Zgjerimi me 12 milje/ Ministri i Jashtëm grek, Dendias: Rrisim sipërfaqen me 13,000 kilometra katror

0
43

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, tha dje se me miratimin e projektligjit që e lejon Greqinë të zgjerohet me 12 milje, vendi do të rrisë sipërfaqen e territorit të tij me 13 mijë kilometra katrorë.

Këtë deklaratë Dendias e bëri gjatë fjalës së tij në Komisionin Parlamentar të Çështjeve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare, ku ka nisur dje diskutimi i projektligjit për zgjerimin e zonës detare të detit Jon.

“Është hera e parë që Parlamenti grek thirret për të votuar rritjen e territorit mbi të cilin ka sovranitet kombëtar, që nga viti 1947”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, në fjalimin e tij në Komisionin Parlamentar të Çështjeve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare, në diskutimin e projektligjit për zgjerimin e zonës detare të detit Jon.

“Qeveria i propozon Parlamentit ushtrimin e të drejtës së patjetërsueshme të vendit tonë, për të zgjeruar ujërat tona territoriale në rajonin e detit Jon dhe deri në Tainaro, nga 6 në 12 milje detare”, ka thënë Dendias, duke shtuar se ky proces “do të rrisë sipërfaqen e sovranitetit kombëtar me 10,079 kilometra katrorë dhe nëse dikush merr parasysh zonën e krijuar nga mbyllja ligjore e gjireve, sipas ligjit ndërkombëtar, ajo tejkalon 13,000 kilometra katrorë. “Ministri i Jashtëm kujtoi në këtë pikë se sipërfaqja e përgjithshme e Greqisë është 131,000 kilometra katrorë dhe se zona e Kretës është pak më shumë se 8,500 kilometra katrorë. “Pra, është një nder jashtëzakonisht i madh për mua, në emër të qeverisë Mitsotakis, t’i propozoj këtë projektligj Parlamentit”, ka thënë ai.

DEBATI

Projektligji “Përcaktimi i detit territorial në zonën detare të Ishujve Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez” u paraqit në Parlament pas hyrjes në fuqi të Dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe heqjen e vijave bazë në këtë zonë sipas dispozitave te Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit të 10 dhjetorit 1982. Në seancë kanë folur edhe deputetë të tjerë, midis tyre ish-ministrja e Jashtme Bakojanis, që ka thënë se bëhet fjalë për një moment historik, ndërsa nga ana e tij, përfaqësuesi i opozitës Syriza, ish-ministri i Jashtëm Jorgos Katrougkalos ka përshëndetur këtë akt të konservatorëve, duke theksuar se partia e tij mirëpret faktin që Demokracia e Re pranoi një nga zgjedhjet strategjike të qeverisë SYRIZA, të cilën konservatoret dikur e kishin kritikuar ashpër dhe nuk e kishin pranuar.

DIALOGU ME TURQINË

Në seancën e djeshme parlamentare në Greqi ishministri i Jashtëm grek në periudhën e Syrizës ka kërkuar transparencë edhe sa i përket çështjes kryesore të orëve të fundit, fillimin e bisedimeve teknike mes Greqisë dhe Turqisë, që do fillojnë pas 5 vjetësh ndërprerje në 25 janar në Stamboll. “Përse të dëgjojmë nga pala turke”, ka thënë ai, “se ka një takim të planifikuar midis Dendias dhe Çausoglou në Tiranë. Përse t’i mësojmë ato nga burime turke?!”. Sot në fakt një pjesë e mirë e shtypit grek i është referuar rolit dhe këmbënguljes diplomatike, siç është quajtur përpjekja e Edi Ramës, për të sjellë afër Athinën dhe Ankaranë, madje edhe nëpërmjet një takimi të dy ministrave në Tiranë. Ka qenë hapi i parë kjo përpjekje dhe më pas deklaratat e dy kryediplomatëve që kanë hapur derën për fillimin e bisedimeve eksploruese.

Por sa i përket takimit të Tiranës, Ministria e Jashtme greke në një deklaratë për shtyp në mesditë ka pohuar se vërtet ka një miqësi shumëvjeçare mes Dendias dhe Cavusoglu, por nuk ka ende një dakordësi për një takim në Tiranë. Ndoshta më vonë kur ta lejojnë kushtet thuhet në deklaratë. Gjithsesi, kemi një dinamikë zhvillimesh në rajon që filluan me vizitën e Kryeministrit shqiptar në Turqi, më pas ardhjen e tij në Athinë dhe nisjen e bisedimeve eksploruese. Ajo që pritet me interes është se cili do të jetë vazhdimi i tyre.

Ankaraja kërkon që në këtë cikël, i 61- ti i radhës, prej 2002-shit, të futen përsëri çështjet e minoritetit mysliman në Trakë, delimitarizimi i ishujve grekë, ZEE-ja, territori ajror i dy vendeve, çështja qipriote etj. Kurse Athina këmbëngul që në këto bisedime të flitet vetëm për përcaktimin e kufijve detare dhe ZEE-në. Megjithëse flitet për një zhvillim pozitiv pas 5 vitesh krize mes dy fqinjëve që shpesh herë shkoi deri në rrezik incidenti ushtarak, nuk duket se ka pritshmëri dhe shumë analistë shprehen pesimistë, pasi theksojnë që po shkohet në bisedime me një shtet që nuk ka nënshkruar të Drejtën e Detit, konventa (UNCLOS) e 1982.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here