së Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit, për t’i sjellë fitoren një marrëveshjeje të re”, shprehet kolonel Pasha.

PROF. MYSLIM PASHA

Tani që grupi negociator me shtetin fqinj për një marrëveshje të re është shpërbërë, nga një vendim i të dy qeverive për ta çuar atë marrëveshje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, zëra të veçantë po dalin në opinione, duke bërë të mundur e për të çarë hermetizmin dhe dyshimet ndaj këtij grupi negociator. Çfarë t’u thuash shqiptarëve për studimet dhe përvojat e reja që sollën gjatë kohës kur kontribuuan në grupin negociator? Shqiptarët nuk e dinë se përgjatë pesë vjetëve i vetmi studim surprizë në praktikën e punës së këtij grupi ka qenë “Studimi i vijës së drejtë bazë të Shqipërisë”.

Sipas UNCLOS-82, në zona të veçanta, ku dallohet që vija bregore është me harkime më të thelluara dhe me shumë prerje e thyerje, me ndërthurje ishujsh të vegjël që vazhdojnë në një breg të çrregullt, raste të arkipelagëve dhe e grumbujve thyerës ishullorë, vijimit të ishujve të përmasave dhe formave të ndryshme, mund të ndërtohet një vijëdrejtë e mesme përmbledhëse, që lidh ishujt më të dalë dhe tipikë e prej saj të mund të matet gjerësia e Detit Territorial. A mund të përdoret, ndërtohet apo shfrytëzohet kjo në rastin e vijës buzujore detare të brigjeve juglindore të Ngushticës së Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit?

Kjo, sikundër e kanë vënë në dukje USA për dy herë, nuk përkon më UNCLOS-82. Nuk është e mundur, se nuk përputhet me formën dhe përkufizimet standarde që nga gjiri i Gramës e gjer në gjirin e Tetranisit, ku, sipas formave reale në natyrë, mbyllen gjiret e vegjël me ujërat e brendshme në Himarë, Porto Palermo, Jalë etj., por nuk mund të mbyllet si gji juridik gjiri i Borshit. Ndërkaq, për gjirin e Sarandës as flitet fare. Ja, kjo është “fantazma e Vijës së Drejtë Bazë”, e cila do t’i shpëtonte të dyja ekipet negociatore për të hapur gjoja udhë të zgjidhjes. Kjo gjetje mashtruese kërkon të errësojë parimin e Ekitesë, e cila gjatë gjithë kohës ka qenë e papranueshme për palën greke.

“Vija e drejtë bazë, (strait base line)” sipas Kapitenit të Rangut të parë (L) Meçollari, është thembra e Akilit e gjithë produktit që mund të vilet për një marrëveshje të mirë dhe fituese në kushtet e të dy vendeve. Ai përdor gjithashtu termin “përdorim me pragmatizëm” pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Grupi negociator ka marrë mbi vete besimin më të lartë dhe të vyer, sidomos për një negociatë me vlera të epërme kombëtare.

“Vija e Drejtë bazë e Shqipërisë” është ndërtuar dy herë gjatë jetës së regjimit komunist. Së pari bëhet e njohur me Dekretin nr. 4650 e 15 prillit të vitit 1970 dhe më vonë me Dekretin 5384, shkurt 1976. Vija e Drejtë Bazë e Shqipërisë, edhe për pjesën e detit Jon, është miratuar në vitin 1976 dhe depozituar në vitin 1990 në OKB. Ajo nuk i plotëson kriteret sipas nenit 10 të Konventës së OKB për të drejtën e Detit. Është kontestuar në rrugë diplomatike nga SHBA në vitin 1989 për metodologjinë e ndërtimit.

Atëherë, si mund të bëhet studim gati pesë vjet e më shumë e të kryhen mbi të matje hipotetike e të merren statistika si ato të Ministrisë së Jashtme, që janë kumtuar para një opinioni të gjerë?!

Një gur i nëndetshëm, që sapo shfaqet dhe orienton; guri i Barketës, i cili ka mbirë në mes të Kanalit të Korfuzit, kundruall Sarandës, është një dëshmi reale në ujërat detare të Detit Territorial të Shqipërisë në Kanalin e Korfuzit. Edhe kjo dëshmi goditet nga pseudostudiuesit, duke e shfiguruar për të mbrojtur të dyja palët negociuese të marrëveshjes së vitit 2009, e Greqisë dhe Shqipërisë, e cila u hodh në koshin e mbeturinave të historisë. Guri i Barketës u mor si shenjë ku u vendos kompasi gjeometrik, që kish për autorë dy grupet negociatore të Shqipërisë dhe Greqisë në paktin e parë dhe prej aty do të matej se sa det i takon Shqipërisë (sa S! e largësisë midis brigjeve të Ksamilit dhe Korfuzit).

Ja, kjo është dëshmia e rrallë e padrejtësisë dhe mosbarazisë. Gjatë rinegociatave të viteve 2018, 2019, prej ngulkëmbjes dhe mospranimit të palës greke, u krijua një bllokazh, i cili duhej që medoemos të kalohej. Në këto kushte, pala shqiptare e kishte gati studimin që po merrej mbi Vijën e Drejtë Bazë. Të gjitha këto e gjetën një mekanizëm mashtrimi dhe kurthi, e kjo ishte “Ndërtimi i një vije të drejtë bazë të Shqipërisë si ‘Vija e fatit’”, “maska e pandemisë”, që do të vinte në prag të një marrëveshje të re. Vetë Ministria e Jashtme ndërmori një përmbledhje shpjeguese dhe ilustruese, vënien në jetë të një mekanizmi grafik çudibërës, që do të sillte pranim nga ana e Greqisë, por edhe për rezultatet, të cilat do t’i prodhonte. Në atë dalje para opinionit nuk flitej askund për principet dhe parimet e shkelura të drejtësisë dhe të barazisë, të pranisë dhe efektit të ishujve, të cilat përfshiheshin në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010.

Po tek e njëjta përqasje vijmë sërish në “thembrën e Akilit”, e cila nuk qenka Guri Barketa, por Vija e Drejtë Bazë që u dashka rindërtuar në bregdetin e Ngushticës së Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit, për t’i sjellë fitoren një marrëveshjeje të re.

S’ka mbetur shqiptar të mos gjendej i goditur nga pushtimi që i ishte bërë “Barketës” dhe Gjirit të Sarandës në marrëveshjen e vitit 2009. Grupi negociator shqiptar zgjodhi gatimin e projektit të “Vijës së Drejtë Bazë” të Shqipërisë, i ndërtuar në mënyrë antiligjore për të zbutur negociatat që rifillonin. Ministria e Jashtme zbuloi të ashtuquajtur “hartën e re të detit”, por që nuk ishte kurrë e re. Në atë hartë dolën statistika për DT e Shqipërisë dhe të Greqisë, të ZEE (Zonës Ekonomike Ekskluzive) si dhe për sipërfaqet e delimitueshme të të dyja vendeve, të cilat janë plotësisht të pasakta dhe të pambështetura në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, duke shkelur parimin e Ekitesë. Siç duket shkoqur, pala greke e ka pranuar këtë mekanizëm grafik antiligjor vetëm e vetëm që të quheshin të panegociueshme kushtet gjeografike dhe prania e efektit të ishujve.

Pak dihet për rinegocimet në kohën e projektit “Kotzias-Bushati”, në Kretë dhe Korçë, kur pritej triumfi i përputhjes së një rezultati të ri pranues të të dyja palëve që kishin punuar incognito mbi projektin e Vijës së Drejtë Bazë, të paligjshme, që do të vihej në themel të marrëveshjes së re. E tëra kjo shpaloset tani nga Kapiteni RP(L) Meçollari, që hedh dritë mbi atë çka ka ndodhur. Kapiteni nuk ndalet me mësymjen e tij, ai paralajmëron se nëse vija e drejtë bazë nuk merret në konsideratë në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, humbja është e madhe dhe gabimi është i gjithi yni, për shkak të shfuqizimit të saj, pra, “vijës së drejtë bazë në vitin 2008. Nga kush paracaktohet dhe paralajmërohet kjo trumbetë me tinguj të çjerrë të specialistëve shqiptarë, që s’ka të ndalur?

Pra, edhe tani kur i është lënë në dorë Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës “mekanizmi mrekullues” i paligjshëm i Vijës së Drejtë Bazë, kërkon të diktojë në rezultatet e pritshme të një gjykimi të epërm. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë.

plagjatura.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here