“Kandidatë të pastër dhe jo shitblerje votash”, mesazhet e Yuri Kim në KQZ

0
49

MARIGLEN KUME/  Një muaj e gjysmë nga skadimi i afatit për subjektet zgjedhore për të paraqitur listën shumë emërore të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka zhvilluar një vizitë në KQZ ku është takuar me komisionerin shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe nënkomisioneren Lealba Pelinku.

Në përfundim të bashkëbisedimit, kryediplomatja amerikane Yuri Kim bëri një status në “Twitter” ku shprehu mbështetjen ndaj KQZ-së për përpjekjen e zhvillimit të zgjedhjeve të ndershme më 25 prill. Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e ka vënë theksin te pastërtia e figurës së kandidatëve për deputetë dhe parandalimi i blerjes së votave.

“Ne mbështesim përpjekjet e KQZ-së për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në 25 prill, duke zbatuar ID-në biometrike dhe masat e tjera të nevojshme, sigurimi i kandidatëve të pastër, parandalimin e blerjeve të votave dhe manipulimit të tyre”, shkroi në “Twitter” Kim.

Ndërsa komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dha më shumë detaje në lidhje me takimin.

Në adresën e tij në “Facebook”, Celibashi u shpreh se informoi ambasadoren për përgatitjet në lidhje me teknologjinë e zgjedhjeve, përgatitjen e listës së zgjedhësve etj. Ndërkohë, pjesë e diskutimit ka qenë edhe ligji i dekriminalizimit, ligj i cili i ndalon kandidimin për deputet dhe kryetar personave të inkriminuar.

“Identifikimi biometrik, votimi elektronik, lista e zgjedhësve, dokumentet e identifikimit, dekriminalizimi, masat për parandalimin e shitblerjes së votës dhe mashtrimit në zgjedhje, patën fokusin e diskutimit me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, në takimin e sotëm në KQZ. Së bashku me nënkomisioneren Pleniku prezantuam ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Krijimi i besimit të të gjithë aktorëve në integritetin e procesit zgjedhor, sfidë për KQZ”, shkroi Celibashi.

Sipas nenit 67 të Kodit Zgjedhor, data 6 mars është afati i fundit për subjektet zgjedhore që të paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën shumë emërore të zgjedhjeve.

LETRA NDAJ PARTIVE

Më një shtator të vitit të kaluar, ambasadorja amerikane Yuri Kim i është drejtuar me një letër drejtuesve politikë shqiptarë që të marrin masa që kandidatët e tyre për deputetë të mos jenë subjekt i të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin.

Ambasadorja Kim shkroi se inkurajon të gjitha partitë politike “që të verifikojnë kandidatët dhe të emërojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe që respektojnë votuesit shqiptarë. Ndërsa individët, janë përgjegjës për të bërë të njohur të kaluarën kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë të zgjidhen nën siglën e tyre”, thekson ajo.

Ambasadorja amerikane kujtoi se si për shkak të ligjit të dekriminalizimit disa deputetë apo kryetarë bashkisë janë larguar.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në luftën kundër korrupsionit dhe qëndrojnë në krahë të secilit që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa u ndëshkuar”, shkroi ambasadorja amerikane, ndërsa theksonte se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të drejtën e tyre për t’u ndaluar hyrjen në territorin amerikan zyrtarëve të korruptuar. Deri tani një masë e tillë është marrë ndaj deputetit Tom Doshi, ish-kryeprokurorit Ariatik Llalla dhe ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ndërsa mbi 170 zyrtarëve të tjerë iu është refuzuar viza

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here