“Janë grup kriminal”/ PD: Dosja “184” të rikthehet në SPAK. Në seancën e datës 29 janar, Gjykata vendos nëse…

0
42

Gjykata e Dibrës ka zhvilluar ditën e djeshme seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor për dosjen e shitblerjes së votave në këtë qark, e ashtuquajtur dosja “184”. Një muaj më parë, Prokuroria përfundoi hetimet dhe e dërgoi dosjen në Gjykatë me katër të pandehur, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Në seancën e djeshme ishin të pranishëm të akuzuar në këtë proces, si dhe avokati Indrit Sefa, i cili përfaqësonte Partinë Demokratike, në rolin e kallëzuesit. Seanca u shty për në 29 janar, pasi palët kërkuan të njihen me fashikujt e dosjes. Pas 2 javësh pritet të vendoset nëse dosja rikthehet për hetim apo do të vijojë procesi gjyqësor. Partia Demokratike kërkon që çështja të shkojë në Gjykatën e Posaçme për kompetencë lëndore, pasi bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal.

“PD kërkon që çështja të shkojë në GJKKO që duhet ta vendosë. Prokurori, në nëntor 2020, ka bërë edhe ndryshimin e cilësimit të veprës penale për disa të pandehur. Për Arben Keshin dhe Bekim Krashin ka hequr veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe ka lënë vetëm atë të dhunimit të zgjedhjeve, e cila në bazë të kodit është parashkruar sepse ka qenë kundërvajtje penale dhe jo vepër penale. Të gjithë këta persona në hetim kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Ndaj nuk mund të jetë kompetente Gjykata e Dibrës”, është shprehur avokati Sefa pas përfundimit të seancës së djeshme. Ndërkohë, prokurori që përfaqëson akuzën në seancë është Urim Buci.

SHQYRTIMI I DOSJES

Dosja “184” ende nuk dihet nëse do të ketë “fat” që të përfundojë në gjykim apo jo. Kjo, pasi për muaj të tërë dosja ka hasur një “pingpong” mes institucioneve të drejtësisë. Dhe ende nuk dihet nëse do të përfundojë shqyrtimi në Dibër.

Sipas akuzës së Dibrës, aty ku edhe u mbyllën hetimet, në zgjedhjet lokale të 2016, ku do të zëvendësohej Shukri Xhelili me Agim Ramën, ka pasur shitblerje votash, por personat përgjegjës s’mund të hetoheshin pasi vepra penale ishte parashkruar.

TË PANDEHURIT

Robert Aga, ish-shefi i Policisë në vitin 2016; Drini Gjeci, ish-kreu i Arsimit; Nuri Meda, ish-kreu i Njësinë Administrative Tomin; dhe Hasan Hoti janë katër të akuzuarit në këtë proces për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje të zgjedhësve”. Ata rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg.

Shpërdorimi i detyrës, sipas nenit 248, ka një marzhë dënimi deri në 7 vite, ndërsa kanosja e zgjedhësve nga një vit deri në katër sipas nenit 329 të Kodit Penal.

Për të akuzuarit e tjerë, mes tyre kryebashkiakun aktual të Dibrës, Dionis Imeraj, dhe shtetasit Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi dhe Afrim Mikli, Prokuroria e Dibrës kërkoi më 18 dhjetor pushimin e çështjes dhe tani i takon Gjykatës të japë vendimin e saj nëse do pranojë këtë hetim apo do ta rikthejë sërish në Prokurori.

Kujtojmë se PD, si palë e interesuar në këtë proces, e ka ankimuar vendimin dhe kërkon të vihen përballë ligjit të gjithë personat e përgjuar në këtë dosje. Ndërkohë, Petrit Ismaili është avokati që të pandehurit në këtë proces kanë zgjedhur për t’u mbrojtur përballë akuzave. Pas përfundimit të seancës, ai është shprehur se në seancën e djeshme u bë vetëm verifikimi i palëve dhe më pas është shtyrë.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here