“Shpenzuan më shumë se 100 milion euro”/ Mjeku Erion Dasho: Historia e dhimbshme e pacientes që vdiq tek ‘COVID-2’ ka potencialin të hapë një ‘kuti pandore’, përfituesit e vërtetë…

0
35

Mjeku i njohur, Erion Dasho thotë se historia e trishtë e vdekjes së pacientes së shtruar në spitalin Covid2, vajzën e të cilës e zhvati sanitarja Tire Alldervishi, e cila hiqej si infermiere, “ka potencialin të hapë një kuti pandore”.

“Historia e dhimbshme e pacientes që humbi jetën në Spitalin COVID-2 ndërkohë që familja paguante shuma të majme për të marrë një trajtim sado pak njerëzor, ka potencialin të hapë një kuti pandore”.

Në një status në rrjetet sociale, mjeku Dasho thotë se pas kësaj historie duhen gjetur përfituesit e vërtetë të Covid-it gjatë kohës së pandemisë.

“Sigurisht, ministria reagoi menjëherë duke kërkuar ndëshkim shembullor të fajtores sipas parimit “hajdut është ai që kapet”. Ndërkohë, publiku pyet “A ka patur përfitues gjatë pandemisë së COVID dhe cilët janë ata?”

Ministria e shëndetësisë në vend të shoë-t të radhës me ndëshkimin e fajtores, bën mirë të hapë spitalet COVID ndaj familjarëve me qëllim që këta të shohin e të prekin familjarët e shtruar në ta. Nuk jetojmë në kohën e leprozariumeve mesjetare, por në Europën e shekullit të 21-të!

Më pak sekrete dhe atmosferë mbytëse dhe më shumë transparencë do të bëjnë të mundur të kemi më pak “Tire” dhe më shumë pacientë të shëruar e familjarë të kënaqur nga shërbimi!

Përndryshe, ndëshkimi i Tires do të mbetet ndëshkimi i një “koke turku” për të mbuluar përfituesit e vërtetë të epidemisë…”, shkruan mjeku.

Sipas Dashos, “8 milionë lekë të përfituar nga një sanitare (e vetme apo në bashkëpunim pak rëndësi ka) janë një pikë uji në oqeanin 100 milion euro që kanë paguar deri tani shqiptarët të lënë në baltë dhe të tradhëtuar nga qeveria e tyre!”

“Së pari, duhet shmangur anatemimi i infermiereve dhe sanitareve të cilat gjatë pandemisë thjesht mund të kenë zëvendësuar dyqind lekëshin e “zakonshëm” që futet në xhepin e përparëses me ndonjë pesëqind lekësh. Sigurisht, kjo është e dënueshme nga pikëpamja morale, etike dhe ligjore, por nuk është “hataja” e vërtetë. Në se përllogaritet se shqiptarët kanë shpenzuar më shumë se 100 milion euro për të trajtuar privatisht familjarët e tyre të sëmurë me COVID, këto para duhen kërkuar gjetkë”, shkruan Dasho.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here